Derisa shumë yje të rinj nuk dinë të mbajnë veten nën kontroll pas vëmendjes së madhe ndaj tyre, Alexandre Pato ka shpjeguar pse do të jetë futbollist shembull për Milanin.
Pato, 20 vjeç, konsiderohet njëri prej futbollistëve të rinj më të mirë në botë, ndërsa është bërë njëri prej yjeve kryesore në ekipin e Rossonerëve pas transferimit nga Internacional më 2007.
Pavarësisht ngritjes së madhe në karrierën e tij në dy vitet e fundit, ai insiston se ka mbetur i njëjti. “Jam i njëjtë siç isha më parë para se të arrija sukses. Vetëm duhet të vazhdoj punën”, tha Pato për të përditshmen italiane Corriere della Sera.
“Babai im zgjohej në ora 5 të mëngjesit kur isha në gjumë, ndërsa kthehej nga puna në mbrëmje kur unë isha duke fjetur gjatë natës. Ai bëri sakrifica për mua. Të gjithë e kanë nga një tregim për veten e tyre nga e kaluara. Unë tani kam një grua dhe planifikoj të ndërtoj familje së bashku me të”, shtoi ai.
Braziliani tashmë është adaptuar në Itali dhe qytetin e Milanos, duke dëshmuar një shembull të kundërt prej asaj çfarë kishte thënë trajneri i Interit, Jose Mourinho, se futbollistët e rinj të sotëm janë të interesuar për vetura të shpejta dhe për klube të natës.
Ai po ashtu kishte thënë se futbollistët e rinj janë të përqendruar në përfitime financiare, por përsëri Pato ka bërë përjashtim duke refuzuar transferim multi-milionësh në Chelsea. Pato kërkohej nga Chelsea gjatë afatit kalimtar të verës, por vendosi te mbetet në Milan, ku nënshkroi kontratë të re afatgjate.
20 vjeçari shpreson të realizojë qëndrim afatgjatë në San Siro. “Jam shumë i lumtur këtu dhe së fundi kam nënshkruar kontratë të re deri më 2014. Ku e shoh veten pas pesë viteve? Këtu në qendrën stërvitore të Milanit duke dhënë intervista, por me më tepër tituj në kabinat pas meje”, përfundoi ai.