22 dhjetor 2009

Mançini, 112 mln euro për merkaton te Mançester Siti

Në janar, trajneri kërkon të afrojë Kielinin, Maikon dhe Pandev

Emërimi i Roberto Mançinit në stolin e Mançester Sitit mund të shkaktojë një "tërmet" të vërtetë në merkaton e futbollistëve. Drejtuesit e "Sitizëns" kërkojnë me patjetër që skuadra të klasifikohet në zonën e lartë të klasifikimit dhe për të realizuar këtë objektiv, sheikët janë të gatshëm të investojnë shifra të rëndësishme, pavarësisht milionave të shpenzuara për afrimin e lojtarëve si Robinjo, Given, Tevez apo Adebajor. Sipas mediave britanike, trajneri i ri do të ketë në dispozicion diçka më shumë se 112 milionë euro (100 milionë sterlina), ku objektivi kryesor është përforcimi i repartit mbrojtës. Mançini nga ana e tij ka paraqitur një listë me lojtarët që preferon të ketë në skuadër, ku emri i parë është ai i mbrojtësit të Juventusit, Xhorxho Kielini. Duke qenë se skuadrat e mëdha ndërtohen mbi baza të forta difensive, ish-tekniku i Interit nuk kënaqet vetëm me lojtarin bardhezi. Sipas "Daily Telegraph", ai ka kërkuar të ketë në dispozicion edhe brazilianin Maikon, për shërbimet e të cilit Siti u interesua edhe gjatë verës që kaloi. Gjithsesi, blerja e dy mbrojtësve nuk do të jetë një mision i lehtë: Juventusi ashtu si edhe Interi do të rezistojë maksimalisht përpara ofertave të majme financiare, pasi Kielini dhe Maikon janë dy shtylla të rëndësishme në skuadrat respektive. Më i thjeshtë duket afrimi i sulmuesit Goran Pandev, që i ka prishur përfundimisht marrëdhëniet me Lacion dhe prej kohësh ndiqet nga Interi, Juventusi dhe Milani. Gjithsesi, prezenca e Mançinit te klubi anglez dhe burimet e pashtershme të pronarëve arabë do të shërbejnë si një garanci teknike për maqedonasin, i cili mund t‘i bashkohet projektit ambicioz të Sitit.
Duke u shkëputur nga merkato, trajneri do të përballet me një situatë vërtet të "nxehtë". Skuadra është shprehur publikisht se qëndron përkrah Hjuxhs, i cili u shkarkua nga detyra menjëherë pas fitores 4-3 të arritur në fundjavë kundër Sandërlendit. Gjatë mesditës së të dielës, Kreig Belami dhe Shei Given u takuan me drejtuesit, duke u kërkuar që të rishikonin vendimin e marrë. Por, gjithçka ishte vendosur, madje sipas asaj që shkruante "Daily Mail", marrëveshja ndërmjet Sitit dhe Mançinit është arritur në ditët e para të dhjetorit. Zgjedhja për të vonuar prezantimin e trajnerit të ri ka qenë strategjike: krerët e klubit synonin të evitonin pakënaqësi brenda grupit të lojtarëve, përpara sfidave delikate me Çelsin, Boltonin dhe Totenhemin. Në të gjithë këtë situatë, Mançini është shfaqur mjaft i qetë (ndoshta edhe më shumë sesa duhet). Por, edhe fakti që ai nuk duket aspak i shqetësuar për problemet e krijuara në dhomat e zhveshjes e ka një logjikë. Sipas burimeve pranë drejtuesit të stolit, Manço nuk do të dorëzohet përpara presioneve të lojtarëve. Përkundrazi, ai do t‘i detyrojë të zgjedhin dhe nuk përjashtohen "spastrimet". Elementëve që nuk e pranojnë vendimin e klubit do t‘u parashtrohen dy alternativa: "Me mua, ose largohuni në janar".
Ajo prej të cilës Mançini duhet të jetë i shqetësuar janë kuotat e basteve, që nuk flasin në favor të italianit. "Bookmaker"-sat anglezë kanë publikuar koeficientet për shkarkimin nga detyra të ish-trajnerit zikaltër. Lamtumira në fund të sezonit jepet me 1,25, ndërsa largimi gjatë këtij sezoni me 5,50.