04 dhjetor 2009

Revolucion në Prishtinë

Pasi e përfundoi stinorin vjeshtor në mënyrë jo aq mirë, FC Prishtina ka planifikuar të bëjë ndryshime të mëdha në ekip gjatë pushimit dimëror, me qëllim që në gjysmë-sezonin tjetër kjo skuadër të luftojë seriozisht për titullin e kampionit të Kosovës.
Drejtuesit e klubit kampion po mendojnë të përforcohen me një numër të madh të lojtarëve të rinj. Madje udhëheqësit e skuadrës veç kanë bërë përzgjedhjen e emrave të lojtarëve, me të cilët tashmë edhe i kanë nisur bisedimet.
Ndërsa, sipas drejtorit të përgjithshëm të FC Prishtinës, Edmond Rugoves, deri në fund të afatit kalimtar dimëror nga skuadra do të lirohen shumë futbollistë, të cilët gjatë vjeshtës nuk kanë pasur paraqitje të mira me fanellën bardh e kaltër.
“Ne e kemi përpiluar një listë, në të cilën përfshihen emrat e 12-13 futbollistëve kosovarë, por edhe asi të huaj të cilët janë në planet tona. Shumë prej tyre mendojmë t’i transferojmë në ekip. Megjithatë, mbetet të shihet se sa prej tyre do të mund t’i sjellim në skuadër deri në fund të afatit kalimtar”, deklaroi Rugova për G.J.
Por, Rugova preferon që emrat e lojtarëve me të cilët skuadra e tij mendon të përforcohet njëherë përnjëherë mos t’i publikojë. Megjithatë, ai i përmendi vetëm pesë prej tyre.
“Jemi në bisedime me dy sulmues amerikanë, me të cilët unë kam punuar gjatë qëndrimit tim në Amerikë. Bëhet fjalë për Tommy Heinemann dhe Haggai Leboo. Të dy këta kanë shprehur dëshirën e tyre për të luajtur me Prishtinën. Jemi në bisedime edhe me Roland Durakun, Labinot Osmanin dhe Mentor Zhdrellën, etj”, theksoi ai.
Ndërkohë, Express ka mësuar se bardhekaltrit janë në bisedime edhe me portierin e Kosovës së Vushtrrisë, Burim Sadiku.
Rugova potencoi se shumica e lojtarëve, me të cilët FC Prishtina mendon të përforcohet, kanë kontrata me klubet e tyre. Por, ai tha se gjithçka do të zgjidhet në mënyrë korrekte me qëllim që klubi i tij t’i ruajë raportet e mira me të gjitha klubet kosovare.
Ai tha se FC Prishtina është skuadër me perspektivë. Sipas tij, futbollistët të cilët i kërkon skuadra prishtinase duhet të jenë të privilegjuar. “Nuk duhet shikuar gjithmonë vetëm paratë. Futbollistët duhet shikuar perspektivën. Me Prishtinën lojtarët janë më afër Europës. Kjo është dëshmuar edhe në të kaluarën, sikur me rastin e Skerajt, Hoxhës, Berishës, etj”, shtoi ai.
Rugova tregoi se dera e klubit kryeqytetas do t’u hapet shumë futbollistëve, të cilët deri më tani i kanë bartur fanellat e FC Prishtinës. “Ne kemi edhe listën me emrat e lojtarëve, të cilët do t’i lirojmë nga klubi. Mund të theksoj se është numër i konsiderueshëm i atyre lojtarëve që do t’i lirojmë”, vazhdoi ai.
Pasi të përfundojë ky proces i ndryshimeve në ekip, Rugova tha se FC Prishtina do të jetë kandidati më serioz për titullin e kampionit dhe se skuadra e tij do të bëhet me ekip të fortë e të qëndrueshëm edhe për të ardhmen.
“Është e vërtetë se në fillim të kampionatit përjetuam një krizë të rezultateve. Por, ajo krizë është tejkaluar. Ata që kanë menduar se Prishtina e ka humbur hapin në luftë për titull, kanë gabuar. Prishtina ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë kandidati më serioz në luftë për titull të kampionit të Kosovës”, përfundoi Rugova.
FC Prishtina stinorin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e tetë të tabelës, me 23 pikë të tubuara.