15 dhjetor 2009

Lajme nga Kategoria Superiore e Shqiperise

Magani rimerr “bekimin” nga presidenca vlonjate

Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, do të vazhdojë të jetë në stolin kuqezi
Ka kërkuar “bekimin” e drejtuesve të Flamurtarit menjëherë pas përfundimit të ndeshjes me Skënderbeut dhe si duket e ka marrë. Burime pranë presidencës vlonjate konfirmojnë qëndrimin e trajnerit Gugash Magani në krye të ekipit vlonjat, të paktën edhe dy ndeshjet e mbetura të këtij viti. Pas barazimit të fundit, Flamurtari mbeti sërish në fund të renditjes, ku në fakt ishte deklaruar që as barazimi nuk lejohej, aq më tepër përballë një rivali direkt për mbijetesë.
Por ja që ekipi zhgënjeu dhe menjëherë Magani mori disa përgjegjësi, duke deklaruar: “Nëse jam unë e keqja e ekipit, largohem që tani, por ka 4-5 lojtarë që nuk e meritojnë të veshin fanellën e rëndë të këtij ekipi.” Trajneri Magani ka kërkuar takim me drejtuesit më të lartë të Flamurtarit, por, si duket, presidenca është mjaftuar vetëm me një komunikim nga larg, teksa e konfirmon Maganin në stolin kuqezi. Nuk i mbetet gjë tjetër trajnerit nga Peqini, veçse të vazhdojë punën për dy ndeshjet e fundit të këtij viti, atë me Teutën në transfertë dhe me Gramozin në Vlorë. Ndoshta pas këtyre ndeshjeve do të ketë një analizë më të thellë dhe do të sqarohen shumë gjëra.

Besa, shansi i fundit i titullit u konsumua në Laç

Në Laç ishte e vështirë të bëje dallimin kush ishte Besa e kush Laçi në nivelin e lojës
Nuk përbën më surprizë Besa me barazimet, apo akoma më keq, me humbjet, kur luan me ekipet që mbyllin tabelën. Gramozi, Kastrioti e së fundi Laçi janë ekipet me të cilat, përkundër fitoreve të pritura, kanë ardhur zhgënjimet. I fundit është ai në Laç, por ndryshe nga të tjerët, erdhi pas dy fitoreve, ndaj Vllaznisë e Shkumbinit, që bënë të besojnë të gjithë se tashmë Besa iu rikthye kursi të saj të fillimsezonit.
Duket se të gjithë gabuan e Laçi risolli atë Besë po me atë sëmundje, mungesën e një manovre të qartë sulmuese. Në fakt, qendërsulmuesi Daniel Xhafaj, pavarësisht kritikave për të, tashmë jemi të bindur se ndoshta është më pak fajtor. I vetëm në majën e sulmit pothuaj në shumicën e rasteve i pambështetur nga shokët, Xhafajt i duhet të zgjidhë gjithçka vetë.
Besa që pamë ndaj Laçit nuk bënte ndonjë dallim të madh nga vendësit. Loja e saj ishte një lojë pa mendim e ide, ku “zemra” e ekipit, siç thuhet, mesfusha, nuk ishte në gjendje të dilte fituese mbi të rinjtë laçianë. Emra të tillë, si Mancaku, Poçi, Dhëmbi, Mihani nuk bënë dot diferencën me futbollistët laçianë, ku Veliaj, Kaja e ndonjë tjetër ditën të bënin detyrën e tyre.
Laçi dihet se me një barazim do të ishte i kënaqur, po Besa çfarë bëri për ta fituar takimin? Asgjë. E të mendosh se fusha ishte ideale, se ambienti në tërësi ishte “fair‑play”, atëherë mungojnë justifikimet për këtë paraqitje. Përballë saj Besa me plot emra e investime pati futbollistë të rinj laçianë e për më tepër mungoi goleadori i tyre më i mirë, Arlind Nora. Një Besë e superinvestuar përballë një Laçi, që mbijetesën e ka objektiv madhor të tij.
Me këtë barazim të arritur, tashmë Besa i tha “lamtumirë” titullit dhe duhet të ngushëllohet me vendin e dytë, edhe atë nëse do të dijë ta mbajë. Kupa e Shqipërisë mbetet tjetër ngushëllim. Së fundi, përpara se Bizhdili të mendojë për merkaton, duhet të fusë në punë e moto kontigjentin aktual. Mund të kesh tituj, emër, por ato nuk vlejnë kur nuk mund dot as Laçin. Nuk duam të ulim vlerat e Laçit, por s’mund të pranojmë symbyllur realitetin, kur laçianët luajnë me futbollistë, disa prej të cilëve për herë të parë e prekin superligën.

