02 dhjetor 2009

Plaku e do golin aty ku e la, ndaj vlonjatëve

Të vetmin gol në kampionat, sulmuesi Sebino Plaku, e ka shënuar javën e dytë në Vlorë
Sebino Plaku, në një moment tepër të vështirë të karrierës së tij, mbase me 90-minutëshin ndaj Kastriotit ka gjetur pak dritë në fund të “tunelit”. Aktivizimi i plotë në “Qemal Stafa” është i pari në kampionat, pasi gjithnjë sulmuesi me nr.11 është zëvendësuar edhe në ato herë të pakëta që është aktivizuar si titullar. Tifozeria dinamovite vazhdon të besojë në performancat e Plakut dhe këtë suport fansët blu e kanë treguar nga ndeshja në ndeshje. Por ndryshe nga sezonet e shkuara, tashmë Plaku e shikon veten me vetëm një gol të shënuar në listën e golashënuesve dhe atë ndaj skuadrës që do të përballet në ndeshjen e radhës me blutë, Flamurtari.
Ky fakt e shqetëson dhe vetë lojtarin në fjalë, i cili gjatë një prononcimi për “Sportin shqiptar” analizon momentin tepër të vështirë që po kalon. Por ndeshja e fundit me krutanët e ka ngrohur disi ish-lojtarin e Apolonisë, i cili e kërkon golin aty ku e la, pra ndaj Flamurtarit, në sfidën e javës së 13-të. “Më bëhet qejfi që erdhi një 90-minutësh i plotë në kampionat. Kam kaluar një javë jo të qetë, sepse kalova një problem të lehtë muskulor. Por jam i kënaqur, pasi edhe skuadra arriti të fitojë, ndaj dhe jam dyfish i kënaqur. Më bëhet qejfi që trajneri paska vlerësuar lojën time. Kjo do të thotë që nuk është e rëndësishme vetëm të fitosh, por edhe të jesh në dispozicion të skuadrës në fitoret e saj. Më mungon shumë goli, por nuk është ndier shumë mungesa ime, ngaqë sulmuesit e tjerë kanë shënuar rregullisht.
E kam pasur të vështirë të gjej golin për vetë minutat e pakëtë që kam pasur në dispozicion. Shpresoj ta gjej golin sërish ndaj Flamurtarit, por është e habitshme që nga ndeshja e javës së dytë në Vlorë dhe deri tani, unë ende s’e kam gjetur rrugën e rrjetës në një tjetër sfidë. Por kjo eksperiencë po më tregon shumë gjëra, ka disnivele duke luajtur dhe mos luajtur në fushën e blertë. Nuk gjej fjalë ta përshkruaj këtë që po ndodh, por thjesht është një realitet. Por nga konsultat që kam pasur me njerëz të tjerë, kam kuptuar që më duhet punë, stërvitur dhe shumë mund për të arritur sërish shkallët maksimale. Duhet të impenjohem maksimalisht dhe të bëj detyrën time, pastaj të tjera nuk i kam unë të gjitha në dorë.
Flamurtari është një kundërshtar që po kalon një moment të vështirë, por shpresoj që ne ta vlerësojmë për atë çka ai ekip ka të vërtetë. Nëse do të kemi ndopak hije nënvleftësimi me këtë ekip, do të gabojmë, por edhe në sfida të tjera mendjemadhësia s’duhet të ekzistojë te Dinamo. Gjithsesi, Flamurtari ka kualitete në gjirin e tij. Personalisht ndaj Flamurtarit do të kisha dëshirë të aktivizohesha, që më pas të kisha mundësi edhe të shënoja,”- e mbyll prononcimin e tij për “Sportin shqiptar” sulmuesi i bluve, Sebino Plaku.

