23 dhjetor 2009

Kuze, vëzhgon Ramën e Shalën

Pas mbrojtësit kosovar, Mërgim Mavrajt, Kombëtares shqiptare ka gjasa të mëdha që në të ardhmen e afërt t’i bashkohen edhe dy futbollistë me prejardhje nga Kosova, e që luajnë në Evropë.
Bëhet fjalë për sulmuesin e klubit nga Bundesliga, Hannover ’96, Valdet Ramën dhe sulmuesin e skuadrës nga Premierliga skoceze, Dundee United, Andis Shalën (të birin e trajnerit Kujtim Shala).
Trajneri kroat, Josip Kuze ka konfirmuar se është i interesuar për dy sulmuesit kosovarë. Ai tregon se Valdet Ramën e ka vëzhguar nga afër në fundjavë në takimin ndërmjet Hannoverit dhe Bochumit, ku ekskluzivisht kishte shkuar për ta parë Mërgim Mavrajn.
“Gjatë ndeshjes pata rastin ta shoh sulmuesin e Hannoverit, Valdet Rama, që luajti për 25 minuta. Natyrisht se është e pamundur që për një kohë kaq të shkurtë të jap një vlerësim për të. Megjithatë, duhet ta respektojmë faktin që ai po luan në Bundesliga. Ne do të vazhdomë ta vëzhgojmë atë nga afër”, ka thënë Kuze për Express, të martën.
Ish-trajneri i Dinamo Zagrebit ka bërë të ditur se përveç Ramës, është duke e përcjellë edhe sulmuesin 21-vjeçar, Andis Shala.
“Më është sugjeruar edhe futbollisti i ri, Adis Shala, i cili luan në Dunde. Nuk ka pasur diçka konkrete, por është një futbollist që do ta vëzhgojmë në të ardhmen e afërt”, theksoi Kuze.
Aktualisht në Kombëtaren shqiptare luajnë gjashtë kosovarë: Arian Beqaj, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri, Besart Berisha dhe Samir Ujkani.
Ndërsa në të kaluarën fanellën kuqezi e kanë bartur edhe Besnik Hasi, Mehmet Dragusha, Bekim Kastrati dhe Blerim Rrustemi.

Mavraj gëzon Kuzen

Selektori i Shqipërisë, Jospi Kuze, si duket, do ta zgjidhë problemin e mbrojtjes, repart i cili nuk ka qenë në nivel të duhur viteve të fundit.
Trajneri kroat ka vendosur që ta angazhojë në Kombëtaren shqiptare, mbrojtësin kosovar, Mërgim Mavraj, i cili aktivizohet te skuadra e Bundesligës gjermane, Bochum.
Këtë vendim ish-trajneri i gjigantit kroat, Dinamo Zagreb, e ka marrë në fundjavë, gjatë ndeshjes Hannover – Bochum, ku e kishte vëzhguar shtatlartin nga afër.
Madje Kuze ka kërkuar nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) që t’i kryejnë të gjitha proceduarat teknike, për angazhimin e 23-vjeçarit në ekipin kuqezi.
“Mavrajn e kam vëzhguar në dy ndeshje, ndërsa pas 90 minutave të takimit Hannover –Bochum, jam bindur që ai i ka të gjitha kualitetet të luajë në Kombëtare. Prandaj kam kërkuar nga drejtuesit e FSHF-së që t’i kryejnë punët teknike, rreth angazhimit të tij në Kombëtare”, ka thënë Kuze, për Express.
Pas ndeshjes Hannover – Bochum (2:3), trajneri kroat ka takuar kosovarin me pasaportë gjermane sy më sy, ku kanë biseduar rreth përfshirjes së tij në ekipin kuqezi.
Kuze është ndarë tejet i kënaqur nga ky takim, pasi Mavraj i ka shprehur gatishmërinë që ta veshë fanellën e Shqipërisë.
“Pas ndeshjes kam biseduar personalisht me Mërgim Mavrajn. Ai është shprehur i gatshëm të luajë për Shqipërinë, gjë që më ka gëzuar pa masë”, ka theksuar Kuze.
Mavraj në vitin 2007, ishte pajisur me pasaportë shqiptare, në kohën e trajnerit kroat, Otto Bariç. Mirëpo mbrojtësin kosovar në vend të Kombëtares A, e kishin ftuar me skuadrën U-21 të Shqipërisë, gjë që nuk i pëlqeu.
Pas kësaj ai refuzoi të veshë fanellën kuqezi, duke zgjedhur përfaqësuesen U-21 të Gjermanisë, me të cilën debutoi në vitin 2007, në ndeshjen miqësore kundër shpresave të Italisë.