07 dhjetor 2009

Cana kërkon të bëhet pjesë e historisë së Sandërlendit

Kuqeziu kërkon që loja e tij luftarake të bëhet shembull edhe për shokët e skuadrës
Pasi është shndërruar shumë shpejt një prej personazheve kryesorë të klubit, tashmë Lorik Cana synon të shkruajë një kapitull të ri në historinë e Sandërlendit. Gjatë kohës kur nuk është i impenjuar në fushat e lojës, mesfushori shqiptar preferon të shëtisë rreth kështjellave dhe ndërtesave madhështore të verilindjes së Anglisë. "Gjithmonë mund të mësosh diçka nga e kaluara. Kjo e shpjegon pasionin tim për të lexuar rreth historisë. Sandërlendi është një skuadër, e cila ka fituar disa tituj në fillimet e tij, por prej asaj kohe ka vuajtur, duke luftuar për të mbijetuar. Aktualisht mendoj se detyra kryesore është që të ndryshojmë mentalitetin e klubit dhe të gjithkujt në qytet", deklaroi Cana për "Daily Express". "Kjo është një epokë e re, ku aktorët kryesorë janë lojtarët. Kemi një trajner të ri dhe një skuadër cilësore, të gjithë besojmë se mund të bëjmë gjëra të mira. Përpara një muaji takuam ish-futbollistët e Sandërlendit, që kishin fituar trofeun FA Cup në vitin 1973 dhe ata na treguan shumë gjëra rreth klubit. Kjo është një skuadër e madhe, e cila nuk ka arritur të jetë e suksesshme në 30 vitet e fundit". Kuqeziu shpreh edhe pikëpamjen e tij për situatën aktuale: "Nëse Sandërland është një armatë që shkon në luftë, kualiteti më i madh i ekipit është zemra. Ne luajmë me pasion dhe sulmojmë shumë mirë. Cilësia ime më e madhe është se luaj me zemër. Përkushtimi dhe entuziazmi më kanë ndihmuar të kem suksese".