15 dhjetor 2009

Ferrara nuk bind më, gati Gasperini

Drejtuesit bardhezinj kanë filluar të mendojnë për pasardhësin e trajnerit aktual

Menjëherë, në rastin e një humbjeje me Katanian, ose në fundin e sezonit, vetëm nëse nuk arrihen rezultate që për momentin janë të pamendueshme. Juventusi është gati për të bërë revolucionin e radhës në stol dhe po vlerëson zgjidhjet e mundshme. Favorit për një zgjidhje të përkohshme është Hidink, por qëllimi i klubit duket se është të presë fundin e sezonit, që më pas të zëvendësojë Ferrarën. Në këtë rast njeriu i duhur duket se është Xhian Piero Gasperini. Në drejtim të Xhenoas që nga korriku 2006, Gasperini ka arritur atë pjekuri që Çiro Ferrarës i mungon, teksa ka përfunduar kohët e fundit në shënjestrën e trajnerit kuqeblu pikërisht për shkak të mungesës së eksperiencës.

Gasperini, nuk duhet harruar, ndër të tjera, ka bagazhin e duhur për të marrë drejtimin e bardhezinjve, po të kihet parasysh se ka qenë një lojtar i Juventusit dhe se ka drejtuar ekipin e të rinjve të kësaj skuadre për plot 9 vite. I aftë t’i japë një identitet të qartë skuadrave të tij, 41-vjeçari, ka edhe një tjetër cilësi, ai nuk pretendon një shumë të madhe parash po t’i jepet kjo mundësi e artë që mund t’i ofrohet nga drejtuesit juventinë.

Krejt e kundërt situata që ka të bëjë me Gus Hidinkun, i cili vitin e kaluar ka zënë vendin e Skolarit tek Çelsi në gjysmën e kampionatit. Për pesë muaj, në fakt, “magjistari” ka përfituar nga Abramoviç një kontratë prej 7 milionë eurosh, shumë kjo që në shtëpinë e Juventusit, natyrisht, nuk mund të shpenzohet. Për momentin është shumë e vështirë edhe rruga që të çon tek Roberto Mançini, emri i të cilit pëlqehet nga drejtuesit bardhezinj, por që edhe në këtë rast janë të frenuar nga rroga e lartë e ish-trajnerit zikaltër. Ky i fundit e ka prishur kontratën me Moratin dhe është shprehur gati dhe entuziazt për të drejtuar “Zonjën” nëse kjo e fundit do t’i afronte stolin.