02 dhjetor 2009

Del Piero Jemi Me Ferrarin Ma Gjonsisht Lajmi

Kapiteni juventin është i bindur se skuadra do të dalë nga momenti “jo”. Ndaj Interit, rasti më i mirë
Alesandro Del Piero është i karikuar dhe optimist: “Nuk fshihemi, na pret një javë e vështirë dhe përkushtuese. Në fillim është Interi, pastaj Liga e Kampioneve. Por nga të gjitha momentet e vështira dilet me punë”. Jo vetëm, duke menduar zbritjen në Serinë B, kapiteni bardhezi, kujton: “E kemi harruar atë periudhë, tani mendojmë të reagojmë sa më shpejt në këtë periudhë”.
Ndërkohë në Vinovo janë shfaqur disa parrulla protestash kundër skuadrës. Ashtu si Bufoni disa ditë më parë, edhe Aleksi nënvizon që pas momentit “jo” të Juventusit, është “përgjegjësia e të gjithëve, pa hije dyshimi e të gjithë lojtarëve, prandaj çdo gjë varet nga ne vetë. Por gjëja e bukur në këtë moment negativ që po përjetojmë, është se duke u parë në sy, e kemi kuptuar që jemi të gjithë në të njëjtën linjë dhe ky bashkim bën ndryshimin. Trajneri është me ne dhe ne me të, klubi po ashtu, - siguron Del Piero.
- Jemi duke punuar, duhet të korrigjojmë shumë gjëra dhe të përgatitemi mirë për këtë sfidë dhe për atë që do të vijë më pas”. Dhe numri 10 bardhezi është gati të marrë si gjithnjë një rol prej protagonisti, në fushë dhe jashtë saj: “Unë jam mjaft i kënaqur, duket një paradoks, por pasi për tre muaj që nuk kam luajtur, tani kam mundësinë të jem mirë dhe të luaj, ndaj në këtë aspekt jam i lumtur që mund të zbres në fushë, të djersij, të vrapoj dhe të përpiqem të bëj gjithçka për të zgjidhur problemet së bashku me shokët e mi dhe stafin e skuadrës”.
Mes shumë temave në prag të sfidës Juventus-Inter, është edhe ajo e lidhur me Mario Balotelin, objekt i koreve të njëpasnjëshme nga ana e ultrasve juventinë në ditët e shkuara. Fjalët e Del Pieros nuk lënë hapësirë për dyshime: “Duke e mënjanuar Balotelin si njeri, më mirë të flasim për racizmin dhe të gjitha format e diskriminimit. Unë, Juvja, klubi, kemi qenë të gjithë shumë të qartë. Kemi dëshirë ta luftojmë me të gjitha format racizmin dhe inferioritetin ndaj njerëzve të ndryshëm. Kjo është e vërtetë.
Pastaj, nga ana e lojtarëve nuk ka pasur asnjë situatë të veçantë tensioni apo diskriminimi mes nesh. Ka 17 vjet që luaj me futbollistë të çdo lloj race dhe ngjyre”. Në fund Del Piero “kurorëzon” Lionel Mesin, fitues i saposhpallur i “Topit të artë” 2009: “Eshtë e drejtë kështu, sepse ka zhvilluar një sezon fantastik, e mbylli me një fitore, duke shënuar në finalen e Ligës së Kampioneve, që është ngjarja më e spikatur dhe më e rëndësishme e vitit që po mbyllet. Votat e kanë treguar këtë, “Topi i artë” që fitoi dje është i merituar”.
Mbrojtësi
Kanavaro shikon në “lojë” tri pikët
Katër ditë para “big-match”-it me Interin, Fabio Kanavaro jep mendimin e tij: “Ajo me Interin është një ndeshje ku në lojë janë tri pikët, - tha mbrojtësi 36-vjeçar i Juventusit, që shfrytëzon rastin të flasë edhe për trajnerin e tij Ferrara. - Të largohet? Do të ishte një çmenduri.
