21 dhjetor 2009

Flamurtari merr “frymë” para merkatos së dimrit

Trajneri Magani kërkon rezultat pozitiv edhe në Shkodër, pavarësisht vështirësisë

Flamurtari rikthehet te fitorja e munguar, teksa mund Gramozin, duke marrë tri pikë, të cilat duket se tashmë do t’i vlejnë ekipit vlonjat për të gjetur qetësinë e munguar pas një periudhe negative. Edhe pse në renditje situata nuk është nga më të mirat për ekipin vlonjat, pritet që pas kësaj fitoreje vlonjatët të gjejnë ndoshta serinë e munguar të rezultateve pozitive tashmë që në prag është ndeshja me Vllazninë, e fundit për këtë vit.

Flamurtari, pas fitores me Gramozin, kërkon që këtë vit ta mbyllë me rezultat pozitiv, në pritje natyrisht edhe të merkatos së dimrit. Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, e ka quajtur fitoren me Gramozin mjaft të rëndësishme, edhe pse, sipas tij, duhet ende punë për të dalë nga kjo situatë. “Mendoj se në ndryshim nga takimet e tjera, veç lojës, në ndeshjen me Gramozin kemi marrë edhe rezultat.

Dua të kujtoj se në takimet me Skënderbeun, Teutës, pse jo edhe ndaj Dinamos, kemi luajtur mirë, por na ka munguar rezultati. Janë tri ndeshje, ku, sipas meje, kundërshtari ka qenë me fat, megjithatë tashmë nuk dua t’i kthehem së shkuarës, pasi kemi arritur një fitore mjaft të rëndësishme, e cila do të na vleje për moralin e ekipit. Në prag është ndeshja tjetër dhe tashmë na duhet të mendojmë pikërisht për Vllazninë, një kundërshtar, që ashtu si edhe ne, nuk gjendet në pozita të mira. Por Flamurtari dhe Vllaznia janë dy vlera për futbollin shqiptar dhe jam i bindur që do të dhurojnë një ndeshje me rivalitet.

Kemi ende disa lojtarë të dëmtuar dhe natyrisht më kënaq prania e Shehajt, i cili është një lojtar që e njeh portën, por ende nuk është në kondicionin e tij më të mirë. Gjithsesi, tashmë më duhet që së bashku me ekipin të mendojmë për ndeshjen e radhës, ndërsa dua të ndalem edhe te një fakt. Në merkaton e janarit do të hyjmë fuqishëm, por natyrisht që do të ketë edhe largime lojtarësh,” ‑ ka përfunduar trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, duke hedhur vështrimin te ndeshja e radhës, por mbi të gjitha te merkatoja e janarit.

Magani: Stoli im nuk është i lëkundur

Mendohej se ishte në rrezik stoli i Flamurtarit nëse ekipi vlonjat nuk do të arrinte të merrte fitoren ndaj Gramozit. Por krejt të kundërtën ka pohuar trajneri Gugash Magani, i cili ka thënë: “Edhe po të ishim mundur ndaj Gramozit, gjë që as më shkonte ndërmend, vendi im nuk ishte lëkundur.

Kam marrë konfirmimin nga presidenti Gjika për të vazhduar në punën time dhe nuk e shoh të rrezikuar veten. Nuk më interesojnë se çfarë mendojnë të tjerët, jam i përqendruar në punën time dhe do të vazhdoj ta bëj atë në mënyrën më të mirë të mundshme për t’u ngjitur sa më shpoejt në renditje. E riktheksoj, në janar do të hyjmë fuqishëm në merkato, por natyrisht do të ketë edhe largime. Në momentin e duhur do të bëhet gjithçka publike.”