02 dhjetor 2009

Tafaj: Flamurtari, autokritika më e mirë

Trajneri Alban Tafaj ka mbetur i kënaqur nga tri pikët në Vlorë dhe kërkon më shumë grintë nga skuadra
Fitorja në Vlorë ka rikthyer buzëqeshjen te kampionët pas humbjes që pësuan në Laç. Trajneri Alban Tafaj, pa përjashtuar edhe kontributin e të tjerëve, ka meritën e vet në këtë fitore, sidomos pas golit të parë të Sefës. Zëvendësimi i Muzakës ka rezultuar i goditur, madje elbasanasi Ahmataj jo vetëm që e rriti nivelin e lojës së bardhebluve, por shënoi edhe golin e dytë për Tiranën. Pas fitores në Vlorë, gjatë një prononcimi për median, Alban Tafaj, trajneri i ekipit të Tiranës, tha: “Ishte një fitore e pastër dhe mbi të gjitha ka ardhur në momentin e duhur. Kemi kaluar një periudhë jo të mirë si skuadër, pavarësisht se kemi fituar në një fushë të vështirë.
Dihet që Vlora është një qytet me tradita të mëdha në futboll, pavarësisht nga momenti jo i mirë që po kalon dhe pozicioni që mban aktualisht në renditje. Kjo fitore në njëfarë mënyre erdhi në momentin e duhur dhe ne si ekip kemi bërë autokritikën e duhur pas asaj humbje në Laç. Ne shkuam për të marrë tri pikë në Vlorë dhe ia arritëm qëllimit, gjë që më gëzon së tepërmi mua si trajner i kësaj skuadre,”- tha fillimisht Alban Tafaj që më pas foli edhe për hetimin që klubi i Tiranës e ka pranuar. “Për sa i përket hetimit që po bën UEFA në lidhje me ndeshjen që kemi zhvilluar në Norvegji me Stabaekun, kryesia e klubit është treguar e hapur për hetimin.
Do të bashkëpunojmë qoftë edhe për ndonjë hamendje që ata kanë për ndeshjen në Norvegji. Natyrisht që kjo ndikoi edhe në skuadër, por fitorja në Vlorë riktheu buzëqeshjen te Tirana dhe ambicien për të vazhduar rrugën të qetë në realizimin e synimeve që ne kemi.” Trajneri Tafaj që vjet e shpalli kampione Tiranën dhe këtë sezon po e drejton me sukses atë flet edhe për mungesat që po e shoqërojnë skuadrën e tij: “Më shumë se na mungon vazhdimësia, që ditën që ka startuar sezonin e deri më sot ne asnjëherë nuk kemi luajtur me të gjithë lojtarët, të cilët kanë qenë të dëmtuar apo edhe të dënuar.
Këtë e them jo për t’u justifikuar, por, në Vlorë luajtëm pa Nallbanin e Devollin, dy pika mjaft të rëndësishme për skuadrën, ndërsa në ndeshjen e radhës në Korçë ne sërish do të kemi firo. Nuk do të jenë Bici dhe Sefa dy lojtarë të formacionit. Edhe pse shumë herë në analizat që ne bëjmë i këshillojmë lojtarët si staf që të qëndrojnë korrektë në fushën e lojës, vazhdojnë të mos na ndahen kartonët. Shpresoj që të ruajmë këtë ritëm edhe në takimet e ardhshme.
Për sa i përket çështjes së Pejiçit, doja të thoja që pjesë e Tiranës janë dy sulmues mjaft të mirë si Memelli ashtu edhe Abilaliaj. Do të kisha më shumë dëshirë që ata të dy të rikthehen te goli se sa një blerje. Unë ju siguroj që pritet të ketë diçka të re te Tirana e fazës së dytë. Këto të reja në radhë të parë unë i kërkoj te konsolidimi i këtij grupi.
Dua që sulmi dhe gjithë skuadra të funksionojnë akoma më mirë në ndeshjet në vijim. Memellit i mbaron kontrata, por unë do të kisha dëshirë që të ishte pjesë e ekipit. Më shumë sa emrat në merkato kësaj Tirane i nevojiten lojtarë që t’i bëjnë punë dhe të jenë rezultativë. Dua që skuadrës t’i rikthej grintën që mungoi në Laç, por e treguam në Vlorë, ku në fund edhe fituam me meritë,” - përfundoi deklaratën e tij trajneri i 24 herë kampionëve, Alban Tafaj.
Muzaka, rezonancën për ekzaminim në Austri
Edhe pse u duk sikur mesfushori i skuadrës së Tiranës dhe kombëtares sonë Gjergji Muzaka e kaloi dëmtimin, vetë lojtari ndien ende dhimbje, madje në dy takimet e fundit në Laç dhe në Vlorë nuk ka qenë në formën e tij më të mirë. Kështu nga sa bëhet e ditur ai do të dërgojë rezonancën që ka bërë para disa ditësh në Austri për ta ekzaminuar.
Bici dhe Sefa, mungesat e radhës
Në ndeshjen e radhës që kampionët do të luajnë me Skënderbeun trajneri Alban Tafaj nuk do të ketë shërbimet e dy nga lojtarëve titullarë. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Ditmar Bici dhe mesfushorin, Jetmir Sefa. Që të dy futbollistët në Vlorë kanë marrë kartonin e tretë të verdhë. Ndërkohë, grupit do t’i bashkohen në këtë transfertë Nallbani dhe Devolli.
5 shkrimet e fundit nga Erion Saliu
Sefa e thotë hapur: Dua titullin dhe kombëtaren - 01/12/2009
Muka s'ka nostalgji: Dua tri pikët në Vlorë - 30/11/2009
Kampionët kanë kundërshtar edhe gripin - 28/11/2009
Osmani: Shkojmë për hakmarrje në Vlorë - 28/11/2009
Kampionati i kyç gojën Tiranës, Kupa shpëtim - 25/11/2009