22 dhjetor 2009

Sebastian Frei në shënjestrën e Junajtid

Eshtë akoma vetëm një sondazh, por mund të kthehet shpejt në një objektiv të vërtetë. Po flasim për interesimin e Mançester Junajtid kundrejt portierit francez të Fiorentinës Sebastian Frei. Ferguson, që shumë shpejt nuk do të ketë më në dispozicion Van der Sarin, është vënë në kërkim të numrit 1.
Vëmendja e tij, përveç se tek Nojer i Shalkes, është tërhequr edhe nga francezi që vesh fanellën vjollcë. Klubi i vëllezërve Dela Vale nuk ka asnjë qëllim ta lërë të lirë portierin, që ka një kontratë deri në vitin 2013 dhe që dy vite më parë ka refuzuar interesimin e fortë të Milanit, por “sirenat” nga Anglia mund të bëjnë që situata të ndryshojë.
Edhe për këtë arsye Korvino ka lëvizur në drejtim të Bolonjës për të kërkuar informacione në lidhje me Emiliano Vivianon. Shifra për bashkëpronësinë është e lartë, midis 7 dhe 8 milionë eurove, por lojtari ka premisat për t’u bërë një nga portierët më të mirë të Italisë. Përsa i përket merkatos vjollcë në hyrje pëlqehen mesfushorët argjentinas Rinaudo (Xhimnazia) dhe Batalia (Boka). Dhe nuk duhet harruar as Ledezma i Lacios dhe Tadei i Romës që në qershor i skadon kontrata me klubin verdhekuq, por që Prandeli do të donte ta kishte në dispozicion që në muajin janar.