02 dhjetor 2009

Nga Dida te Huntelar, “mrekullitë” e Leonardos

Goleada shkatërruese e pësuar në derbin me Interin, barazimi zhgënjyes me Livornon dhe humbja me Zyrihun kanë bërë që trajneri i Milanit, Leonardo të marrë shumë kritika. Por, trajneri debutues me kalimin e kohës është ringritur edhe falë dëshirës së tij për t’i besuar disa elementëve të skuadrës, që nuk e kanë filluar mirë sezonin. Ronaldinjo, për shembull, ka qenë “kryevepra” e teknikut brazilian.
Leonardo ka ditur ta mbajë jashtë në momentin e duhur për ta riaktivizuar më pas, duke e ndihmuar në rigjetjen e besimit dhe entuziazmit. Në vazhdim vjen Dida, një tjetër brazilian që është aktivizuar vetëm për shkak të dëmtimeve të Storarit dhe Abiatit dhe madje ka arritur të ringrihet edhe pas gabimit amatoresk në ndeshjen në “Bernabeu” deri në atë pikë sa e ka ruajtur vendin e tij në portë edhe pas rikthimit të dy kolegëve.
Një tjetër sukses i Leonardos mban emrin e Marko Borrielos: sulmuesi, pas fillimit të mirë të sezonit, është ndalur për shkak të një dëmtimi, por trajneri ka besuar tek ai duke e përfshirë sërisht në formacionin titullar, duke lënë jashtë Inzagin dhe Huntelarin. Dhe është pikërisht hollandezi ‘mrekullia’ e fundit e teknikut brazilian. Para ndeshjes me Katanian, Leo kishte thënë se e kishte parë në formë të mirë. Në fund, edhe grupi i bashkuar (me përjashtim të Gatuzos) është meritë e punës së trajnerit dhe përqafimi që ka bashkuar në mesfushë të gjithë skuadrën kuqezi në fundin e ndeshjes në Katania, e konfirmon këtë.