12 dhjetor 2009

Lorik Cana, fitues edhe në poker 100 000 euro për fëmijët kosovarë

Kuqeziu tregoi aftësitë e tij edhe në turneun "Poker Stars", ku mposhti lojtarë profesionistë
Lorik Cana ka lindur për të qenë një fitues. Kjo jo vetëm në fushat e futbollit, por edhe në aktivitete për të cilat mesfushori shqiptar nuk është shumë i njohur. Pas paraqitjeve të jashtëzakonshme me fanellën e Sandërlendit në Premiershipin anglez, 26-vjeçari ka shpalosur aftësitë e tij edhe në tavolinën e pokerit. Cana ka fituar finalen e turneut "Stars of Poker" të zhvilluar në Nimes të Francës. Në këtë aktivitet morën pjesë gjashtë lojtarë profesionistë të pokerit, gjashtë të rinj të talentuar, që kanë treguar aftësitë e tyre në internet dhe gjashtë sportistë të disiplinave të ndryshme. Pas një loje maratonë të transmetuar në televizionin "Canal +", ku tregoi nerva të "hekurta", kuqeziu arriti të triumfonte. Si fitues i tavolinës, ai mori edhe 100 mijë euro, të cilat do t‘i dhurojë për bamirësi për fëmijët në Kosovë. Kjo nuk është hera e parë që Cana ndihmon vendlindjen e tij, sepse edhe më parë ai ka bërë vepra të admirueshme bamirësie.Në finale, kapiteni i Sandërlendit "theu" francezin Zhan Bubli, një lojtar profesionist i pokerit. Profesionisti tjetër, italiani Dario Mineri, u eliminua i pari në tavolinën finale, pavarësisht se në fillim ai kishte grumbulluar më shumë "çipsa" se rivalët. Pas tij tavolinën e braktisën edhe dy lojtarë të tjerë dhe tenistja amatore, Tatiana Golovin. "Loja ka qenë shumë e ngadaltë. Por në fund, dëshira dhe objektivi kryesor është gjithmonë që të fitosh, si në futboll ashtu edhe në poker. Edhe kjo ishte një garë", deklaroi Cana pas fitores. Mesfushori i Kombëtares është kualifikuari i pari për në finalen e madhe të "Stars of Poker", që do të zhvillohet me rastin e Festivalit të Kanës, ku fituesi do të marrë 200 mijë euro.