07 dhjetor 2009

Lajme per Futbollistet Shqiptare

Mbrojtja – pika më e dobët

Kryetrajneri i Drenicës nga Skenderaj, Valdet Shoshi, është në negociata me një klub jashtë Kosovës. Ai tha se bisedimet janë duke vazhduar, por konkrete nuk ka asgjë.
Stinori vjeshtor në Raiffeisen Superligën e Kosovës nuk ka qenë i begatshëm për skuadrën e futbollit Drenica nga Skenderaj. Ata nga 17 ndeshje të zhvilluara shënuan gjashtë fitore, tri herë barazuan, pësuan tetë humbje, duke e zënë vendin e nëntë në renditjen e tabelës së klasifikimit me 21 pikë ose shtatë pikë më shumë se i fundit në tabelë, Kosova e Vushtrrisë. Skuadra e Drenicës ka pasur pikën më të dobët mbrojtjen, ku dëshmia më e mirë është se ka pësuar më së shumti gola, gjithsej 31. Kryetrajneri Valdet Shoshi ka thënë se duhet bërë një zgjidhje në repartin e mbrojtjes, por jo vetëm në këtë repart. Ai stinorin pranveror e planifikon më ndryshe sesa gjatë garave vjeshtore dhe një Drenicë më të fortë si në repartin e mbrojtjes, në atë të mesfushës, por kërkon edhe një sulmues të spikatur “Nga java e gjashtë e kampionatit e mora edhe timonin e skuadrës së Drenicës dhe realisht mund të jem i kënaqur me rezultatet që kemi arritur deri në fund të stinorit vjeshtor. Kemi mundur edhe më mirë të jemi në renditjen e tabelës, në bazë të lojërave që kemi dëshmuar, por nganjëherë edhe fati ta kthen shpinën. Në përgjithësi mund të them se nuk jemi edhe aq keq në tabelë, por me pak përforcime Drenica do të jetë edhe më lartë në renditje në vazhdim të kampionati”, tha Shoshi. Ajo që më së shumti e ka brengosur ka qenë largimi i papritur i futbollistit Arsim Plepollit, që ka qenë njëri prej sulmuesve më të shkathët. Ky futbollistë pati shkuar në Iran dhe patë lënë skuadrën në pozitë aspak të volitshme sa i përket vijës së sulmit. “Kur pata ardhur në krye të klubit të Drenicës pata mbetur edhe pa disa futbollistë, që vërtetë ka qenë një sfidë e vështirë edhe për mua. Mirëpo, me punën dhe angazhimin e të gjithëve në klub i tejkaluam disa situata dhe u shmangën nga fundi i tabelës. Më së shumti më ka brengosur largimi i Arsim Plepolli, i cili pati lënë një zbrazëtirë të madhe në sulm. Por edhe tërheqja nga klubi e futbollistit Brahim Vojvoda pati reflektuar mjaft shumë. Pastaj shkuan Rugova, Prekazi etj. Në stinorin pranveror mendoj se duhet përforcuar patjetër në repartin e mbrojtjes, e cila ka pasur mangësi shumë në vjeshtë, ku edhe pësuam shumë gola. Na duhet dy-tre mesfushorë të mirë, por kemi edhe mungesë të një sulmuesit të spikatur”, theksoi Vokshi. Në anën tjetër, përderisa Vokshi kërkon të ketë përforcime, e ardhmja e tij është në dyshim se mund të jetë deri në fund të kampionatit me Drenicën. Ai vetë e theksoi se ka një ofertë të mirë nga një skuadër jashtë Kosovës. “Kam një ofertë nga një skuadër jashtë Kosovës dhe tashmë e një kohë jam në negociata, por emrin e kësaj skuadre nuk dua ta publikoj për shkak se nuk ka ende diçka konkrete. Kalimi im në atë klub që jam në bisedime nuk do të bëj pa pëlqimin e kryesisë së KF Drenicës, e cila ka qenë korrekte deri më tash me mua”, tha Vokshi. Kryetrajneri Vokshi e ka falënderuar kryetarin e klubit të Drenicës, njëherësh edhe kompaninë “Rukolli” për kushtet të mira që i ka krijuar për punë gjatë stinorit vjeshtor.

Vojvoda: Nuk i kthehem futbollit më

Brahim Vojvoda nuk e ka ndërmend të rikthehet në futbollin e madh. Ai është i zhgënjyer më futbollin e madh pikërisht me drejtuesit e klubit të futbollit Drenica nga Skenderaj. “U pata tërheq nga skuadra e Drenicës për shkak që nuk kam mundur të kuptohem me kryesinë e kësaj skuadre. Ata atëkohë kërkonin diçka që nuk bëhet dhe as që mund të realizohet. Sipas tyre, duhej të shënoja gola në çdo ndeshje gola sikurse në kampionatet e kaluara. Prandaj, aq shumë isha i zhgënjyer e braktisa futbollin e madh dhe nuk e kam ndërmend t’i kthehem kësaj loje. Tash më ka rënë më mirë, po luaj futsall dhe punët më shkojnë më mirë”, tha Vojvoda.

Mehmedi e Nikçi - përballë yjeve të Milanit

Dy futbollistët shqiptarë, Admir Mehmedi e Adrian Nikçi, që luajnë në fanellën e skuadrës kampione të Zvicrës, Zurich, të martën mbrëma takohen me skuadrën e famshme italiane, Milanin, në kuadër të xhiros së fundit (6-të) të grupit C në Champions Leagua në futboll. Zurich ka humbur gjasat më herët që të shkojë më tutje, por së bashku me Mehmedin e Nikçin do të kërkojnë të përsërisin suksesin e arritur në Milan, kur patën fituar 1:0. Mehmedi e Nikçi varet nga trajneri Challandes a do t’i jepet rasti që të paraqiten në përbërje ndaj yjeve të Milanit. Kjo ndeshje zhvillohet në orën 20.45 dhe Milanit i duhet patjetër fitorja.

Gani Sejdiu: Oferta kam pasur, por...

Ish-trajneri i skuadrës së futbollit me traditë Trepçës nga Mitrovica, Gani Sejdiu, ende është i papunë dhe i pavendosur se në cilin klub do të jetë në stinorin pranveror. “Disa ditë me herët kam pasur disa oferta nga skuadrat e Kosovës, por kushtet çfarë më janë ofruar nuk më duken serioze. Edhe në Shqipëri nëpërmjet një menaxherit kam pasur disa kontakte, por nuk ma ka marrë mendja që të shkojë atje. Mirëpo, jam në pritje të ofertave të tjera dhe ato që janë më serioze edhe do të vendosi të nënshkruajë kontratën. Gjasat janë të mëdha që në stinorin pranveror të jem në njërën prej skuadrave të elitës së futbollit në Kosovë, por këtë do ta mësoni pas vitit të ri”, tha Sejdiu.