09 dhjetor 2009

Lajme per Futbollistet dhe Futbollin Shqiptare

“Skuqet“ Kupa e Shqipërisë, përcaktohen ndeshjet çerekfinale

U luajtën ndeshjet e kthimit të 1/16 e Kupës së 58-të të Shqipërisë, duke përcaktuar kështu edhe cerekfinalet e kësaj veprimtarie kombëtare, që do të luhen në datat 3 dhe 17 shkurt 2010. Por, nga ajo që mund të thuhet që në krye të herës, ndeshjet e sotme kanë shfaqur dukuri të cuditshme, ku një lojtar braktis vullnetarisht fushën e lojës, sepse e ka kontestuar gjatë gjithë kohës tifozëria e vet, apo një trajner largohet vetë nga stoli, sepse ka patur ndërhyrje të mëdha nga faktorë të tjerë. Po kështu, fushat e përbaltura e të kthyera në xhol nga shiu janë skuqur nga kartonët e shumtë, të dhënë nga gjyqtarët përkatës. Kështu, në Vlorë, kolonjarët kanë marrë një barazim të artë, duke u kualifikuar, pas kontestimeve të panumërta e ndërprerjes së ndeshjes, për shkak se Gramozi nuk ka qenë dakord me mjaft vendime të gjyqtarit, ndërkohë që sulmuesi korcar i vendasve, Devis Mema, i bezdisur nga thirrjet pafund të tifozëve vlonjatë, që ta linte fushën e blertë, pasi nuk po shënon dot gol, e ka bërë këtë gjë vullnetarisht. Ka lënë lojën dhe është ulur në stolin e Flamurtarit. Por, me ndërhyrjen e stafit teknik të kuqezinjve, Mema është rikthyer në lojë, por cuditërisht pa u ndëshkuar as me karton të verdhë nga gjyqtari. Të njëjtin veprim ka bërë edhe trajneri i Gramozit, Agim Canaj, të cilit mësohet se i kanë ndërhyrë në stolin e tij që të mos luftonte kaq fort, sepse po linte jashtë Kupës së Shqipërisë Flamurtarin e vendlindjes së tij. Një gjë e tillë e ka detyruar Canajn ta braktisë stolin dhjetë minuta para mbarimit të ndeshjes, duke e lënë Gramozin të luftonte i vetëm në stadiumin “Flamurtari“. Përfundimisht, fituesja në fuqi e Kupës së 57-të të Shqipërisë, Flamurtari, mbetet jashtë cerekfinaleve të kësaj veprimtarie, duke lënë të vijojë më tej skuadra kolonjare.
E nxehtë dhe me kartonë të kuq (3 të tillë) ka qenë edhe ndeshja Fierit, ku Apolonia vendase ka fituar 2-1 me Skënderbeun, por nuk është kualifikuar dot për më tej, pasi e kishte humbur ndeshjen në Korcë. Rezultati i përgjithshëm i barabartë, 2-2, por me gol në fushën kundërshtare të Skënderbeut, i ka dhënë të drejtë këtij të fundit të shkojë në cerekfinale. Tre kartonë të kuq janë dhënë në këtë sfidë, dy për miqtë dhe një për vendasit.
Në Peqin, ka mjaftuar një gol, që Shkumbini të mundë Kastriotin. Një karton i kuq edhe në këtë ndeshje, për mbrojtësin Hoxha të krutanëve, cka tregon se edhe atje atmosfera ka qenë e nxehtë. Nisur nga barazimi i ndeshjes së parë në Krujë, 1-1, i takon Shkum,binit, që falë rezultatit të përgjithshëm 2-1, në favor të tij, të kualifikohet për më tej.
Kualifikim të pritshëm ka marrë Tirana, duke mundur në “Selman Stermasi“, në ndeshjen e kthimit, Lushnjën 2-1 dhe, duke llogaritur edhe barazimin 2-2 në ndeshjen e parë, gjithcka flet për bardheblutë, në një rezultat total 4-3. Edhe Vllaznia ka kaluar në turin tjetër të Kupës së 58-të të Shqipërisë, pasi ka triumfuar ndaj Kamzës së kategorisë së parë, me rezultatin total 5-3.
E nxehtë dhe me kartonë të kuq, por edhe me incidente mes lojtarëve e stafeve teknike, ka rezultuar ndeshja mes Dinamos dhe Bylisit. Madje në incident është përfshirë edhe zv.presidenti i Dinamos, Avni Brace, i cili ka goditur edhe trajnerin e portierëve të Bylisit. Blutë e kishin humbur ndeshjen e parë në Ballsh 1-0, ndaj kanë vuajtur shumë për ta kthyer kualifikimin në favor të tyre. Megjithatë, fundi i ndeshjes ka folur për Dinamon, që e ka fituar ndeshjen e kthimit, e luajtur në “Skënder Halili“ sot, 3-0. Teuta ka mundur 2-0 Partizanin dhe, nisur edhe nga barazimi 1-1 në ndeshjen e parë, kualifikohet për më tej. Besa ka barazuar 1-1 në shtëpi me Lacin, por falë fitores në ndeshjen e parë, të luajtur para dy javësh në Lezhë, ka kaluar në cerekfinale të Kupës.

