22 dhjetor 2009

Me Bekhamin e Gatuzon një Milan me alternativa

Falë mesfushorit anglez dhe Rinos, trajneri Leonardo do të ketë më shumë zgjidhje në dispozicion
Gjithçka si një vit më parë, pak a shumë: të njëjtat data, i njëjti hotel. Vetëm se këtë herë Devid Bakham nuk do të jetë lojtari i ri i grupit, ai që shikon gjithçka dhe regjistron gjithçka në mendje, dhe kur aktivizohet si titullar që në ditën e parë, pas pak seancash stërvitore, mendon se ndoshta është si një film. Këtë herë Devid Bekham është një siguri për Milanin, sepse në muajt e kaluar në “Milanelo” ka lënë, sipas shokëve të skuadrës, kujtime shumë të mira. Dhe Leonardo që në verën e kaluar ka thënë se do të donte ta stërviste sa më shpejt që të ishte e mundur.
KAMALEON - Më 28 dhetor Bekham do të rifillojë një histori të ndërprerë për pak muaj, duke e ndier veten si në shtëpinë e tij. Por do të gjejë një Milan ndryshe dhe një modul në të cilin duket e vështirë që ai të gjejë hapësira. Por në bazë të fjalëve të Leonardos, sipas të cilit, asgjë nuk është e pandryshueshme, është e mundur të parashikohet se me anglezin në dispozicion dhe me rikthimin në formë të Gatuzos, Milani do të jetë pak më shumë kamaleon. Nga ana tjetër, pikërisht tekniku e ka krahasuar veten me zvarranikun që ndryshon ngjyrën e lëkurës.
“Dua të jem gjithnjë dhe më shumë i aftë për t’u përshtatur me situatat e ndryshme”. Eshtë e mundur që të mendojë se edhe skuadra e tij duhet të jetë pak e tillë, dhe në fakt që nga ndeshja në Firence Milani mund të kishte ndryshuar lëkurë për shkak të gjendjes jo të mirë të Ronaldinjos, i cili do të ishte aktivizuar vetëm për një pjesë loje. Me Gatuzon, Milani mund të kthehet tek varianti klasik me tre lojtarë në mesfushë dhe Sedorfin mbrapa sulmuesve: një skemë e përdorur shumë herë në të kaluarën dhe që bën të mundur që skuadra të rrezikojë më pak kur lojtarët kryesorë nuk janë në maksimum.
ZGJIDHJE - Por Bekhami, atleti më i pasur në botë pas Tajger Vudsit, do ta bëjë më të pasur edhe Milanin, dhe nuk bëhet fjalë për para apo marketing. Me mesfushorin anglez, Leonardo do të ketë më shumë krosime në dispozicion dhe për rrjedhojë do të ketë mundësinë të shfrytëzojë më shpesh aftësitë e Huntelarit në lojën në ajër. Me Bekhamin Milani mund të përdorë një skemë 4-3-3. Anglezi mund të luajë në pozicionin e Pirlos ose edhe si mbrojtës në krahun e djathtë. Sigurisht, të luajë si mbrojtës krahu nuk është një gjë e zakonshme për Devidin, por zhdërvjelltësia e tij mund ta ndihmojë të kalojë vështirësitë që kanë bllokuar Flamininë. Bekhami do të bëjë gjithçka është e mundur për të luajtur rregullisht me Milanin dhe as kjo nuk është një gjë e re.