02 dhjetor 2009

Objektivi i Totit, 200 gola dhe kombëtarja

Kapiteni i Romës ka konfirmuar dëshirën e tij për t’u rikthyer me Italinë: Do të vendos me Lipin
Një nga objektivat e tij është të arrijë në kuotën e 200 golave në Serinë A në këtë kampionat. Dhe më pas ku i dihet, në qershor mund të vijë një tjetër aventurë në botëror. Për Françesko Totin muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm: “Për rikthimin tim tek Italia flasin të gjithë, - tha numri 10 i Romës, - me Lipin do të vendosim në muajt mars-prill, do të shohim se në çfarë gjendje do të jem në atë moment.
Çdo të dielë, në fushat e lojës, takoj ish-shokët e kombëtares dhe të gjithë janë të kënaqur për një rikthim timin, sidomos veteranët”. Ndërkohë, duhet menduar për golat. Për të arritur në kuotën 200 duhen edhe 13 gola për t’ia shtuar 9 të tjerëve të shënuar deri tani në kampionat: “200 gola do të ishin padyshim një arritje e madhe, por besoj se mund t’ia dal”, ka thënë ai para se të lëshonte një mesazh në lidhje me kontratën e tij të re pesëvjeçare.
“E kemi nënshkruar, pres vetëm që Roma ta depozitojë, sinqerisht nuk e di pse nuk është bërë akoma një gjë e tillë”. Pengesa e fundit është ratifikimi që duhet t’i bëjë këshilli administrativ i klubit. Fjalë këto që mund të shqetësojnë tifozët verdhekuqë, sidomos në javën, që paraprin derbin. “Frikë nuk kemi, por sistematikisht në derbi fiton skuadra që ka më shumë probleme, për këtë arsye Lacio ka më shumë mundësi për të fituar… Nervozizmin e tifozëve e kuptoj.
Duan të dinë të vërtetën përsa i përket së ardhmes të klubit, edhe pse të vërtetën e dimë”. Toti ka folur edhe për çështjen “Baloteli”. “Disa herë në fushë mban një qëndrim që mund të duket fyes, por nuk e njoh personalisht. Koret kundër tij janë të bezdisshëm. Por atëherë duhet të ndalen të gjitha ndeshjet e Serisë A. Për shembull, të dielën në Bergamo unë jam ofenduar më shumë se një herë”. Më pas kapiteni verdhekuq përcakton edhe objektivin sezonal të Romës: “Eshtë vendi i katërt, por duhet t’i japim vazhdimësi rezultateve pozitive. Roma po kthehet ajo skuadër që duan të gjithë. Çfarë na mungonte në fillim? Ndoshta karakteri që na ka transmetuar Ranieri”, përfundoi Toti.