Shifrat “shkurorëzojnë” Tiranën kampione

Në këto 14 javë bardheblutë kanë zhgënjyer jo vetëm me lojërat, por edhe rezultatet
Barazimi i arritur fundjavën e kaluar me Gramozin debutues në superiore, natyrisht që ka qenë i pabesueshëm për mbarë opinionin bardheblu. Në fillim të ndeshjes u duk se Tirana do ta kishte thjesht një formalitet ekipin kolonjar, por fundi i përballjes tregoi krejt të kundërtën. Tirana e këtij sezoni është veçse një fotokopje e shëmtuar e skuadrës së një viti më parë dhe këtë e tregon më së miri edhe ecuria e tyre në këto 14 javë kampionat të zhvilluara deri më tani. U duk se edhe këtë sezon bardheblutë do të ishin ashtu si një vit më parë, të fortë dhe të denjë për të synuar të dy trofetë. Por fillimi i kampionatit tregoi një Tiranë ndryshe.
Themi kështu pasi qysh në javën e parë ata humbën në “Qemal Stafa” përballë Flamurtarit. Kjo disfatë në “shtëpi” u quajt incident, por stafi që ishte në atë kohë u justifikua edhe me mosnjohjen e lojtarëve me njëri-tjetrin, duke pasur parasysh se disa futbollistë kishin ardhur vetëm në momentet e fundit të merkatos, por edhe me mungesën e disa lojtarëve kryesorë të dëmtuar.
Pas Flamurtarit vjen një fitore në “shtëpi” me Skënderbeun e arritur “in extremis” me një penallti të realizuar nga portieri Nallbani, ndërkohë që në ndeshjen e radhës, në transfertë me Gramozin, Tirana do të realizonte fitoren e parë jashtë, edhe pse me rezultat të ngushtë 1-0. Por kjo ngritje ishte thjesht momentale, pasi në katër javët pasardhëse arrijnë të marrin vetëm dy pikë dhe barazimi me Kastriotin në “Qemal Stafa” solli edhe dorëheqjen e parevokueshme të ish-trajnerit kroat, Ilija Lonçareviç.
Ky i fundit duket se e ndjeu të ardhmen e zymtë të Tiranës. Pas tij, në krye të ekipit vijnë Alban Tafaj dhe Nevil Dede. Stafi ri, duke pasur në dispozicion edhe shërbimet e Mukës dhe Muzakës, të rikthyer nga dëmtimet, e nisën me këmbën e mbarë, kur mundën fillmisht Teutën, arritën që të fitojnë në Shkodër dhe më pas mposhtën Shkumbinin në kryeqytet. Tri pikë në nëntë ndeshje dhe u duk sikur kampionët në fuqi po merrnin shenja jete dhe të gjithë filluan të besonin te kjo skuadër, por optimizmi i tyre do të shuhej në Laç, ku humbasin dhe duket se lajnë përfundimisht duart me titullin. Më pas vjen fitorja në transfertë me Flamurtarin.
Por kriza u shfaq hapur te barazimi me Skënderbeun në Korçë dhe ai me Gramozin në “Selman Stërmasi”, ku u dukën qartë këllqet e 24 herë kampionëve. Edhe shifrat e shkurorëzojnë këtë Tiranë që në 14 javë ka arritur që të grumbullojë 22 pikë dhe renditet në vendin e tretë, ndërkohë që një vit më parë nën drejtimin e Slishkoviçit bardheblutë grumbulluan 24 pikë, duke mos harruar që ka qenë momenti më i vështirë i Tiranës. Pavarësisht se diferenca mes dy sezonve është vetëm 2 pikë, distanca me Vllazninë një vit më parë nuk ka qenë kaq e madhe sa e këtij sezoni, kur Dinamo që kryeson ka plot 16 pikë më tepër se bardheblutë.

