21 dhjetor 2009

Anulohet Skënderbeu‑Besa, acarohen korçarët

Trajneri Gerti Haxhiu nuk ka qenë dakord që ndeshja të anulohet. Gjyqtari Jemini ikën para kohe

Eshtë anuluar për shkak të dëborës ndeshja e djeshme në Korçë mes Skënderbeut dhe Besës. Në fakt, korçarët nuk kanë qenë dakord që kjo ndeshje të mos luhej, por nuk ishte në dorën e tyre dhe gjithçka tashmë është lënë në dorë të FSHF‑së, për të lënë një datë tjetër për zhvillimin e këtij takimi. Historia e anulimit të këtij takimi ka qenë paksa i çuditshëm, pasi është vendosur një orë para orarit zyrtar të fillimit.

Në këtë mënyrë, në orën 12:00, një orë para ka dalë në fushën e stadiumit “Skënderbeu” të mbuluar deri diku nga bora gjyqtari Jemini, madje i veshur civil ka provuar topin në disa pjesë të fushës dhe më pas vendosi të thërriste në dhomë edhe vëzhguesin Fatmir Tare, të dërguarin e federatës, Millan Baçin, dhe dy drejtuesit e klubeve respektive. Korçarët nga ana e tyre kanë dashur që ndeshja të luhej, por kanë qenë të tjerët që kanë vendosur që takimi të anulohej dhe, pasi është vendosur kjo, në orën 12:10, autobusi i Besës është larguar drejt Kavajës.

Po në këtë orë janë larguar edhe gjyqtarët me kryesorin Jemini. Kaq ka mjaftuar që në Korçë të plasë zemërimi, pasi nuk kishte shkuar ende ora 13:00, orë e cila duhet të fillonte edhe takimi. Gjyqtari Jemini nuk ka denjuar as të zhvishej, ndoshta sa për të respektuar Korçën, nuk ka mbushur as protokollin, apo diku më tej, nuk ka rreshtuar as thjesht sa për formalitet të dyja skuadrat në fushën e lojës. Të gjithë këto janë të shkruara në rregulloren e FSHF‑së, por në Korçë dje nuk janë zbatuar.

Pas këtij momenti, kur ora shënonte 12:15 minuta në stadiumin “Skënderbeu”, sportdashësit po zbarkonin për të parë ndeshjen, por dyert ishin të hapura dhe thjesht punëtorët e stadiumit lajmëronin sportdashësit që ndeshja nuk do të luhej. Të gjithë kanë mbetur të habitur, ndoshta edhe për atë sepse gjyqtari Jemini ka shkelur rregulloren dhe e gjithë kjo i ka acaruar korçarët, të cilët jo se nuk kanë faj, pasi nuk kishin punuar për të pastruar dëborën, por kanë mësuar thjesht nga njerëz të ndryshëm se ndeshja është anuluar.

Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në Korçë, madje edhe kur ka rënë shumë dëborë dhe fusha nuk të lejonte të luhej, të dy ekipet janë rreshtuar në fushë dhe më pas janë larguar dhe kjo nuk është zbatuar dje nga gjyqtari i takimit. Të gjitha këto janë pak a shumë e vërteta e ditës së djeshme për vendimin që është marrë për moszhvillimin e ndeshjes Skënderbeu‑Besa, ndeshje e cila ka lënë të habitur të gjithë për mënyrën se si u veprua.

Korçarët: Dikush e donte anulimin

Në qytetin juglindor mendojnë se dikush ka ndërhyrë në mes për të marrë këtë vendim. Trajneri Gerti Haxhiu, në fakt, dje pasi ka mësuar këtë lajm, nuk ka qenë aspak dakord dhe për këtë do të deklaronte: “Nuk e di as vetë se përse ndeshja është anuluar. Unë di dhe kam parë që në Korçë gjithmonë janë luajtur ndeshje me dëborë dhe më vjen keq që sot (dje) ka ndodhur diçka e habitshme, pasi askush nuk ka respektuar regulloren. Të them të drejtën, jo se dua të mbroj Skënderbeun, por po flas realisht.

Kam qysh në orën 10:00 të paradites së sotme (të djeshme) që kam ardhur në stadium dhe nuk e di se përse punëtorët nuk kanë punuar për të pastruar dëborën, por nga ana tjetër dikush nga klubi duhet të ishte interesuar që loja të zhvillohej në kushte optimale dhe jo të anulohej.

Nga ana tjetër, gjyqtarët nuk kanë respektuar rregulloren dhe për këtë më vjen keq, pasi janë larguar një orë para nga stadium. Në këtë mes ka diçka dhe e them pa frikën më të vogël, se dikush vërtet ka punuar në favor të Besës. Në Korçë kjo ndeshje duhej të luhej dhe tani jam shumë i mërzitur.” Pas këtyre fjalëve, trajneri Haxhiu ka marrë skuadrën dhe në orën që duhej të luhej ndeshja, është nisur drejt Polenës, atje ku ka zhvilluar normalisht stërvitjen.

Zv/presidenti Mindili, i habitur me vendimin

Zv/presidenti i korçarëve, Zoi Mindili, dje, në orën 12:30, ka mbërritur në stadiumin “Skënderbeu” dhe ka mbetur më shumë se i habitur, teksa ka deklaruar: “Ku është Besa, ku janë gjyqtarët?” Asnjë njoftim nuk është bërë për drejtuesit e klubit korçar, ndërkohë që më pas ai ka mësuar se ndeshja nuk është luajtur për shkak të dëborës. “Prej shumë vitesh në Korçë ka rënë dëborë dhe sot (dje) vetëm terreni ka dëborë, ndërkohë koha është e mirë.

Po në stadiumet e tjera me ato kushte mizerabël pse është luajtur futboll dhe këtu te ne jo? Nuk di si ta quaj atë që ka ndodhur, pasi nuk jam në dijeni dhe në këtë orë që jam në stadium gjyqtarët dhe skuadra e Besës duhet të ishin akoma, pasi duhet të prisnin deri sa të vinte ora e ndeshjes dhe jo të largoheshin më parë, ashtu siç kanë vepruar,” - ka thënë Mindili.