24 dhjetor 2009

Të gjithë flasin për Canën

Se Lorik Cana është bërë i dashur për tifozët në Angli, ajo dihet. Por, radha i ka ardhur edhe presidentit të Sunderland, Niall Quinn, i cili fillimisht i ka lavdëruar përforcimet e menaxherit Steve Bruce, e më pas ka thënë se njëri prej shembujve është vet futbollisti kosovar.
“Lorik Cana është shembull tipik i përforcimeve të qëlluara të Steve Bruce. Them se njerëzit që shkojnë në punë të hënave, ndihen me të vërtet mirë që e kanë atë si kapiten në skuadrën e tyre. Ata flasin për Lorikun në salla, në mbledhje, në punë, nëpër kafe, kudo”, theksoi Quinn.
Ndërkohë, Lorik Cana i ka dhënë një mesazh klubit të tij Sunderland dhe fansave për ndeshjen e së shtunës kundër Everton. Kapiteni i Sunderland kërkon mobilizim dhe insiston se “Macet e Zeza” do të japin gjithçka që kanë për t’iu rikthyer pikëve këtë fundjavë. 26 vjeçari pritet të përballet të shtunën pikërisht me ekipin që e kërkoi gjatë verës që shkoi, por që në fund vendosi t’i bashkohej ekipit nga Stadium of Light.
“Ne ishim të pafat në ndeshjet e fundit dhe tash kemi nevojë për pikë, sepse çdo ekip përreth nesh është afruar. Kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme për ne dhe fitorja do të na jepte neve dhe fansave besim dhe ngritje për gjysmën e dytë të sezonit. Ne kemi nevojë për përkrahjen e tifozëve të shtunën, është e rëndësishme që çdokush të jetë përreth nesh”, theksoi Cana për ueb faqen zyrtare të Sunderland.
“Kjo mbështetje është e rëndësishme për ne, sidomos në momentet e vështira. Çdokush duhet të jetë aty. Do të japim gjithçka nga vetja për Sunderland”, vazhdoi ai.