Nisin përgatitjet anti-Besa

Dje, Tirana ka startuar përgatitjet për sfidën e radhës, që do të luajë me ekipin e Besës ditën e enjte në Kavajë. Bardheblutë kanë zhvilluar një seancë kalçeto, ndërkohë që grupi i drejtuar nga Alban Tafaj dhe Nevil Dede ka qenë i plotë në seancën e djeshme.

Bardheblutë, dy herë në javë para mediave

Duket se stafi nuk do t’i lejojë më lojtarët që të flasin para mediave pa lejen e tyre dhe çdo ditë. Kështu, trajneri Alban Tafaj, nga sa bëhet e ditur, dje u ka komunikuar lojtarëve që të flasin për mediat vetëm dy herë në javë, të martë dhe të premte.

Timpanaro, një “Bakaj” argjentinas për Dinamon

Sulmuesi i Velezit, Maksimiliano Timpanaro, do të bashkohet me blutë më 2 janar
Duket se dinamovitët nuk do të qëndrojnë “duarkryq” në merkaton e dimrit. Edhe pse skuadra po tregohet në të gjithë komponentët tepër e fortë dhe ka një distancë prej 12 pikësh nga vendi i dytë, blutë e kanë gati përforcimin e radhës. Bëhet fjalë për një lojtar tepër kualitativ dhe të talentuar. Maksimiliano Timpanaro është sulmuesi i Club Atletico Velez Sarsfield. Futbollisti në fjalë luan sulmues dhe ka të dhëna shumë të mira teknike, por edhe fizike.
Nga të dhënat e para, duket se Timpanaro mund të jetë një “Bakaj” në versionin argjentinas. Ai mund të luajë edhe pas 2 sulmuesve në pozicionin e fantazistit, por edhe në vijën e parë sulmuese. Sulmuesi aktualisht është pjesë e ekipit të Velezit, ekip që pas 19 javëve të luajtura në kampionatin argjentinas, renditet në vendin e 5-të, në kuotën e 34 pikëve, kundrejt 41 që ka vendi i parë.
Timapanaro është vetëm 21 vjeç (26/03/1988, 1.71 cm dhe 66 kg) dhe ka debutuar 3 vite më parë në Argjentinë, më 18/11/2006, në sfidën Velez-Codoy Cruz 2-0. Gjatë sezonit 2008-2009 ai ka luajtur 3 ndeshje me ekipin e Velezit dhe më pas është huazuar te Chacarita Juniors, për t’u kthyer sërish te Velez në fillim të këtij sezoni. Por mosha e re dhe konkurrenca e madhe në skuadrën tepër prestigjioze si Velez, tashmë e kanë detyruar lojtarin në fjalë të provojë një sfidë të re, mbase për t’u maturuar më shumë si futbollist.
Do të jetë Dinamo e Tiranës sfida e re e sulmuesit 21-vjeçar, i cili gjithnjë është mbajtur si një nga talentet më të mëdha të skuadrës së Velezit dhe futbollit argjentinas. Pavarësisht hapësirave të pakta, fama e futbollistit të ri, që do t’i bashkohet Dinamos gjatë merkatos së dimrit, është tepër e madhe dhe e njohur.
Presidenca dinamovite ka mbyllur të gjitha procedurat me menaxherin e lojtarit, i njëjti menaxher që ka sugjeruar edhe Sozën & CO në radhët e bluve. Me ardhjen e Timpanaros te Dinamo, sulmi blu do të ngjeshet shumë në hapësira dhe, si pasojë, konkurrenca do të shtohet, por në krahun tjetër rrezikshmëria për mbrojtjet dhe portat kundërshtare të kategorisë superiore do të rritet ndjeshëm, pasi që tani blutë kanë një mesatare golash të konsiderueshme.
Por një largim i mundshëm i Bakajt, në një nga kampionatet europiane, do t’i jepte rëndësinë e duhur afrimit të Timpanaros, edhe pse vlerat e vërteta të lojtarit në fjalë duhen parë në fushën e blertë. Një tjetër problem me ardhjen e tij do të jetë dhe numri i lojtarëve të huaj në 11-shen e Dinamos.
Kujtojmë që lejohen vetëm 5 të tillë për t’u aktivizuar në një skuadër shqiptare dhe blutë e kanë përmbushur këtë numër deri tani (Del Monte, Malakarne, Putinçanin, Soza, Diop). Por deri tani kjo histori është si shprehja e urtë popullore “peshku në det dhe tigani në zjarr”, ndaj dhe duhet të presim edhe për pak kohë për të parë se si do të rrjedhin ngjarjet plot enigma në radhët e dinamovitëve. Por e përsëritim që të dhënat e para të sulmuesit Timpanaro janë vërtet të frikshme…
Soza: “E njoh Timpanaron, sepse kam luajtur kundër tij në Argjentinë. Është i shpejtë, teknik, shumë i mirë, madje në çdo ndeshje mbaj mend që shënonte gola. Është i papërmbajtshëm. Nëse vjen në radhët e Dinamos, Soza ulet në stol (qesh në këto momente).”
Del Monte: “Timpanaro është një futbollist tepër i shpejtë dhe teknik, por në të njëjtën kohë, ai mund të gjejë shumë mirë edhe rrugën e rrjetës. E kanë mbajtur si një nga talentet më të mira te skuadrat e grup-moshave. Ai mund të luajë edhe si fantazist, por edhe sulmes në vijën e parë.”
Malakarne: “Është i vështirë për t’u markuar dhe është më mirë ta kesh shok skuadre sesa kundër. Për mendimin tim, sulmuesi i Velezit është në një nivel më të lartë se ne futbollistët argjentinas që kemi mbërritur këtu në Tiranë. Do të na japë një ndihmë shumë të madhe për ecurinë e kampionatit.”

