12 dhjetor 2009

Kuzhe, pak alternativa për "zborin"

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Josip Kuzhe, është ende në dilemë për sa i përket zborit stërvitor që pritet të zhvillohet 7 ditë në Turqi, pasi ende nuk e ka bërë listën me të gjithë lojtarët që do të duhet të grumbullohen. Por tekniku është shfaqur jo shumë optimist për kandidatët nga kampionati shqiptar. Lista për momentin është e paplotë, pasi ka shumë pak emra dhe kjo konfirmon atë që ka thënë Kuzhe, se "në kampionatin shqiptar të futbollit ka shumë kandidatë për të veshur bluzën e Kombëtares, ndaj do të shikohen edhe alternativat e tjera". Ndërkohë që nuk përjashtohet që trajneri i përfaqësues sonë të vëzhgojë nga afër disa nga futbollistët e rinj shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja europiane, ku një mundësi që ka fituar terren është edhe ajo e nisjes së tratativave për të marrë mbrojtësin kosovar të Bokumit, Mërgim Mavraj, i cili pasi u inkuadrua në radhët e U-21 të Gjermanisë, tashmë ka mbetur jashtë dhe mund të marrë në konsideratë një ofertë të Kombëtares së Shqipërisë.