22 dhjetor 2009

Pushimet, milanistët preferojnë malin

Lojtarët kuqezi do t’i kalojnë pushimet në temperatura të ulëta, duke sfiduar motin
Ka ndryshuar me të vërtet gjithçka tek Milani i ri i Leonardos, jo vetëm trajneri, moduli dhe skemat por edhe pushimet e skuadrës nuk do të të jenë të ngjashme me ato të viteve të fundit. Kështu, kampionët kuqezi, që kanë udhëtuar gjithmonë drejt vendeve ekzotike në kërkim të të nxehtit rigjenerues, këtë vit kanë zgjedhur të qëndrojnë në mal, ndoshta edhe për shkak se bëhet fjalë për një ndërprerje të shkurtër.
Rifillimi i stërvitjeve, në fakt, është fiksuar për në datën 28 dhjetor, kur edhe Bekham do të bashkohet me grupin. Por, pothuajse askush nuk do të ankohet për klimën e ftohtë duke parë se, me përjashtim të brazilianëve (përfshi edhe trajnerin), që kanë fluturuar drejt Brazilit për të kaluar festat me familjet e tyre, pjesa më e madhe e lojtarëve kanë shkuar në vende ku temperaturat, nëse është e mundur, janë akoma më të ulëta.
Gatuzo do ta kalojë ditën e Krishtlindjes me familjen e gruas Monika në Glasgou, ndërsa një pjesë e madhe e skuadrës do t’i kalojë pushimet në mal. Eshtë rasti i Pipo Inzagit, që do të shkojë në Kurmajer ku edhe Kakà ka një shtëpi, ndërsa Bonera që do të shkojë në Bormio. Një tjetër lojtar breshian, Pirlo, është nisur drejt borës së Savojës në drejtim të Kurshavel në shoqëri të gruas dhe fëmijëve.
Do të gjejnë një klimë pak më të ngrohtë Borrielo dhe Nesta, që kanë udhëtuar bashkë drejt Majemit, dhe Klarenc Sedorf në Oman. Për dikë, kjo periudhë pushimi dhe qetësie do të jetë edhe një rast i mirë për të bërë bamirësi. Bëhet fjalë për fantazistin e Milanit, Ronaldinjo që, në Salvador të Bahias, ka organizuar në datën 22 dhjetor një ndeshje miqësore për të grumbulluar fonde për fondacionin e tij për t’i shkuar në ndihmë fëmijëve të pafat të lagjeve të varfra braziliane.