- Dje blutë kanë kryer vetëm një seancë stërvitore në kompleksin “Dinamo”, e cila është zhvilluar në kushte të vështira atmosferike.
- Portieri Alban Hoxha po kalon një dëmtim të lehtë në gishtin e madh të dorës së djathtë.
- Senegalezi Papa Diop po kalon një dëmtim të lehtë dhe si pasojë dje është stërvitur me minutazh më të reduktuar.
- Mbrojtësi Nikolas Del Monte ka filluar vrapimet rreth fushës pas dëmtimit në gishtin e madh të këmbës.
- Interesim i madh i tifozerisë blu për sfidën e radhës me Flamurtarin. Fansët e Dinamos kanë përgatitur banderola surprizë për Elis Bakajn dhe Bekim Kulin.
Pas humbjes me Tiranë, tashmë vlonjatët duhet të luftojnë për mbijetesë, sepse janë në fund
Flamurtari, nga pretendent në vend të fundit
Flamurtari zhgënjen sërish, duke dështuar në takimin e fundit përballë sportdashësve të vet, këtë radhë ndaj Tiranës në shifrat 2‑0. Një humbje që natyrisht ka sjellë shumë zhgënjim në radhët e drejtuesve, por natyrisht më shumë se kudo, te tifozët vlonjatë, të cilët shpresonin se Flamurtari do të dinte të dilte te loja e bukur, por mbi të gjitha te rezultati.
Dhe ndoshta dikush në stadiumin “Flamurtari” edhe ka besuar pas përfundimit të pjesës së parë, por është zhgënjyer totalisht në pjesën e dytë, kur vlonjatët kanë pasuar dy gola. Një humbje që e pozicion ekipin vlonjat në vend të fundit të renditjes dhe natyrisht tashmë duket se llogaritë për ekipin vlonjat bëhen për të mos rënë një kategori më poshë, në ndryshim total nga objektivat e përcaktuara në nisje të sezonit, kur ekipi vlonjat vinte si ekip fitues i Kupës së Shqipërisë dhe natyrisht pretendimet ishin për të synuar të paktën sërish Europën edhe këtë sezon.
Por pas 12 javësh, situata është mjaft e vështirë dhe natyrisht llogaritë kanë nisur të bëhen me qëndrimin në kategori, edhe pse ka ende mjaft ndeshje dhe natyrisht në Vlorë besojnë në rikthimin e Flamurtarit. Jo pak i zhgënjyer ka qenë pas ndeshjes me Tiranën edhe trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, që ka pritur ndoshta nga futbollistët e tij diçka më ndryshe se takimet e tjera, të paktën nga ato të luajtura në shtëpi.
Edhe pse zhgënjimi ndihej hapur, Magani ka pranuar se kjo humbje do të rëndojë mbi të gjitha gjendjen psikologjike të ekipit për takimet në vijim. “Kemi luajtur mirë pjesën e parë, por në pjesën e dytë kemi dalë totalisht nga detyrat e përcaktuara dhe natyrisht edhe zëvendësimet e bëra nuk kanë dhënë efektin e pritur. Madje jemi goditur edhe me golin e dytë, në momente kur mund të besohej të paktën barazimi.
Mendoj se kjo ndeshje dhe humbja me Tiranën do të ketë pasojat e veta, natyrisht në gjendjen psikologjike të futbollistëve dhe pa dyshim që do të ndiejmë vështirësi për ndeshjet e tjera të kampionatit. Eshtë një humbje që nuk duhej ta merrnim, sepse tashmë vështirësojmë edhe pozicionin në tabelën e klasifikimit,” ‑ ka theksuar Magani, natyrisht mjaft i zhgënjyer me ndeshjen dhe rezultatin ndaj Tiranës.
Caca kërkon të hakmerret ndaj Teutës
Eshtë e dyta ndeshja që ish-kapiteni i skuadrës krutane një edicion më parë luan një 90-minutësh të plotë. Të parën ndeshje ai e ka luajtur në ndeshjen ndaj Flamurtarit në Krujë. Ndërsa ndaj Dinamos paraqitja e tij ka qenë e mirë. Fatmir Caca i mungonte skuadrës së tij qysh nga ndeshja me Laçin.
Caca mundohet të tregohet objektiv në deklaratën e tij, ku mes të tjerash, do të shprehej: “Humbja me dinamovitët është normale, pasi është skuadra në formë në kampionatin tonë, duke e komanduar me meritë atë.” Ish-kapiteni krutan mendon se nuk duhet t’i tregohet shumë rëndësi humbjes së pësuar ndaj kryeqytetasve, pasi në prag, më saktë pasnesër, skuadra e tij do të presë në fushën e saj skuadrën rivale, Teutën.
Ndeshja e fazës së parë e zhvilluar në Durrës nuk u shpëtoi polemikave të njëanshmërisë në gjykimin e ndeshjes. Drejtuesit e skuadrës krutane protestuan ndaj vendimit të gjyqtarit të ndeshjes për një 11-metërsh të dhënë të padrejtë për durrsakët.
Ka qenë pikërisht mbrojtësi Caca, ndërhyrja e së cilit i shkaktoi atë 11-metërsh në favor të Teutës. “Ishte një vendim i padrejtë, pasi futbollisti u rrëzua jashtë zonës. Një gjë të tillë e treguan edhe pamjet filmike. Një vendim i tillë na kushtoi shtrenjtë, duke na mohuar barazimin,” - kujton mbrojtësi krutan Caca, që në fund do të thoshte: “Me Teutën do të jetë një ndeshje e hapur. Jemi skuadra rivale për momentin dhe përqendrimi do të jetë në parametrat maksimale. Mendoj se ka ardhur momenti për të marrë “hakun” tonë.”
5 shkrimet e fundit nga Andi Matraxhiu
Muça: Rivalët i ndjejmë, por në distancë - 01/12/2009
Allmuça: Jemi absolutë, rivalët...në distancë! - 30/11/2009
Dinamos i mjaftojnë 31' për Kastriotin - 29/11/2009
Bakaj: Përgjigjem me gola në fushë - 29/11/2009
Muça: Kastrioti, me meritë në këto pozita - 28/11/2009