Në mënyrë telegrafike, ja edhe pasqyra e plotë e 1/16 së Kupës së 58-të të Shqipërisë

Grupi A

TIRANA – Lushnja 2-1 (2-2)
DINAMO – Bylis 3-1 (0-1)
SHKUMBINI – Kastrioti 1-0 (1-1)
BESA – Laçi 1-1 (1-0)

Grupi B

VLLAZNIA – Kamza 2-2 (3-1)
TEUTA – Partizani 2-0 (1-1)
Flamurtari – GRAMOZI 1-1 (0-1)
Apolonia – SKËNDERBEU 2-1 (0-1)

Turi cerekfinal (3–17 shkurt 2010)

GRAMOZI-TEUTA
BESA-TIRANA
SHKUMBINI-DINAMO
SKENDERBEU-VLLAZNIA

Bokotola: Turbina ka rezerva të pakonsumuara

Pika e marrë në Velipojë ka bërë që grupi i futbollistëve ta cilësojë Turbinën skuadrën e surprizave për tifozerinë cërrikase. Riçard Bokotola, mesfushori afrikan i Turbinës, është vënë në qendër të vëmendjes së sportdashësve cërrikas, pasi goli i shënuar nga rreth 30 metra në Velipojë prej tij i ka “çmendur” ata. “Kam marrë shumë përgëzime nga shumë njerëz atë ditë, pas ndeshjes. Mund të them se jam ndierë i lumtur dhe i vlerësuar tej mase. Eshtë diçka që më pëlqen, aq më tepër që jam i huaj në Cërrik, ku nuk jam paragjykuar asnjëherë,” -është shprehur për “Sportin shqiptar” mesfushori Bokotola. Ai falënderon shokët e skuadrës dhe stafin teknik për vlerësimin dhe thekson se e dëshiron të qëndrojë te Turbina edhe për fazën e dytë. Sipas tij, kjo skuadër ka forca të pakonsumuara, që mund t’i shfrytëzojë në gjysmën e dytë të kampionatit. “Të shpresojmë që edhe Sisoko të jetë me ne gjatë fazës së dytë. Më impresionojnë ndeshjet më Shqipëri, sepse, pak a shumë, është si në Afrikë, ku ka shumë surpriza. Kjo i jep gjallëri skuadrës dhe gjithë kampionatit. Dëgjoj për probleme te Turbina dhe kjo nuk është aspak gjë e mirë. Futbolli të bashkon, nuk të ndan,” - ka përfunduar Bokotola. Ndërkohë, burime pranë klubit cërrikas saktësojnë se rikthimi i Sisokos është i afërt. Sulmuesi senegalez është kërkuar me ngulm nga drejtuesit e Turbinës para fillimit të sezonit,

Isufi pret një mbyllje me 6 pikë nga Gramshi

Rezultatet e javëve të fundit nuk janë në favor të Gramshit, që ka grumbulluar pak pikë. Megjithatë, besohet te marrja e pikëve të plota në dy ndeshjet e fundit të fazës së parë, me Sopotin brenda dhe me Luftëtarin në Gjirokastër. Trajneri Alpin Gallo u ka kërkuar të tijve maksimumin, me qëllim daljen nga situata kaotike, ndërsa ndihmësi i tij, Madrid Isufi, pohon për “Sportin shqiptar” se ekipi ka përgatitje të lartë fizike dhe mund të pretendojë më shumë. “Natyrisht që po trashëgojmë rezultatet negative të kësaj faze, siç janë barazimet me Skraparin dhe Elbasanin në fushën tonë. Nuk mund të kthehemi pas, ndaj ajo që na mbetet është të kërkojmë maksimumin në dy ndeshjet e fundit të fazës për t’i përmirësuar pozitat tona në tabelën e klasifikimit,” - tha numri 2 i stolit të Gramshit, Isufi. Pas përfundimit të fazës së parë, pritet që autoritetet më të larta të klubit, në analizën e fundit, të hedhin edhe strategjinë e duhur për mbijetesë. “Momentalisht, situata në grup shfaqet optimiste për formacionin, së paku në këto dy ndeshje të fundit. Kundërsharët tanë, Sopoti dhe Luftëtari, nuk të lënë shteg për nënvlerësim, ndaj impenjimi ynë do të jetë në nivelet maksimale. Mendoj se ekipit nuk i mbetet kohë për autokritika, por veçse për reagim pozitiv,” - ka përfunduar Isufi.

