12 dhjetor 2009

Mançini, Xhentile, Hidink e Gasperini, në portën e Juves

Dalin në pah kandidaturat për pankinën e tronditur të trajnerit aktual, Çiro Ferrara
Roberto Mançini, Klaudio Xhentile, Gus Hidink, Xhian Piero Gasperini, por është e thënë se pas disa ditësh lista do zgjatet me kush e di kë. E thënë me terma të tjerë: Çiro Ferrara, nëse do të vazhdojë të mbajë pankinën e Juves, duhet të fitojë kundër Barit. Juve në kampionat bën hapa para, ndërsa në Champions me Bajernin ka një nga humbjet më të turpshme të historisë së saj. Kështu që, edhe pse futbollistët i premtojnë besnikëri të përjetshme, pankina e tij është tronditur. Pretendenti i parë është Mançini, i cili në një intervistë për "Tuttosport" nuk ka fshehur preferencat e tij: "Para së gjithash them, ka shpjeguar ish-trajneri i Interit, që nuk e di se ç‘duhet të bëj me jetën time dhe të ardhmen, pastaj duhet të precizoj disa gjëra: mbi të gjitha nuk kam folur keq për Juven, polemikat ekzistonin ndërmjet zyrtarëve të dy klubeve. Dhe e them për një arsye, e respektoj klubin bardhezi me të vërtetë". Që fëmijë, Mançio bënte tifo për Juven: "Edhe kur isha tek Interi, nuk e kam fshehur kurrë që kam bërë tifo që i vogël për bardhezinjtë. Kujtoj që nisesha me autobus që nga Jesi (provincë e Ankonës), për të shkuar në stadium, dhe këto janë momentet e jetës time, që askush nuk mund të m‘i heqë. Për më shumë, jam trajner profesionist, punoj për klubet që më duan, duke kërkuar të jap maksimumin, ndaj nëse Juve më do, jam gati". Presidenti i Juves, Blank, preferon Klaudio Xhentile. Për Hidink, ish-trajner i Kombëtares ruse, gjërat janë pak më të komplikuara. Atë e kërkon edhe Mançester Siti. Por kandidatura e Gasperinit, ish-trajnerit të Xhenoas, është një recetë e mirë për sezonin e ardhshëm. Por atëherë Juve mund ta ketë zgjidhur këtë çështje.