04 dhjetor 2009

Tifozët kërkojnë përforcime

Shumica e tifozëve të Realit dëshirojnë që klubi të sjellë një mesfushor ofensiv dhe një mbrojtës të krahut si dhe një “organizator”, sipas sondazhit të Marcas. Marca ka bërë të ditur se Real është i interesuar për mesfushorin hungarez, Balasz Dszudzsak nga PSV Eindhoven. Reali zakonisht shpenzon shumë në afatin kalimtar dimëror. Vitin e kaluar gjiganti madrilen transferoi dyshen Lassana Diarra dhe Klaas-Jan Huntelaar si dhe mori në formë huazimi mesfushorin Julien Faubert nga West Ham United.
Presidenti i Realit, Florentino Perez, gjatë verës së shkuar shpenzoi rreth 260 milionë euro në tetë futbollistë, fushata më e shtrenjtë e parë ndonjëherë në botën e futbollit. Perez u bë i famshëm gjatë aventurës së parë të tij si president nga viti 2000 deri 2006, kur transferoi të ashtuquajturit ‘Galaktikët:’ Luis Figo, Zinedine Zidane, Ronaldo dhe David Beckham. Ekipi i ‘Galaktikëve’ u shkatërrua katër vite më parë, ndërsa Perez dha dorëheqje në shkurt 2006.
Megjithatë, ai u kthye në postin e presidentit në qershor të këtij viti, duke premtuar ndërtimin e një tjetër ekipi të yjeve dhe bëri transferime rekorde duke filluar me Cristiano Ronaldon nga Manchester United dhe Leite Kakan nga Milan. Të mërkurën, gjatë një konference biznesi në New York, Perez mbrojti politikën e tij të shpenzimeve duke thënë se “na kanë quajtur arrogantë për transferimin e futbollistëve më të mirë në botë, por nuk është ashtu. E vetmja mënyrë që Real të shpëtojë është me investime në futbollistët më të mirë në botë”.
Kjo është ajo që ai synon të vazhdojë ta bëjë dhe pikërisht ajo çfarë kërkojnë dhe presin tifozët e klubit. Perez, kur mori presidencën, bëri të qartë se njëri prej objektivave kryesore të tij ishte rrëzimi i Barcelonës nga dominimi europian dhe spanjoll.
Real Madrid aktualisht gjendet në pozitën e dytë në La Liga, pesë pikë prapa kryesuesit Barcelona – që i mposhti ata 1-0 të dielën – me një ndeshje më pak të zhvilluar. Ekipi i Perezit turpshëm është eliminuar nga Copa del Rey nga Alcorcon (liga e tretë spanjolle), por janë në pozitë të mirë për kualifikim në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve për sezonin e 13-të të njëpasnjëshëm.