16 dhjetor 2009

“Legjendat”, forca shtesë e Liverpulit!

Para ndeshjes me Uiganin do të përkujtohet 50-vjetori i emërimit si trajner të Shanklit, më i madhi i historisë
Hija e Bill Shanklit do të jetë e pranishme në mendjet e shumë tifozëve të Liverpulit sot në “Anfield” kundër Uiganit, pasi 50 vjet më parë ai mori drejtimin e skuadrës dhe e shndërroi atë thelbësisht. Nga një skuadër që luftonte në kategorinë e dytë, ai e bëri Liverpulin superfuqi të futbollit botëror në 15 vite si trajner i kësaj skuadre.
Ai do të mbahet mend sot kur 15 lojtarët që kanë luajtur nën drejtimin e tij në vitet 1960 dhe 1970, atëherë kur Liverpuli fitoi tre kampionate, dy Kupa të Federatës dhe Kupën UEFA, do të dalin në fushë dhe do ta nderojnë kujtimin e tij. Himni i preferuar i Shenklit, “Amazing Grace”, do të dëgjohet në stadium, ndërsa prania e lojtarëve të tillë si Tomi Smith, Kevin Kigan dhe Fil Tompson do të kthejë sërish në mendjet e të gjithëve epokën e artë të Liverpulit. “Shanks është trajneri më i madh i futbollit”, ka thënë Smith, ish-kapiten i skuadrës.
“Do të jetë nder për ne që të mblidhemi së bashku dhe ta kujtojmë e ta nderojmë, pasi ishim të privilegjuar që e patëm trajner.” Tifozëve më të moshuar u falet edhe nëse fillojnë e lotojnë teksa kujtojnë atë njeri që vuri themelet e Liverpulit modern dhe nisi epokën e dominimit të kësaj skuadre të madhe. Ky eveniment përkujtimor do të ushtrojë edhe më tepër presion ndaj trajnerit Rafael Benitez, i cili duket se ka hequr dorë nga sfida për titull këtë sezon. Humbja 2-1 e së dielës kundër Arsenalit në Premier Ligë e ka lënë Liverpulin në vend të shtatë, me 13 pikë më pak se Çelsi dhe i rrezikuar nga skuadra si Birmingem Siti dhe Fulhem. Liverpuli gjithashtu u eliminua nga Liga e Kampionëve.
enitezi sigurisht që do t’u qëndrojë larg shprehjeve të famshme të Shenklit, që e cilësojnë futbollin si më të rëndësishëm se jeta dhe vdekja, pasi e di mirë se do të gjykohet nga titujt e fituar. Benitez do të donte shumë të kishte një njeri si Shenkli që të mund t’i jepte disa këshilla në këto momente të vështira. “Të gjithë e dinë që ai ka qenë trajneri më i mirë i këtij klubi, pasi ndryshoi gjithçka”, ka thënë Benitez për Shenklin, i cili vdiq në vitin 1981 dhe statuja e të cilit është para stadiumit “Anfield”. “Të tjerët mund të kenë fituar më shumë trofe, por ai ishte njeriu që ndryshoi gjithçka.” Liverpuli i Benitezit duhet të ndryshojë diçka sa më shpejt nëse dëshiron që ky sezon të mos jetë i pakuptimtë dhe pa trofe.