Dosti: Elbasani i bën llogaritë në fund

Ai që ka meritat më të mëdha për ecurinë e deritanishme të Elbasanit është pa dyshim trajneri Muharrem Dosti, i cili, edhe pa bërë shumë shpenzime në verë, e ka çuar skuadrën në vendin e 2-të. Trajneri Dosti e mori skuadrën në një moment të vështirë, por, falë punës dhe vlerësimit si duhet të grupit të lojtarëve që ka, arriti këto rezultate të kënaqshme. Po ashtu, i rëndësishëm është fakti që te skuadra verdheblu nuk ka qejfmbetje për formacionin ose ka shumë pak. Duhet theksuar se trajneri elbasanas e ka administruar shumë mirë skuadrën dhe, pas fitores në Gjirokastër me Luftëtarit, ai ndihet edhe më optimist. Në intervistën e mëposhtme për “Sportin shqiptar”, Dosti jep gjykimin e tij për gjendjen aktuale dhe të ardhmen e Elbasanit.
‑ Z.Dosti, një fitore mjaft e rëndësishme ajo në transfertë me Luftëtarin. Cili është komenti juaj?
- Patjetër që ky tripikësh ka shumë rëndësi për ne. Objektivi ynë ishte fitorja në fushën e e skuadrës gjirokastrite dhe, falë përgatitjes dhe vlerësimit të ndeshjes, arritëm atë që kërkonim.
‑ Duket qartë se ka shumë entuziazëm në skuadër…?
- Sigurisht. Nuk ka si të mos ketë, kur mendon sa të vëshira janë ndeshjet në transfertë. Një skuadre me pretendime për në superligë duhet të fitojë edhe jashtë, madje dhe në fushat e rivalëve. Kështu, fakti që fituam ndaj një skuadre të fortë, na ka dhënë shumë kënaqësi. Sikur të ishin të gjitha ambientet ashtu si në Gjirokastër, nuk do të flitej për dhunë dhe egërsi në kategorinë e parë.
‑ Ndryshimet që bëtë në formacion, sipas jush, janë një arsye për atë fitore?
- Në fakt, nuk është se kam bërë ndryshime të mëdha. Edhe në Gjirokastër kemi luajtur me një sulmues dhe me taktikë të njëjtë. Ndryshuam vetëm rolet e disa lojtarëve në të njëjtën skemë, por Kaçuli dhe Bello kanë luajtur edhe herë tjera në të tilla role. E rëndësishme për ne është se zhvilluam një ndeshje shumë të mirë.
‑ Por Elbasani ka vuajtur në fundin e ndeshjes, si shumë herë të tjera. Pse ndodh kjo?
- Nuk mendoj kështu. Në pjesën e parë dominuam dhe shënuam dy gola, ndërsa pas pësimit të golit patëm përsëri raste të pastra, siç ishte ai i Dalipit. Patëm edhe momente të vështira, ku duhet pranuar, por është diçka që ndodh normalisht në një ndeshje. Vendësit bënë presing dhe ne duhet të mbroheshim mirë. E përsëris, që loja e skuadrës ka ardhur në rritje.
‑ Dy ndeshjet e fundit të fazës së parë janë me Bilisht Sportin dhe Bylisin. Çfarë objektivi ka Elbasani?
- Elbasani, me traditën që ka, nuk mund t’i lejojë vetes të kënaqet me barazimin në një ndeshje, kudo qoftë. Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, që duhet të fitojmë patjetër. Çdo ndeshje e konsiderojmë si finale, pasi nuk e kemi luksin të lëshojmë, kur në kategorinë e parë, rikuperimi i pikëve është shumë i vështirë. Në fund pastaj duhet të bëjmë llogaritë.

