23 dhjetor 2009

Liga e Kampionëve, me “dhurata” për Vit të Ri

Liga e Kampionëve “i dhuron” Fiorentinës 11 milionë euro për kalimin në fazën e Grupeve
Në bazë të një studimi të ri, të porositur nga “MasterCard”, sponsori zyrtar i Ligës së Kampionëve, klubet e kualifikuara në stadin 1/8 e finales mund të fitojnë 50 milionë euro. Profesor Sajmën Çedvik, një prej ekspertëve më në zë të biznesit sportiv dhe docent në Universitetin e Koventrisë për “Strategjinë e Biznesit Sportiv dhe Marketingun” shpjegoi se “Liga e Kampionëve vlen më shumë se 6 miliardë euro për ekonominë evropiane. Italia, Anglia dhe Spanja në këto 12 muajt e fundit janë përfituesit më të mëdhenj.
Kjo do të thotë se rendimenti vjetor i Ligës së Kampionëve krahasohet me fazën finale të Botërorit të zhvilluar në Gjermani‑2006″. Italia, që edicionin e kaluar kishte tri skuadra të kualifikuara për fazën e eliminimit të drejtpërdrejtë, pas Grupeve dhe me katër skuadra të pranishme në fazën e Grupeve këtë vit përfitoi 104.007.000 euro.
Në veçanti, në këtë edicion, Fiorentina nga skuadrat italiane meritoi të përfitonte më shumë, plot 11.1 milionë euro, ndërsa Inter dhe Milani janë në kufijtë e 9.9 milionë eurove secila. Më pas vjen Juventusi me 9.5 milionë pas eleminimit në grupin përkatës. Studimi i mbështetur nga “MasterCard”‑i merr parasysh një sërë faktorësh si shpërblimet UEFA në parà, një përqindje mbi përfitimet komerciale të turneut, në proporicion me të drejtat televizive, të ardhurat nga biletat e shitura, hyrjet nga marketingu, përfshirë aktivitete sponsorizimi, reklama, shitje produktesh ushqimorë dhe pijesh si dhe rritjen e doradorshme të skuadrave.
Në Ishullin Britanik, Arsenali, Çelsi dhe Man. Jun. thithën një përfitim rreth 35 milionë euro. Tre klubet angleze janë përfituesit më të mëdhenj, mes rivalëve evropianë, duke u bazuar në studimin e mësipërm dhe komponentët e realizimit të këtyre të ardhurave.
Po sipas këtij studimi del se “humbësit” e mëdhenj janë Liverpuli dhe Juventusi, që veç eleminimit në rrafshin sportiv, humbën edhe, të paktën 18 milionë euro për eleminimin në grupe. Në të vërtet, ish‑kampionët e Evropës, Liverpuli, realizoi edhe kështu 32 milionë euro. Profesor Çeduik shton se kampionët në fuqi të Ligës së Kampionëve, Barcelona përfitoi rreth 110 milionë euro për sezonin e shkuar.
Liverpuli meriton një vështrim të kujdesshëm, pasi edhe vetë pozita e tij sportive e financiare nuk është për t’u patur zili. Ato janë të humbur në garën për të sjellë futbollistë të klasit të lartë në “Anfield” krahasuar me rivalët e Çelsit dhe Man. Jun., duke pasur borxhe të mëdha në përpjekje për të ndërtuar një stadium të ri. Eleminimi në Ligën e Kampionëve e bën edhe më të vështirë rekuperimin nga nisja e dobët në Premier Ligë, duke vështirësuar së tepërmi edhe mundësitë e kualifikimit në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, teksa renditet në vendin e gjashtë. Del e pabesueshme kur numëron humbjet e Liverpulit në Premier, 6 në 16 javë, po aq sa kishte pësuar në dy sezonet paraardhës së bashku.
Klubi ka aktualisht 245 milionë euro borxh, ndërkohë që bashkëpronari, amerikani Tom Hiks u shpreh se ka hyrë në negociata për të shitur skuadrën e tij të bejzbollit, “Texas Rangers”. Premier Liga në veçanti, duke kualifikuar nëntë nga 12 gjysëmfinalistët e këtij kompeticioni në pak vite, kuptohet se si Ligë ka qenë më e avantazhuara në përfitime të realizuara.
Man. Jun. u kualifikua për finalen e një sezoni më parë, ndërsa në këtë edicion dhe këtë fazë të re ka përkrah Çelsin e Arsenalin, duke lënë rrugës Liverpulin. Me pak fjalë Anglia përfitoi 129 milionë euro si parà, nga UEFA d.m.th. 25.5 milionë euro më shumë se Italia dhe 47 milionë euro më shumë se Spanja.
Në këtë zë, dallohet kampionia e Francës, Bordoja, që e ka mbyllur Grupin përkatës në krye me 16 pikë; kjo i solli francezëve 11.5 milionë euro, gjithnjë si çmime të UEFA‑s.