02 dhjetor 2009

10 milionë për të shkrirë Partizanin!?

Klubi që ka shkruar historinë e sportit shqiptar tashmë nuk ekziston, i ka mbetur vetëm stema
Një nga çështjet më të përfolura dy sezonit e fundit,”Partizani”, duket se do të vijojë të mbetet e tillë për aq kohë sa shteti dhe federata nuk do të ndërhyjnë për ta shpëtuar këtë emër të madh të futbollit shqiptar. Partizani stërvitet në klub vetëm për mëshirë të ish-pronarëve, që i kanë blerë terrenet sportive për një shumë qesharake për vlerën që kanë realisht. 100 milionë lekë të vjetra ka kushtuar shkrirja fizike e Partizanit.
Themi kështu se Partizani ka vetëm emrin dhe ata futbollistë të papaguar, të cilët duhen falënderuar për sakrificën që bëjnë thjesht për mbajtur gjallë shpresën e tifozëve për rikthimin e madh. Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, ka zbuluar në një bisedë me mediat sportive që me dokumente terrenet e klubit “Partizani” janë blerë për 10 milionë lekë: “Klubi “Partizani”, sipas dokumenteve, është privatizuar. Forma e privatizimit është parashitje pronarëve të vjetër. Ministria e Mbrojtjes e ka nxjerrë për privatizim, që është kryer nga Ministria e Ekonomisë. Kjo ministri ka zbatuar procedurën e privatizimit, duke pyetur për shitjen ish‑pronarët.
Janë disa familje me shumë pjesëtarë që e kanë blerë klubin, me sa kam kuptuar nga dokumentet, për 100 milionë lekë të vjetra (më shumë mundësi, 80 për qind është blerë me bono privatizimi).” Javët e fundit pronarët kanë nisur meremetimin e ambienteve, për t’i shfrytëzuar me qira.
Drejtuesit e kuq duhet “t’i falënderojnë” këta pronarë, që po lejojnë zhvillimin e stërvitjes në terrenet e klubit. Prodani është shprehur se nuk ekziston më klubi “Partizani”: “Familjet që e kanë blerë klubin kanë depozituar në FSHF një kërkesë për t’i ndihmuar për mënyrën e menaxhimit, pasi duan ta shfrytëzojnë me qira për objekte sportive. Mund të shkojnë skuadra të ndryshme të qytetit të Tiranës për t’u stërvitur atje.
Mund të themi që nuk ekziston më klubi “Partizani”. Gjithmonë bëhet fjalë për terrenet.” Rasti “Partizani” është shembulli më i mirë i keqfunksionimit të privatizimit të këtij klubi. Lojtarët kanë gati dy vjet pa u paguar, çka ka ndikuar edhe në rënien në kategorinë e parë.
FSHF po bën përpjekje për të sjellë në Shqipëri konsulentë të UEFA-s dhe FIFA-s, të cilët do të këshillojnë Qeverinë Shqiptare për procedurat e privatizimit të skuadrave të futbollit. Në Shqipëri momentalisht janë bashkitë ato që mbrojnë interesat e klubeve, ndërkohë që biznesmenë të ndryshëm janë thjesht sponsorë.
“Partizani është një shoqëri e privatizuar 100%. Mosfunksionimi i kësaj skuadre e ka detyruar ministrinë të hezitojë në formulimin e procedurës së privatizimit të klubeve. Privatizimi 100% ka sjellë këto rezultate negative, që shkojnë deri aty sa të rrezikohet humbja e emrit. Personalisht mendoj që si Partizani dhe Dinamo duhej të ishin të Bashkisë së Tiranës. Presidenti Xhani tashmë ka të privatizuar vetëm stemën.
Juridikisht, sipas meje, kjo është një çështje e komplikuar. Kompania që ka blerë Partizanin trajtohet si tregtare, prandaj duhet pasur shumë kujdes që privatizuesit e klubeve të trajtohen si kompani sportive,” - është shprehur sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani.
5 shkrimet e fundit nga Adi Metaliu
Duka: Hetimi i UEFA-s ka mbështetjen tonë - 27/11/2009
Akuzat ndaj gjyqtarëve shkundin FSHF-në - 25/11/2009
Dinamo fiton me dhunë ndaj Apolonisë - 22/11/2009
Vasil Shkurtaj: E kam bërë zgjedhjen, Shqipëria! - 19/11/2009
Superliga, ngarkesë si tek ekipet e Champions-it - 19/11/2009