04 dhjetor 2009

Vëllaznimi në rrezik

Përveç që përjetoi krizë të madhe të rezultateve gjatë stinorit vjeshtor, Vëllaznimi i Gjakovës tani e ka kapluar edhe kriza e madhe financiare.

Si pasojë e kësaj, ky klub rrezikon të mbetet pa shumicën e lojtarëve të cilët i kanë bartur deri më tani fanellat kuq e zi.

Futbollistët e kësaj skuadre ndihen të zhgënjyer me faktin se kanë kaluar tre muaj që nuk i kanë marrë pagat e tyre, që u takojnë.

Kapiteni i këtij ekipi, Atdhe Gashi thotë se klubi duhet t’i kryejë shumë shpejt obligimet ndaj lojtarëve. Në të kundërtën, ata do ta braktisin skuadrën kuq e zi, sepse kanë oferta nga klubet e tjera të Raiffeisen Superligës.

Gashi ka shprehur zhgënjimin e tij me faktin se përveç që nuk kanë marrë futbollistët paga tash e tre muaj, ata as nuk janë kontaktuar nga drejtuesit e klubit gjakovar.

“Ka tre muaj që nuk i kemi marrë pagat. Nëse kryesia nuk i kryen obligimet ndaj lojtarëve brenda pak ditëve, atëherë lojtarët do të ikin. Nuk shkon kështu të mos marrësh pagë tre muaj. Madje as nuk të kontakton kryesia”, deklaroi Gashi për G.J.

“Ne do t’i japim ultimatum kryesisë për të na i dhënë rrogat që na takojnë. Ata e dinë shumë mirë se nëse nuk i kryejnë obligimet brenda pak ditëve, atëherë lojtarët do të ikin sepse ata kanë oferta nga klubet e tjera dhe nuk mund të presin kështu. Koha po shkon”, theksoi ai.

Njëjtë si Gashi është shprehur edhe futbollisti tjetër i dalluar i Vëllaznimit, Robert Gjeraj, i cili ndihet i pikëlluar me largimin e shokut të tij të ekipit Fisnik Papuqi në drejtim të Hysit.

“Tash e tre muaj nuk kemi marrë paga. Anëtarët e kryesisë nuk na kanë lajmëruar asgjë. Askush nga kryesia nuk ishte në takimin tonë të ditës së hënë. Nëse situata nuk ndryshon për mirë brenda pak ditëve, atëherë 90 për qind të lojtarëve do të ikin. Tashmë lojtari më i mirë ka ikur, Fisnik Papuqi. Vështirë do të jetë ta gjejmë zëvendësimin e tij. Edhe shumë të tjerë do ta ndjekin rrugën e tij, nëse kryesia nuk ndërmerr masa”, tha Gjeraj për Express.

G.J ka bërë përpjekje të kontaktojë edhe me kryetarin e klubit, Agim Koci, por kjo ka qenë e pamundur.

Kurse menaxheri i klubit, Ahmet Morina, tha se shumë shpejt do të kryhen obligimet ndaj futbollistëve. Madje ai paralajmëroi se klubi po mendon të përforcohet edhe me tre lojtarë tjerë.

“Gjithsesi obligimet ndaj lojtarëve do të kryhen shumë shpejt. Jemi duke e pritur kryetarin të kthehet nga Amerika. Ne po mendojmë t’i bëjmë edhe tri përforcime. Mendojmë t’i transferojmë dy mbrojtës dhe një sulmues”, ka thënë Morina për G.J.

Stinorin vjeshtor Vëllaznimi e ka përmbyllur me vetëm 14 pikë dhe është skuadra e parafundit në radhitjen tabelore.