Selektori i Italisë, Marcello Lippi, ka insistuar të hënën se racizmi nuk është problem në futbollin italian, por problem i shoqërisë.
Komentet e 61 vjeçarit vijnë pasi Juventus ishte gjobitur javën e kaluar me 20 mijë euro për fyerjet raciste ndaj sulmuesit të Interit me origjinë ganeze, Mario Balotelli.
Por, i pyetur rreth kësaj teme nga disa studentë gjatë një vizite në Vicenza në verilindje të Italisë, Lippi - i cili udhëhoqi Italinë drejt titullit në Kampionatin botëror 2006 - tha : “Në Itali nuk është problem çështja e racizmit në futboll. Racizmi është problem i cili është pjesë e jona. Është pjesë e shoqërisë civile, por fatkeqësisht ju duhet të flisni rreth saj kur dhjetë ose dymbëdhjetë idiotë dëshirojnë të dëgjohen në një stadium”.
Edhe mesfushori i Juventusit, Mohamed Sissoko ishte në qendër të thirrjeve raciste në fundjavë në ndeshjen kundër Cagliarit, në stadiumin Sant’Elia.