24 dhjetor 2009

Këpucët më të kushtueshme në botë

Tri palë këpucë futbolli të cilat kanë vlerë totale prej 430 mijë euro. Ose nëse preferoni më mirë, 385 mijë funte. Gënjeshtër? Jo, realitet.
Në botën faraonike të futbollit anglez, që është vërshuar nga miliarderët arabë dhe ata amerikanë të fair-play dhe të spektaklit, ka vend edhe për këtë.
Pronarë të këtyre këpucëve janë tre futbollistë anglezë të Premierligës: John Terry, kapiten i Chelseas dhe i Kombëtares angleze, Wayne Rooney, sulmues i shquar i Manchester United, dhe Rio Ferdinand, mbrojtës i pakalueshëm i “Djajve të Kuq”.
Megjithatë, duhet cekur se këto këpucë sportive do të shkojnë në ankand për motive bamirësie në Londër me propozimin e Ferdinandit, fondacioni i të cilit, ‘Live The Dream’, merret me fëmijët në vështirësi.
Por, çka i bën këto këpucë kaq të kushtueshme? Umbro të Terryt, të veshura në ndeshjen vendimtare të kualifikimeve për Afrikën e Jugut 2010 ndërmjet Anglisë dhe Bjellorusisë, janë zbukuruar me 2374 gurë të çmuar, ndër to 84 diamante të zinj dhe një përpunim i zakonshëm i arit të bardhë. Diamantet peshojnë 27 karatë, 11 safirët, të cilët së bashku shndërrohen në ari të bardhë për ta formuar numrin 6 të Terryt.
Gjithë këto i kompletojnë emrat e dy fëmijëve të Terryt (Summer e Georgie). Këto këpucë janë më të kushtueshmet: 150 mijë euro (135 mijë funte).
Nike të Rooneyt, të veshura në Premierligë, kanë 2576 gurë të çmueshëm, plus 10 karatë diamant të bardhë dhe 31 të zinj, ndërsa numri i Wayne, 10, është realizuar me ari rozë. Totali: 140 mijë euro (125 mijë funte).
Të fundit janë këpucët e Ferdinand, të personalizuara me stilin e grafitit, plus 18 karatë diamant të bardhë, 15 të zinj dhe 11 të rubinit. E njëjta firmë me Rooneyn (Nike) dhe e njëjta vlerë: 140 mijë euro.
Ideja e këtij realizimi ka arritur nga ish modelja dhe balerina Lisa Di Marco, e cila pasi ka biseduar me Ferdinandin, ia ka propozuar idenë ‘Embee Jewels’ të Londrës, ndërsa më pas ka bashkëpunuar edhe me ish muzikantin Goldie.
Në ankand, ku pritet të shkojnë VIP të ndryshëm, ndër ta edhe këngëtari Robbie Williams, do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Librit Ginis. E gjithë kjo bëhet për t’i gëzuar dhe për t’i bërë të lumtur fëmijët më të pafat.