Samir Ujkani po vazhdon të shkëlqejë me Novaran në Serie C1. Portieri kosovar e ka blinduar portën e klubit italian, i cili pa asnjë humbje në 15 xhiro kryeson renditjen tabelore në Lega Pro.
Pa dyshim se njëri ndër më meritorët për suksesin e Novaras është edhe gardiani i Kombëtares shqiptare. 21 vjeçari në 12 ndeshje, sa ka zhvilluar në fanellën e Novaras, ka pësuar vetëm 5 gola.
Ish portieri i klubit mbretëror belg Anderlecht as vetë nuk e ka pritur se do të ketë një paraqitje të tillë te skuadra e Novaras, ku u huazua në afatin kalimtar të verës nga klubi i Palermos.
“Kam pritur edhe nuk kam pritur se do të kem sukses. Por, si të punon për me jep gjithmonë maksimumin normalisht që duhet të kesh sukses”, ka thënë Ujkani për Express të hënën.
Pas 15 xhirove të zhvilluar në ligën e tretë italiane, Novara zë vendin e parë me 35 pikë të tubuara, pesë më shumë se Cremonesen që renditet i dyti. Ujkani beson se klubi i tij deri në fund të kampionatit do të arrijë ta mbajë vendin e parë dhe t’ia arrijë qëllimit – inkuadrimi në Serie B.
“Unë kur kam ardhur këtu, drejtori sportiv i Novaras më ka treguar objektivat e klubit dhe ato janë për me hy në Serie B. Momentalisht jemi duke shkuar mirë ku kemi 15 ndeshje pa humbje. Besoj se nëse vazhdojmë kështu, do t’ia arrijmë qëllimit”, theksoi ai.
Nëse Novara arrin të hyjë në Serie B, Ujkani nuk përjashton mundësinë të vazhdojë qëndrimin te ky klub. Por, për këtë duhet të vendosë Palermo, e cila mban kartonin e futbollistit.
“Në fund të sezonit unë duhet të kthehem sërish te Palermo. Nëse arrijmë inkuadrimin në Serie B, do të ishte shumë mirë të qëndroj te Novara, por për këtë duhet të vendosin klubet”, thotë portieri shtatlartë, i cili nuk është aspak pishman që ka zgjedhur Novaran.
Befason në Coppa Italia
Përveç shkëlqimit në Serie C1 (Lega Pro), Novara po befason edhe në Coppa Italia. Skuadra e Ujkanit në katër ndeshje të zhvilluara në këtë garë kanë arritur katër fitore. Ata kanë befasuar klubet nga Serie A, Parman dhe Sienan duke i eliminuar nga kjo garë.
Në të tetën e finales së Coppa Italia, Novara do të jetë mysafire e Milanos. Ujkani thotë se në këtë takim do të hyjë për fitore, edhe pse një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë.
“Ne drejt “San Siros” do të udhëtojmë me mendim që t’i mposhtim. Por, normal që ka me qenë shumë e vështirë, pasi dihet fuqia e Milanos”, u shpreh Ujkani.
Beson në Euro 2012
Gardiani i Kombëtares shqiptare beson se skuadra kuqezi mund të arrijë kualifikimin për në Kampionatin europian 2012, i cili do të mbahet në Ukrainë dhe Poloni. “Ne duhet ta shikojmë grupin se çfarë kundërshtarësh do të kemi. Por, duhet të besojmë në kualifikim, shikojeni Slloveninë se si arriti të shkojë në Kampionatin botëror”, thotë portieri me prejardhje nga Vushtrria.
Viti i Ujkanit
Samir Ujkani thotë se vitin 2009 nuk do ta harrojë për sa të jetë gjallë. Ai tregon se në këtë vit ka arritur të bëjë shumë gjëra, të cilat nuk kishte besuar se do t’i arrinte në këtë moshë.
“Për mua viti 2009 ka qenë vit, të cilin nuk mundem ta harroj. Këtë vit kam arritur të debutoj me Palermon në Serie A kundër Milanit. Po ashtu kam debutuar me Kombëtaren ndaj Milanit dhe kam luajtur dy ndeshje në eliminatore. Me Novaran po shkojnë punët shumë mirë”, përfundoi numri një i Novaras.