15 dhjetor 2009

Toti premton një Romë për Champions

Kapiteni verdhekuq beson se skuadra e tij mund të arrijë vendin e katërt: Kjo Romë më pëlqen gjithnjë e më shumë
Pas barazimit të arritur në transfertë me Sampdorian Françesko Toti ka analizuar rilindjen e romanistëve. “Jemi një skuadër Championsi dhe objektivi ynë vazhdon të jetë vendi i katërt. Mund t’ia dalim mbanë, duhet patjetër të besojmë. Mua kjo Romë më pëlqen gjithnjë dhe më shumë”. Në merkaton e ardhshme të janarit mund të vijë një sulmues. “Do të jetë i mirëpritur, - ka thënë numri dhjetë, - me kusht që të jetë i fortë.
E dini mirë se si e mendoj unë, sa më shumë kampionë të jenë aq më mirë është. Por duhet të bëjmë kujdes ndaj Okakas, në të ardhmen mund të jetë një Drogba i ri. Ndërsa, në portë kemi dy lojtarë të fortë, Hulio Serxhion dhe nuk duhet të harrojmë Donin, që ka treguar se është shumë i lidhur me Romën duke luajtur edhe në gjendje jo shumë të mirë fizike”.
Pas ardhjes së Ranierit, me vështirësi, Roma është ringritur, duke shkuar tre pikë larg Parmës, e katërta në renditje dhe kundërshtarja e ardhshme në kampionat. “Trajneri na ka karikuar, - ka vazhduar Toti. - Për një skuadër teknike si kjo e jona, karakteri përfaqëson gjënë më të rëndësishme, teksa ishte pikërisht kjo që na mungonte. Tani kemi më shumë personalitet dhe vetëdije për forcën tonë”. Më pas një ëndërr. “Të fitojmë kampionatin në vitet e ardhshme?
Për të synuar këtë objektiv duhen 3-4 lojtarë të tjerë, një për çdo repart”. Kapiteni verdhekuq nuk do të luajë nesër kundër CSKA-së së Sofies, në Bullgari, në takimin e fundit të Ligës së Europës, ku Roma do të kërkojë të ruajë vendin e parë në grup. Skuadra e Ranierit e ka siguruar kualifikimin, ndaj më mirë që kapiteni do të bëjë pak pushim. Do të mungojë edhe Vuçiniç, që ka patur disa probleme fizike pas ndeshjes të së dielës, kështu që do të ketë hapësirë për Okakan dhe Baptistën, që nuk kanë luajtur shumë në javët e fundit. Do të rikthehen Pizarro dhe Menez, të skualifikuar në ndeshjen kundër Sampit, ndërsa do të vazhdojë të mungojë Mekses, i dëmtuar në gju, që do të rikthehet në 2010-ën.