14 dhjetor 2009

Takohen përzgjedhësit kosovarë

Të shtunën në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë, me iniciativën e selektorit të përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku, është mbajtur një forum me përzgjedhësit e përfaqësuesve të Kosovës të disa sporteve.
Ndonëse ishin të ftuar të gjithë përzgjedhësit kosovarë në këtë takim, nuk morën pjesë të gjithë. Përveç iniciuesit Albert Bunjaku, në këtë forum morën pjesë edhe këta përzgjedhës: selektori i përfaqësueses së basketbollit, Agim Kasapolli, ai i boksit, Mehmet Haxhani, i hendbollit, Taib Kabashi, kreu i kick-boxit, Fatmir Makolli, Nezir Rama nga karateja dhe Mentor Maloku nga sporti i mundjes.
Ky takim i përzgjedhësve kosovarë, meqenëse ishte i pari i tillë, u shfrytëzua vetëm sa për t’u njohur njëri me tjetrin.
Por, pjesëmarrësit vendosën që takimin e radhës ta mbajnë më 30 janar, kur do t’i diskutojnë dy tema: Pse Kosova ka talentë të shumtë sportivë, por, kur bëhen sendorë, nuk japin rezultate të mira dhe temë tjetër diskutimi do të jetë disiplina sportive.
Pjesëmarrësit e vlerësuan këtë ide të Bunjakut, si të qëlluar, andaj vendosën se takime të ngjashme të mbahen edhe në të ardhmen, ku të gjithë bashkërisht do të diskutojnë tema të ndryshme që u shërbejnë për të ardhmen.
Ky takim, nga Bunjkau është vlerësuar si themel për ndërtimin e Akademisë të përzgjedhësve kosovarë.