08 dhjetor 2009

Çelsi, ndeshje “morali” kundër APOEL-it

Duke qenë se e ka siguruar kualifikimin dhe vendin e parë në grup, Çelsi do të përpiqet ta shfrytëzojë ndeshjen kundër qipriotëve të APOEL-it për të ngritur moralin pas një jave të keqe në Angli. Çelsi u eliminua nga Kupa e Ligës javën që shkoi dhe më pas humbi 2-1 kundër Mançester Sitit, humbje që e shkurtoi vetëm në dy pikë diferencën e tyre me ndjekësit më të afërt në Premier Ligë. Çelsi u mund me penallti nga Blekbërni në Kupën e Ligës në transfertë, ndërkohë që edhe në kampionat u mund në transfertë.
Klubi londinez, që ishte finalist i Ligës së Kampionëve në vitin 2008, i ka fituar të gjitha ndeshjet në fushën e vet këtë sezon. Blutë duan që t’u tregojnë të gjithëve se humbjet e javës së shkuar nuk janë fillimi i një krize të mundshme. Në fundjavë Çelsi do të luajë kundër Evertonit dhe trajneri Karlo Ançeloti mund të vendosë të lërë pushim disa prej yjeve të skuadrës. Çelsi e ka siguruar vendin e parë dhe me të edhe një short më të favorshëm në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve.