Pas lëndimit që e la jashtë fushës për 6 muaj, Valon Behrami ende nuk është bërë rehat. Ngase futbollisti kosovar duhet t’i nënshtrohet sërish operimit në gju. Por, kësaj radhe futbollisti i West Ham United nuk do të mbetet jashtë terrenit të gjelbër për një kohë të gjatë.
Sipas ueb faqes angleze thisislondon.co.uk, përfaqësuesi zviceran ka nevojë për një intervenim kirurgjik në gju, të cilin pritet ta bëjë gjatë kësaj jave. “Behrami ka probleme me kërc, kështu që i nevojitet operimi i sërishëm. Këtë herë ai nuk do të mungojë shumë kohë, pasi pritet të rikthehet para Krishtlindjeve”, shkruan kjo ueb faqe.
Mesfushori kosovar pritet t‘i mungojë menaxherit Gianfranco Zola rreth tri javë, ndërsa rikthimi i tij pritet të bëhet përpara Krishtlindjeve. Ish futbollisti i Lazios kishte pësuar një lëndim të rëndë në gju gjashtë muaj më parë, me çka ishte detyruar një operim, pasi kishte këputur ligamentet e gjurit.
Për shkak të këtij lëndimi, ai mungoi në ndeshjen e fundit të West Ham të shtunën, që fitoi ndaj Burnleyt me rezultat 5:3. Menaxheri Zola me të vërtetë ka arsye të jetë i brengosur, pasi që, përpos Behramit, edhe Carlton Cole ka pësuar lëndim. Sulmuesi anglez pritet të mungojë rreth katër muaj.