Allmuça: Kritikat na mbajnë të karikuar

Igli Allmuça është nga nga mesfushorët më të spikatur të skuadrës së Dinamos. Futbollisti me nr.14 për të tretin sezon radhazi debuton me sukses në radhët e bluve kryeqytetas dhe është një nga pikat “kyçe” të mesfushës. Ndaj Teutës, Allmuça, është zëvendësuar pas një problemi muskulor dhe si pasojë nuk është stërvitur ditën e djeshme me skuadrën, e cila është trajnuar në fushat e minifutbollit.
Veç Allmuçës, i cili është në dyshim për sfidën e radhës ndaj Vllaznisë, Gentian Muça, është stërvitur veçmas grupit, pas një provimi që kishte në shkollën e tij. Në një prononcim për “Sportin shqiptar”, ish-lojtari i Partizanit dhe i Tiranës, Igli Allmuça, shprehet se kritikat e shumta të rivalëve janë pozitive për skuadrën e Dinamos: “Duket se sa më shumë na kontestojnë rivalët, aq më shumë pikë grumbullojmë ne në krahun tjetër.
Bëjnë mirë që na ngacmojnë përpara çdo sfide, sepse na motivojnë ndeshje pas ndeshjeje. Ata na bëjnë presione të ndryshme mediatike se do të ndalemi nga java në javë, por ky fakt është në krahun tonë, sepse na bën të qëndrojmë me këmbë në tokë. Një ndeshje që kundërshtari u tregua modest në media dhe deklaronte vetëm për mungesa në radhët e tij, ne na “shkau këmba” dhe lamë 2 pikë.
Duhet të mendojmë për ndeshjen me Vllazninë, ku veç pozicionit të tabelën e klasifikimit, në këto sfida është tradita që vlen më shumë dhe ne duhet të vazhdojmë ecurinë pozitive me fitore në kampionat. Është herët për të folur për Shkumbinin, tani duhet të mendojmë për Vllazninë,” - deklaron mesfushori tepër punëtor i Dinamos, Igli Allmuça.