Sinani: Luftëtari nuk duhet të dorëzohet

Mbrojtësi gjirokastrit, Besmir Sinani, në ndeshjen me Elbasanin, pasi e pa që sulmuesit e ekipit të tij nuk po e gjenin rrugën e rrjetës, doli nga “istikami” në mësymje dhe realizoi golin e nderit. Ai edhe mund të kishte barazuar, por nuk pati fat. U bë kështu golashënuesi i 7‑të për Luftëtarin, që tashmë gjendet 9 pikë pas vendit të 4‑t. Kanë mbetur edhe dy ndeshje për fazën e parë, e para në Kamëz me ekipin me të njëjtin emër, që pretendon superligën. Për humbjen me Elbasanin dhe ndeshjen e radhës, Sinani shprehet: “Me Elbasanin humbëm, sepse në pjesën e parë u treguam mjaft amatorë, ndikuam vetë në pësimin e dy golave, që nuk arritëm t’i neutralizojmë. Personalisht, u ndodha afër barazimit në një moment, por, me sa u pa, edhe fati nuk ishte me ne atë ditë. Edhe ndeshja e parafundit e fazës së parë është shumë e vështirë, sepse Kamza ka pretendimet e veta, për më tepër që luan para tifozëve të saj. Gjithsesi, edhe pse jemi tronditur disi pas goditjes së rëndë me Elbasanin, që na çoi në vendin e 10‑të, nuk duhet të dorëzohemi, sepse janë edhe shumë ndeshje përpara. Duhet të luajmë me të gjitha mundësitë tona, që mund të shmangim një humbje tjetër këtë javë. Brenga jonë mund të na motivojë këtë herë për diçka pozitive. Në këtë ndeshje nuk do të jem, pasi kam plotësuar numrin 3 të kartonëve të verdhë, por kam besim te kolegët se do të luftojnë si duhet për fanellën e Luftëtarit. Një reagim në Kamzë do të ishte shumë pozitiv në këtë moment, sepse do të mendonim ndryshe për fazën e dytë të kampionatit, që me siguri do të jetë më e vshtirë se e para.”

Meraku: Ky është Bilisht Sporti që dua

Bilishtarët kanë bërë disa hapa të rëndësishme përpara në javët e fundit. Pas javës së 13‑të, ata e shohin veten në vendin e 9-të tabelës së klasifikimit, duke u larguar ndjeshëm nga zona e ftohtë. Jo pak, por 6 shkallë ka ngjitur skuadra e presidentit Spartak Meraku brenda pak javësh, ku rezultatet kanë qenë bindëse. Nga 9 pikë të mundshme në 3 ndeshjet e fundit, Bilisht Sporti ka marrë 7, pasi ka barazuar me Pogradecin dhe ka mundur Turbinën dhe Memaliajn. Fitorja e fundit, duke qenë se është arritur pa 5 titullarë, ka vërtetuar se Bilisht Sporti është një skuadër e denjë për kategorinë e parë. Objektivi duke i realizuar për momentin, pasi bilishtarët janë pozicionuar në mesin e tabelës. Gëzimin nuk e fsheh aspak presidenti Spratak Meraku, i cili thekson se ky është Bilisht Sporti që dëshironte në fillim të sezonit: “Fitorja 3-0 me Memaliaj nuk ishte e papritur, pasi në fushën tonë jemi shumë të fortë. Forcën tonë e kanë provuar të gjitha skuadrat, që kanë ardhur këtu. Javët e fundit kemi pasur vetëm ngritje, duke bindur me lojë dhe rezultate. Nëse do ta kishim bërë këtë gjë që fillim të kampionatin, do të ishim në të tjera pozita. Me plot gojë mund të them se ky është Bilisht Sporti që kisha menduar që në fillim të sezonit. Jemi në një pozicion komod dhe në dy javët e fundit të fazës së parë besoj se do të ecim me këtë ritëm. Në transfertën e Elbasanit do të jetë shumë e vështirë, por ne shpresojmë, ndërsa ndeshjen me Burrelin në fushën tonë e llogarisim fitore. Objektivi ynë për këto dy ndeshje është marrja e 4 pikëve. Për Elbasanin i kemi në dispozicion të gjithë lojtarët dhe mendoj se do të tregojmë vlerat më të mira,” - tha dje presidenti‑trajner i Bilisht Sportit, Spartak Meraku

