21 dhjetor 2009

“Vetëm balta peqinase mund ta ndalte Dinamon”

Sipas lojtarëve dinamovitë, terreni i fushës së Peqinit ishte jashtë çdo standardi

Dinamo ka pësuar humbjen e parë në kampionat pikërisht në javën e 16-të në sfidën e Peqinit, përballë Shkumbinit vendës. Për hir të së vërtetës, terreni i fushës spotive të Peqinit ka lënë shumë për të dëshiruar në impaktin vizual, por në të njëjtën linjë janë edhe futbollistët e Dinamos, protagonistë në fushën e lojës. Sulmuesi Elis Bakaj ka kërkuar zëvendësim në minutën e 40-të dhe për “Sportin shqiptar”, nr.19 i bluve shpjegon arsyet.

Në krahun tjetër, futbollisti i kombëtares dhe aktualisht kryegolashënuesi i kampionatit të 71-të kombëtar me 10 gola, komenton sfidën e Peqinit. “E kam kërkuar vetë zëvendësimin me bindje të plotë, sepse në atë terren vetëm për futboll s’mund të flisje. Normalisht, të gjithë mund të mendojnë se po justifikojmë humbjen, por ne e pranojmë atë në aspektin e sedrës sportive. Kundërshtimi ynë u takon kushteve, në të cilat është luajtur ajo përballje. Jo që nuk bëhej fjalë për të kontrolluar topin, por në atë fushë ishte e vështirë edhe të ecje, jo më të bëjë finte apo pasime me topin. Jua them me pastërti se ka pasur momente që këmba më zhytej deri në kavilje në baltë.

Me humor u kam thënë shokëve të ekipit se, nëse do të qëndroja në fushë pjesën e dytë, do të më dukej vetëm dora në ajër, me të cilën mund të kërkoja pasim nga shokët e skuadrës. Vetëm nëse do të kisha një lopatë në dorë për të hapur fushën, mund të krijoja një aksion për të shënuar. Ose ta kthenim lojën në një sfidë regbie, ku Sefa apo shokët e tjerë të skuadrës të hapnin rrugën dhe unë të kaloja me topin ndër duar, për të arritur në portën kundërshtare. Ajo ndeshje, për mendimin tim, s’duhej zhvilluar fare në atë terren, ku topi jo vetëm nuk kërcente kur hidhej në tokë, por në të kundërt, zhytej më keq në baltë.

E vetmja mënyrë për të ndalur Dinamon ishte vetëm balta peqinase. Por vlerat reale të dy skuadrave do t’i shohim në përballjet e radhës në terrene ku mund të luhet futboll dhe jo regbi. Normalisht ka pasur edhe presione nga lojtarët e Shkumbinit, por këto gjëra s’na bëjnë shumë përshtypje, pasi jemi mësuar,”- deklaron për “Sportin shqiptar” futbollisti i Dinamos, Elis Bakaj. Ndërkohë, edhe mesfushori Bekim Kuli, i ndëshkuar me karton të kuq në këtë sfidë, komenton tepër i mërzitur: “Ajo ndeshje nuk duhej zhvilluar, pasi në atë lloj terreni vetëm futboll s’mund të luhej.

Arbitrat në radhë të parë nuk zhvilluan as nxemjen normale përpara kësaj ndeshjeje, por vetëm një vrapim rreth fushës disa sekonda përpara startit. Për sa i takon kartonit të kuq, jam goditur me bërryl nga Çapja në momentin e parë pa top, ndaj dhe jam irrituar, por duhet të pranoj se më pas unë e godita me shkelm kundërshtarin dhe e meritoja kartonin e kuq, por Janku më ndëshkoi mua dhe fali kundërshtarin. Shkumbini e fitoi atë sfidë, por nëse do të përdorja një shprehje të urtë popullore, do të thoja se “daci vetëm një herë mund të bjerë në kos”.

Diferencat midis nesh do të shikohen në ndeshje të tjera, në kushte ku mund të luhet futboll i vërtetë dhe jo luftë baltë. Kam rezervat e mia dhe për gjyqtarin, pasi edhe penalltia ndaj nesh ishte e dyshimtë. Gjithsesi, tani duhet të shikojmë vetëm përpara,”- citon ndër të tjera nr.10 i bluve, Bekim Kuli, i cili do të mungojë në sfidën e mesjavës me Laçin në “Qemal Stafa”.


Blutë, sot përgatitjet për Laçin

Skuadra dinamovite do të nisë sot, në orën 13:00, përgatitjet për ndeshjen e mesjavës ndaj Laçit, e vlefshme për javën e 17-të të kategorisë superiore. Në kampin dinamovit, për ndeshjen e radhës do të mungojë Bekim Kuli, pas kartonit të kuq të marrë në Peqin, por edhe serbi Marko Putinçanin, i cili është pezulluar pesë ndeshje pas goditjes me kokë ndaj Dimos së Bylisit në sfidën e kupës. Aktualisht, nr.21 i bluve ndodhet në Serbi, pranë familjes së tij, dhe do të bashkohet me ekipin gjatë fazës përgatitore në janar.