08 dhjetor 2009

Milani shkon për garanci në Zyrih

Milani do të kërkojë të sigurojë vendin e vet në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve përballë zviceranëve të Zyrihut. Shtatë herë kampionët e Evropës nuk kanë qenë në formë të mirë në fillim të sezonit, madje janë mundur nga Zyrihu në tetor, ndërsa kundër Realit dhe Marsejës kanë marrë barazime në “San Siro”. Fitoret në fushën e Madridit dhe të Marsejës kanë qenë vendimtare për italianët dhe ata mund të kualifikohen tani nëse fitojnë kundër Zyrihut, që edhe në kampionatin zviceran po kalon një krizë të rëndë. “Ne duhet të kërkojmë fitoren në Zyrih”, ka thënë menaxheri i Milanit, Adriano Galiani.
Nëse Marseja nuk arrin të fitojë kundër Real Madridit, për Milanin edhe barazimi do të ishte i mjaftueshëm, por Galiani ka thënë se ata nuk duhet të presin ndihmë nga të tjerët. “Ne duhet të luajmë dhe të fitojmë vetë”, ka shtuar ai. Milani e ka kaluar periudhën e vështirë në kampionat dhe është në vend të dytë, katër pikë pas Interit, pasi të shtunën mundi 3-0 Sampdorian, duke korrur fitoren e pestë radhazi.
Nën drejtimin e trajnerit Leonardo, Milani e nisi sezonin keq, duke marrë nëntë pikë në shtatë ndeshje, por më pas ka marrë 22 pikë në tetë ndeshje, pra shtatë fitore e një barazim. Lojtari më i mirë i skuadrës ka qenë Ronaldinjo, dhënësi i dy asisteve në ndeshjen kundër Sampdorias. Ai u dëmtua në atë ndeshje, por pritet të luajë sonte në krah të Aleksandre Patos dhe Marko Borrielos, kurse Klarenc Sedorf do të jetë në mesfushë. “Më në fund po luaj në pozicionin tim të preferuar, në të majtë, si dikur te Barcelona”, ka thënë Ronaldinjo.