02 dhjetor 2009

Trajneri Lika kthen “timonin” nga Vllaznia

Apolonia ka fituar në Durrës, por në kampin fierak nuk festohet gjatë, duke menduar për shkodranët
Apolonia nuk ka dashur të humbasë më as terren dhe as kohë, por me Teutën ka zhvilluar ndeshjen e duhur për ta nxjerrë fituese. Në “skanerin” e këtij takimi, por edhe në ndeshjen kundër dinamovitëve, ka rënë në sy që loja e fierakëve në pjesën e dytë është rritur ndjeshëm dhe ky është tregues pozitiv i ekipit fierak, pasi rezultati i një ndeshjeje vjen përmes kurbës në rritje të lojës.
Pavarësisht asaj që pretendojnë durrsakët, fitorja e Apolonisë ka qenë e qartë dhe e merituar, fierakët kanë prodhuar lojë me sens kërkues dhe kanë organizuar aksione të herëpashershme sulmuese në portën e Vashakut, duke e rritur rrezikshmërinë e tyre, deri në konkludim. Golat e Brkiçit dhe Kaçit kanë qenë finalizim i një loje të rrjedhshme dhe pragmatiste të bardhejeshilëve. Kur arrihet në Durrës një rezultat i tillë dhe kur je e vetmja skuadër që e ke bërë deri tani, natyrisht fitorja quhet e bukur dhe me nuanca kampionësh. Nuk kishte se si të krijohej atmosferë më e përshtatshme përpara ndeshjes me Vllazninë.
Por ai që kërkon të mos merret shumë me një ndeshje që i përket vetëm javës së dymbëdhjetë, është trajneri Hasan Lika, i cili kërkon që ekipi të ketë përqendrim tashmë te ndeshjet e radhës, pasi kampionati është ende i gjatë dhe ka shumë vështirësi. Menjëherë skuadra ka filluar të përgatitet për Vllazninë, një kundërshtare që absolutisht nuk duhet vlerësuar nga vendi që aktualisht mban në tabelë, por nga tradita dhe nga emri që ka skuadra shkodrane, e cila gjithmonë ka qenë një kundërshtare mjaft e vështirë për fierakët, si në ndeshjet në Shkodër, ashtu dhe në Fier.
Megjithatë, jo vetëm për shkak të performimit më të mirë që po bëjnë bardhejeshilët në këtë sezon, fierakët ndihen më të gatshëm se kurrë dhe më se optimistë për ta fituar këtë ndeshje, pasi ata kanë gjetur “çelësin” që do t’i drejtojë drejt fitores së parë ndaj shkodranëve në dy kampionatet e fundit. Eshtë Hasan Lika, tekniku i Apolonisë, që do të dijë edhe ndaj kuqebluve të jetë “timonieri” i një ekipi fitues.
Sokol Çela, “zbulimi” i Likës
Në dy ndeshjet e fundit, si ndaj Dinamos, ashtu dhe kundër durrsakëve, në formacionin bazë të Apolonisë është përzgjedhur edhe futbollisti Sokol Çela. Me pezullimin e mbrojtësit Elton Grami, Çela ka luajtur në krahun e majtë të prapavijës fierake dhe ka fituar gjithnjë e më shumë siguri nga ndeshja në ndeshje. Mund të thuhet pa frikë se Çela është “zbulimi” i trajnerit Hasan Lika. “Apolonia është rikthyer te lojërat e saj të mira dhe kjo nuk është dukur vetëm në fitoren me Teutën, por edhe me Dinamon.
Në sajë të përvojës së tij, trajneri Lika ka bërë punën e duhur në këtë drejtim, pa harruar dhe rikuperimin e disa futbollistëve që ne i kishim të dëmtuar. Ka qenë një fitore që e kemi merituar në çdo drejtim, pavarësisht se kishim përballë një kundërshtar që është vërtet për t’u respektuar. Na duhej një sukses i tillë, pasi kjo fitore i ka shërbyer moralit tonë dhe është një motiv më tepër për ndeshjen me Vllazninë,” ‑ është shprehur mes të tjerash futbollisti i Apolonisë, Sokol Çela.
Presidenti Kokëdhima nxit me premio ekipin
Në momentin ku është futur kampionati, nisur dhe nga ecuria e mirë që po tregon skuadra fierake, presidenca e klubit ka dëshmuar edhe një herë se është e gatshme për të kontribuar në maksimum për kurorëzimin me sukses të këtij kampionati.
Kështu, për çdo pikë të marrë, skuadra fierake do të përfitojë një premio prej 150 mijë lekësh, thënë ndryshe, në rast fitoreje, premioja kap shumën prej 450 mijë lekësh. Veç kësaj, duhet theksuar se, në rast të përmbushjes së objektivave për të zënë një vend në zonën europiane, bardhejeshilët do të përfitojnë një tjetër premio ekstra. Çdo gjë është bërë e ditur gjatë një takimi që Presidenti i Nderit, Koço Kokëdhima, ka pasur me asamblenë e klubit fierak.
Në Fier e shohin Karishikun pasues të Luçit
Nuk ka asgjë zyrtare, por në mjediset sportive të Fierit është folur shumë për ish-trajnerin e Apolonisë, Esad Karishik. Fjalët kanë shkuar deri aty, sa e shohin trajner boshnjak si pasardhësin e trajnerit Luçi, gjithmonë nëse ky i fundit do të jepte dorëheqjen. Ndoshta kjo është vetëm një dëshirë e këtyre njerëzve, të cilët kanë pasur besim te trajneri Karishik, madje e kanë falënderuar për çka bëri në krye të skuadrës fierake.
5 shkrimet e fundit nga Bujar Rama