23 dhjetor 2009

Ta përsërisim vitin 2009

Mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka deklaruar se punët po shkojnë shumë mirë tek Barça dhe se klubi spanjoll do të bëjë gjithçka, për ta përsëritur suksesin e paparë ndonjëherë të vitit 2009, por ai insiston se fitimi i 6 trofeve në një vit, nuk do të jetë i lehtë që të arrihet.
Blaugrana janë klubi i parë në histori të futbollit që e kompletuan vitin perfekt, duke fituar këtë sezon Kupën e Botës për klube, Superkupën e Evropës dhe Superkupën e Spanjës. Por, nuk duhet harruar edhe tri trofetë tjerë, që i përkasin megjithatë vitit 2009, Ligën e Kampionëve, La Ligan dhe Kupën e Spanjës.
“Ne do të mundohemi ta përsërisim atë që e bëmë vitin e kaluar. Me punë të madhe, ne do të mundohemi ta arrijmë maksimumin e titujve sërish. Ne do ta synojmë sërish Ligën e Kampionëve, por t’i fitosh gjashtë tituj, nuk do të jetë e lehtë të përsëritet kjo”, theksoi Xavi për të përditshmen spanjolle, Marca.
“Triumfi në Kupën e Botës për klube ishte spektakular, posaçërisht pasi që kjo ishte hera e parë”, tha ai për uebfaqen goal.com.
Sipas mesfushorit spanjoll, kombinimi në mes të talentit dhe përpjekjeve, është formula e suksesit për një klub në futboll.
“Talenti është gjithmonë një plus në lojë. Në futboll, ashtu edhe në sportet tjera, duhet të jesh psiqikisht i përgatitur, por gjithmonë nevojitet edhe talenti dhe përpjekja për ta arritur atë që e synon”, tha në fund përfaqësuesi spanjoll.
Me 196 vota të grumbulluara, Xavi Hernandez, të hënën mbrëma u zgjodh lojtari i tretë më i mirë në botë nga FIFA, pas Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Po ashtu, ai ishte pjesë e njëmbëdhjetëshit më të mirë të vitit 2009, të vlerësuar po ashtu nga FIFA.