04 dhjetor 2009

Diego si Platini

Ylli i Juventusit, Diego planifikon të qëndrojë në klub për 10 vjet dhe synon të përsërisë suksesin që kishte arritur legjenda Michel Platini. Mesfushori brazilian vazhdon të besojë në Scudetto, edhe pse Bianconerët kanë tetë pikë më pak se kryesuesi Inter. Prej përvojës së deritashme në Serie A, ai thotë se Italia nuk ka problem me racizëm.

Ylli brazilian i Juventusit, Diego dëshiron të mbetet në Torino për 10 vjet dhe të përsërisë atë që bëri legjenda franceze Michel Platini. 24 vjeçari iu bashkua Bianconerëve për 24.5 milionë euro nga Werder Bremen gjatë verës, por, pavarësisht një fillimi të mirë të sezonit, ai ka dëshpëruar në javët e fundit. Juventus gjendet tetë pikë prapa kryesuesit Inter para përballjes me ta të dielën në Torino.

Por, Diego vazhdon të besojë në shanset e Juventusit për Scudetto. “Disavantazhi prej tetë pikëve nuk është diçka normale. Jo për këtë ekip, për kualitetin që ka dhe për paratë që janë investuar. Duhet të fitojmë kundër Interit. Ekipi ynë nuk është inferior ndaj askujt”, tha Diego gjatë një interviste me të përditshmen sportive italiane Gazzetta dello Sport.

Ish ylli i Santosit është adaptuar mirë me jetën në Itali për shkak se familja e tij ka origjinë italiane, që i mundësoi atij të merr shtetësi të dyfishtë disa vite më parë. “Dua të mbetem në Torino për tetë, madje 10 vjet. Dua të bëhem si Platini më tepër se Zidane, i cili shkoi në Real Madrid”, shtoi Diego i cili ktheu vëmendjen te derby d’Italia dhe frikësohet se ndeshja e shumëpritur nga Serie A mund të pengohet nga thirrjet raciste.

“Vetëm shpresoj që të jetë një mbrëmje futbolli, sportive dhe e civilizuar. Jo vetëm që shpresoj në të, por besoj rreth kësaj. Kam luajtur në stadiume të ndryshme, por kurrë nuk kam qenë pjesë e ndonjë episodi të racizmit. Nuk më duket se racizmi është i shfaqur në stadiumet italiane. Sinqerisht jo”, u shpreh ai.

Diego po ashtu dha mendimin e tij të përgjithshëm rreth derby d’Italia, duke bërë të ditur se e kishte përcjellë më vëmendje edhe nga vendlindja e tij. “E kam përcjell edhe në Brazil. Më kujtohen ndeshjet mes Juventusit dhe Interit, nuk kam humbur asnjë prej tyre në televizion. Zidane ishte idhulli im, por në Brazil të gjithë e adhuronin Ronaldon. Ai bëri gjëra të jashtëzakonshme në Inter. Tashmë ndiej emocione për net si kjo, por nuk kam frikë. Sfida të veçanta ju sjellin guxim, kështu mendoj unë, por edhe ndihen më ndryshe në zhveshtore”, përfundoi ai.