04 dhjetor 2009

Kosovarja n’ Amerikë

Sulmuesja kosovare, Kosovare Asllani ka vendosur të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht në klubin e Chicagos. Ajo thotë se ka fituar gjithçka në Suedi me ekipin e Linkoping, kështu që koha është për një sfidë të re.
“Meqë kam fituar gjithçka në Suedi, tashmë jam e gatshme për sfidat e reja”, ka thënë Asllani për mediet suedeze.
20 vjeçarja ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me klubin amerikan, por me opsion pas secilit vit(1+1+1).
“Kam kaluar tri vjet magjike me Linkoping dhe aty bëra emër. Por, ndihem e ngazëllyer dhe mendoj se kam bërë një hap të mirë në karrierën time”, theksoi ajo.Kosovarja thotë se është e gatshme të ballafaqohet me futbollistet në kampionatin amerikan, ndërsa premton se do të angazhohet maksimalisht.
“Atje do të përballem me disa nga futbollistet më të mira në botë, por jam e gatshme ta bëj këtë. Do të më duhet të jap 100 për qind nga vetja në stërvitje dhe ndeshje për ta dëshmuar veten”, përfundoi Asllani.