23 dhjetor 2009

Swansea e kërkon Kuqin

Shefki Kuqi konsiderohet si futbollist ideal për klubin anglez Swansea City, ku paraqitet edhe sulmuesi tjetër kosovar, Besian Idrizaj.
Futbollisti kosovar është i pasionuar për një rikthim në futbollin britanik, të cilin e la verën që shkoi, për t’u transferuar në Gjermani, tek klubi nga Bundesliga 2, tus Koblenz, shkruan uebfaqja britanike, thisissouthëales.co.uk.
Dhe, klubi nga liga e dytë angleze po e konsideron mundësinë që t’ia japë shansin Kuqit, pasi po e kërkojnë një futbollist me fizikus të mirë, për ta ndihmuar repartin ofanziv.
33 vjeçari konsiderohet si sulmues ideal për menaxherin Paulo Sousa. Presidenti i Swanseas, Huw Jenkins, nuk ka folur rreth çështjes së Kuqit, por nuk ka hezituar ta pranojë se ai është tipi i futbollistit të cilin po e kërkon ekipi i tij. “Paolo po e kërkon një qendër sulmues të madh dhe të fuqishëm, këtu nuk ka sekret”, tha ai.
Ish futbollisti i Sheffield Wednesday, Ipswich, Blackburn, Crystal Palace e Fulham, verën që shkoi e refuzoi ofertën e Palace, për të qëndruar tek klubi anglez. Kuqi i kaloi 5 sezone duke luajtur në Finlandë, para se t’i bashkohej ekipit Stockport County, nëntë vjet më parë.
Ai më pas u transferua tek Sheffield, para se të lëvizte tek Ipswich. Ai shënoi 20 gola në sezonin 2004-05, ndërsa më pas iu dha rasti në Premierligë, tek ekipi Blackburn, ku shënoi 7 gola në një sezon.
Më pas, Kuqi, për 2.5 milionë funte lëvizi tek Palace, në vitin 2006, për të kaluar momente të luhatshme në Selhurst Park.
Ai u huazua për 4 muaj tek Fulham në vitin 2007, e më pas u kthye tek Ipswich, për t’iu bashkuar më pas menaxherit Neil Warnock tek Palace, ku sezonin e kaluar ishte golashënuesi më i mirë.
Mirëpo, Kuqi e refuzoi ofertën për kontratën e re, duke e lënë Londrën për t’iu bashkuar vëllait të tij më të ri, Njaziut në Koblenz.
Kuqi senior, i cili njihet me mënyrën e tij karakteristike të festimit të golave, duke fluturuar në ajër, ka shënuar 89 gola në 244 ndeshje si startues dhe në 89 si zëvendësues, në paraqitjet e tij në futbollin anglez.