16 dhjetor 2009

Montpelie-Bordo, përballja e kryesuesve

Vendi i dytë pret kampionët, që kryesojnë me katër pikë avantazh. Marseja dhe Lioni synojnë ngjitjen
Montpelie do të jetë sfiduesi kryesor i Bordosë për titull nëse arrin ta mundë sot kampionin në fuqi. Bordoja kryeson me 34 pikë pas 16 ndeshjesh, teksa ka katër pikë më shumë se Montpelie e vendit të dytë, e cila ka edhe një ndeshje më pak. Skuadra e Montpeliesë, që u ngjit në Ligën 1 këtë sezon, dhe Lorieni janë dy skuadrat e vetme që nuk janë mundur në fushat e tyre.
“Në fillim të sezonit nuk na shkonte mendja se në këtë fazë të kampionatit do të ishim me 30 pikë”, ka thënë trajneri i Montpeliesë, Rene Zhirard. Montpelieja e mbylli sezonin e shkuar në vend të dytë në Ligën 2 të Francës dhe tani gjendet në vend të dytë në Ligën 1, por megjithatë nuk është euforike dhe nuk mendon për titullin. “Nuk ka shumë rëndësi renditja, por që ne të mos dorëzohemi dhe të luajmë duke pasur një qëllim në vetvete”, ka thënë Zhirard. Montpelieja do të luajë kundër Bordosë që ka fituar pesë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, përfshirë atë kundër Lionit të dielën.
“Ne jemi të kënaqur me rezultatin, sepse Lioni është një rival i drejtpërdrejtë me të cilin do të kemi punë edhe më pas deri në fund të sezonit”, ka deklaruar trajneri Lorent Blank i Bordosë, skuadra e të cilit ka mbrojtjen më të fortë në ligë, por është jo aq e fortë në transfertë dhe ka humbur tri ndeshje deri tani. Marseja ndërkohë e ka lënë pas zhgënjimin nga eliminimi në Ligën e Kampionëve dhe po përpiqet të ngjitet në vendet e larta të renditjes. Aktualisht është në vend të katërt me 28 pikë dhe me një ndeshje më pak. Marseja është kritikuar si një skuadër pa stil loje që kur drejtimin e saj e ka marrë Didië Deshamp, i cili zëvendësoi Erik Geretsin në fund të sezonit të shkuar. “Eshtë e vështirë të bësh një vlerësim sot.
Ne jemi duke e ndërtuar skuadrën”, ka deklaruar mbrojtësi Lorent Bonart i Marsejës. Marseja do të luajë kundër Lorienit të vendit të gjashtë dhe në letër duket ndeshje e lehtë për marsejezët. Por sulmi i Lorienit, i prirë nga Kevin Gameiro (shtatë gola) dhe Marama Vahirua (gjashtë gola) ka shënuar më shumë gola se të gjithë në fushën e vet, kurse Marseja ka sulmin më produktiv në transfertë. Marseja nuk do të ketë deri në janar senegalezin Mamadu Niang për shkak të një dëmtimi në shpatull. Lioni ndërkohë është duke kaluar një moment të vështirë dhe ka rënë në vend të nëntë me 26 pikë.
Mbrojtësi Krik madje ka qenë kritik ndaj shokëve të skuadrës pas ndeshjes të së dielës duke e çuar në pesë numrin e ndesheve jo të mira nga Lioni. “Lionit sot i mungon karakteri”, ka thënë Kris për televizionin Canal Plus. “Mendoj se lojtarët që janë sot nuk tregojnë grintë. Ne kemi lojtarë të aftë, por nuk kanë karakter.” Hera e fundit që Lioni ishte kaq poshtë ishte në nëntor 1997. “Nuk kemi besimin e duhur për të përfituar nga lojërat që bëjmë, sidomos në veprimet”, ka shtuar Puel. Lioni pret Bulonjën, e cila ka mbrojtjen më të keqe të ligës. Eshte një sfidë sepse është në vend të parafnudit dhe ka humbur gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit.