14 dhjetor 2009

Hanover shënon tre autogola

Hanover ka shënuar gjashtë gola në ndeshjen kundër Borussia Moenchengladbachut – por tre prej tyre ishin në portën e vet. Gladbach fitoi 5-3, të ndihmuar nga dy autogolat e qendërmbrojtësit tunizian, Karim Haggui dhe të tretit nga mbrojtësi i majtë, Constant Djakpa.
“Kemi parë një ndeshje të çmendur”, tha trajneri i Hanoverit, Andreas Bergmann. “Është e pabesueshme, kemi shënuar gjashtë gola dhe jemi mposhtur. Nuk mendoj se do ta harrojmë këtë ndeshje së shpejti”, shtoi ai.
Haggui i pari kaloi vendasit në epërsi pas 15 minutave, por nuk ishte fajtor pasi portieri Florian Fromlowitz rrëshqiti dhe e qëlloi topin në këmbën e tij duke e kthyer në rrjetë. I dyti prej tij erdhi në kohën shtesë, kur një top i kthyer prapa i siguroi fitoren Gladbachut pak minuta pasi Hanover kishte ngushtuar disavantazhin në 4-3.
Autogoli i Djakpas, që po ashtu erdhi pas një topi të kthyer që befasoi portierin e tij, ishte po aq i jashtëzakonshëm dhe nuk mund të kishte ardhur në kohë më të keqe, kur Gladbach ishte në epërsi 2-1 dhe Hanover kërkonte barazimin.
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didier Konan shënoi dy herë për Hanoverin, duke i mbajtur ata në lojë, por ishte përjashtuar me karton të kuq gjashtë minuta para përfundimit të ndeshjes.