Receta për të dalë nga kriza është vetëm të punojmë”. Mbi blerjet e reja të klubit, të cilët po zhgënjejnë parashikimet e tifozëve, Kanavaro thotë: “Është normale që nuk janë përfshirë akoma mirë në ekip”. Nuk mund të mungonte një pyetje mbi kombëtaren dhe rikthimin e disa kampionëve me “axurrët”: “Me Totin flas gjithnjë në telefon, edhe me Nestën po ashtu. Ne që patëm fatin të përjetojmë përvojën në triumfin e Berlinit, kemi një lidhje të fortë. Janë zgjedhje që janë marrë dhe duhen respektuar”.
Ish-trajneri bardhezi analizon situatën e dy skuadrave në prag të derbit të Italisë
Kapelo: Interi i fortë, Juves i duhet kohë
Të shtunën do të luhet derbi i Italisë mes Juventusit e Interit, një ndeshje që trajneri i kombëtares angleze, Fabio Kapelo “mezi e pret”, duke parë që stolin bardhezi e njeh mirë dhe përpiqet të bëjë një krahasim me një tjetër derbi, atë mes Barcelonës e Real Madridit, që u luajt të dielën: “Sfidat mes Juves, Milanit e Interit, janë të gjitha speciale për numrin e tifozëve që përfshijnë, ato janë sfida “kombëtare”, ndërsa Barça-Real është një sfidë politike. Inter-Juve nuk është vetëm një sfidë mes tifozësh, sepse këto janë gjithnjë sfida që luhen për titull. Atmosfera është e fortë, sikur të jetë një finale… Kjo ndeshje ka një vlerë të madhe psikologjike. Janë sfidat që tregojnë vlerat e vërteta”.
Më pas Kapelo analizon situatën e të dyja skuadrave: “Interi është një skuadër e fortë, e bashkuar, që në Itali po mbizotëron dhe rezultatet e viteve të fundit e tregojnë, ndërsa Juventusi kërkon të kthehet protagonist absolut në kampionat. Do të jetë një sfidë që do të konsolidojë ambiciet e secilës për kreun, ndonëse rruga është shumë e gjatë akoma. Për Juven duhet edhe pak kohë. Por nëse Interi do të shkojë +11 do të bëhet i vështirë për t’u kapur”.
Kapelo pastaj përpiqet të shpjegojë ndryshimin mes dy formacioneve: “Interi ka pasur kohë të përforcohet, të bëjë ndryshime dhe të marrë vendime. Juvja është përforcuar, por ka nevojë për kohë për t’u pjekur. Le t’i japim akoma pak kohë kësaj Juveje. Interi nuk ka Ibrën, por Milito dhe Eto po shënojnë sërish, ndonëse ka ndryshuar mënyra e lojës. Ndërsa Juvja lojtarët i kishte, vetëm se duhet të përmirësohen. Pra diskutimi është ai i pari: Interi është që tani i fortë, ka mundur të ndërhyjë në mënyrë “kirurgjikale” në merkato, ndërsa Juventusi e ka pak më të vështirë për të gjetur rrugën e duhur”, - përfundon ish-trajneri i Milanit, Romës, Juventusit e Real Madridit.
Napoli
De Laurentis akuzon gjyqtarët dhe Donadonin
Aurelio De Laurentis nuk ka frikë t’i thotë gjërat ashtu siç i duken, teksa edhe paralajmëron: “Nuk duhet të shqetësohemi për këto pesë pikë që na kanë ikur për faj të gjyqtarëve, - tha presidenti i Napolit. - Do të vazhdojmë ta ngrejmë zërin sa herë që do të shohim që diçka nuk shkon. Nuk duhet t’ia heqim besueshmërinë asaj që bëjmë, përndryshe, si mund të pretendojmë besimin dhe mbështetjen e tifozëve tanë”.
Ato që kanë penguar ecurinë e napoletanëve, sipas presidentit De Laurentis, përveç gjyqtarëve të ndeshjeve, kanë qenë edhe gabimet e bëra nga ish-trajneri Donadoni: “Nëse Kualjarela duhet të punojë tani për të pasur benzinë, besoj se është për faj të një përgatitjeje të gabuar”. Megjithatë, numri një i klubit të kaltër, beson shumë tek lojtarët e tij: “Nëse nuk krijohen pengesa të kota, gjithçka do të shkojë për mirë”.