08 dhjetor 2009

Marseja, “formaliteti” i fundit për Realin

“Merengesit” luajnë ndaj skuadrës së Deshampit, që mund të kualifikohet vetëm me një fitore të thellë
Real Madridi do të jetë sërish pa Kakanë për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Marsejës. Një pikë e vetme u mjafton atyre për të siguruar kualifikimin në raundin tjetër. Kakà është i dëmtuar dhe nuk luajti as të shtunën kundër Almerias, madje nuk është në listën e 20 lojtarëve që do të udhëtojnë për në Francë, bashkë me Rud van Nistelroin, Gutin dhe Kristof Metzelderin. Edhe pa brazilianin, Reali është favorit për të vazhduar rrugën në Ligën e Kampionëve, pasi edhe humbja mund t’u japë madrilenëve kualifikimin.
Spanjollët kanë dy pikë më shumë se Milani i vendit të dytë në Grupin C dhe tri më shumë se Marseja, të cilën e kanë mundur 3-0 në Spanjë. Reali duhet të humbë me rezultat më të thellë se aq që të eliminohet. Sulmuesi Gonzalo Higuein ka thënë: “E dimë se kemi shanse të mira për t’u kualifikuar dhe do të duhet të ndodhte diçka e jashtëzakonshme që të eliminoheshim.”
Mbrojtësi Pepe është i mendimit se do të jetë një ndeshje e mirë për Realin, edhe pse Marseja ka humbur vetëm një ndeshje në fushën e vet në Ligën 1 të Francës dhe ka mundur Zyrihun 6-1 para tifozëve të vet. “Do të jetë një ndeshje e fortë dhe ne duhet të jemi shumë të përgatitur dhe të kujdesshëm. E dimë se nuk do të jetë e lehtë, por gjithçka varet prej nesh”, ka thënë ai. Kristiano Ronaldo ka shtuar: “Marseja luan bukur, por unë e di se do të jemi ne që do të kalojmë në fazën tjetër të turneut. Ne duhet të futemi në këtë ndeshje duke harruar gjithçka tjetër.”
Ronaldo rikthehet në Ligën e Kampionëve me mendjen në kampionat, ku në ndeshjen kundër Almerias mori karton të kuq. Ai shënoi një gol dhe dha një asist, por në fund u detyrua të largohej para kohe. Ai madje nuk festoi kur Benzema shënoi golin e tretë për Realin në fitoren 4-2, sepse Ronaldo sapo kishte humbur penalltinë. Kartoni i parë i verdhë i Ronaldos erdhi pas festimit për golin, sepse hoqi fanellën, ndërsa kartoni i dytë i verdhë dhe ai i kuq erdhi pas faullit të rëndë kundër Huan Ortiz.
Ronaldo është sërish në qendër të vëmendjes pasi do të luajë kundër Marsejës, një lojtar i së cilës i shkaktoi Ronaldos dëmtimin që e la dy muaj pa luajtur. Edhe pse mbrojtësi Sulejman Diavara arriti t’i merrte topin Ronaldos, ndërhyrja e tij ishte e gabuar dhe arbitri e ndëshkoi atë me karton të kuq, ndërsa Reali mori një penallti. Ronaldo arriti të luante edhe për disa minuta pas ndërhyrjes së Diavarasë, por më pas u zëvendësua. Më pas ai nuk luajti 10 ndeshjet e tjera për Realin pasi dëmtimi i pësuar në atë ndeshje iu keqësua kur luajti për Portugalinë.