Kuzhe, sytë nga superliga për “zborin” e janarit

Prej ditës së djeshme, trajneri kroat i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ndodhet në në Tiranë, ku do të qëndrojë deri në përfundim të ndeshjeve të këtij viti. Më pas, pikërisht më 4 janar, kreu i pankinës kuqezi do të drejtojë “zborin” e kombëtares që do të zhvillohet në Turqi, përgjithësisht me futbollistë të kampionatit shqiptar. Në këtë grumbullim do të thirren lojtarët më të mirë të superligës, kryesisht ata të perspektivës, që kanë mundësi të rriten më tej profesionalisht, pse jo edhe të mbrojnë ngjyrat kuqezi në arenën ndërombëtare. Kjo praktikë është ndjekur thuajse çdo vit nga të trajnerët e huaj që kanë drejtuar Shqipërinë. Më pak se dy vjet më parë, pak muaj pasi kishte marrë detyrën e trajnerit, Ari Han zhvilloi “zborin” e fundit me kuqezinjtë e kampionatit tonë.
Lista e “zboristëve”: Javët e fundit të vitit do t’i mjaftojnë kroatit Kuzhe për të hartuar listën e futbollistëve që do të grumbullohen në “zborin” e Turqisë. Pikërisht për këtë arsye, gjatë javëve të mbetura të këtij viti ai do të vëzhgojë disa ndeshje të kampionatit, por edhe të kupës, për të krijuar një ide sa më të qartë rreth lojtarëve që do të provojë. Nesër kroati pritet të jetë i pranishëm në “Selman Stërmasi”, për të ndjekur ndeshje e kthimit të Kupës së 58-të të Shqipërisë, Tirana-Lushnja (2-2). Te Tirana luajnë disa të rinj të perspektivës, si Sefa, Muzaka, Lilaj etj., të cilët Kuzhe mendohet se do t’i grumbullojë në Turqi. Gjithashtu, Kuzhe është shprehur me nota pozitive edhe për Migen Memellin, që, fatkeqësisht, nuk do të jetë i pranishëm në fushën e blertë, pasi është pezulluar nga trajneri Alban Tafaj. Pas kupës, në fundjavë do të luhen ndeshjet e kampionatit, një mundësi e mirë për Kuzhen për të ndjekur ndeshjet më të forta. Shpërndarje e takimeve të shtunë e të diel i rezervon trajnerit kuqezi dy ndeshje, sigurisht edhe mundësinë për të përgjedhur ato, ku protagonistë janë lojtarët e perspektivës.
Lojtarët e parapëlqyer: Josip Kuzhe, në konferencën e fundit për shtyp, pas ndeshje së fundit eliminatore të Botërorit 2010 me Suedinë dhe miqësores me Estoninë, ka përmendur një listë lojtarësh të rinj, te të cilët duhet të bazohemi në të ardhmen. Elis Bakaj ishte futbollisti më i ri i fituar nga kombëtarja, ndërsa të tjerë si Veliu, Vila, Lika apo Sefa do të mbaheshin nën vëzhgim. Kuzhe ka përmendur edhe disa futbollistë të tjerë të talentuar të kampionatit shqiptar, të cilët i ka parë në takimet e Shpresës dhe të superligës. Kështu, Cikalleshi i Besës, Bala apo Shtubina i Vllaznisë, e pa dyshim Roshi i Flamurtarit përbëjnë grupin e lojtarëve që Kuzhe do t’i ketë në konsideratë gjatë “zborit” të janarit.

Parashikohen disa miqësore në Turqi

Gjatë muajit janar, për shkak të kushteve të favorshme klimaterike, në Turqi shumë skuadra europiane zhvillojnë fazën e janarit, kështu që po studiohen të gjitha mundësitë për zhvillimin e disa ndeshjeve miqësore. Momentalisht është herët për të folur me emra konkretë, gjithsesi në planet e Kuzhes janë përballje të forta, për të parë se deri ku mund të arrijnë futbollistët e kampionatit tonë.

Përmbarimi bllokon të ardhurat e Tiranës në FSHF!

Duket se telashet s’kanë të sosur në radhët e klubit të Tiranës. Tashmë pas borxhit që i ka klubi ish-presidentit Metush Seferi, thirrjes në Prokurori të shefit të klubit, Dimraj, por edhe gjobës që ka marrë ky i fundit, ka dalë sërish në skenë Përmbarimi. Kësaj radhe ka urdhëruar në FSHF të bllokojë të ardhurat që vijnë nga pjesëmarrja në kompeticionet europiane të skuadrës së Tiranës, që sezonin e shkuar mori pjesë në Ligën e Kampionëve. Kjo çështje e ka zanafillën shumë vite më parë, në kohën kur Metush Seferi ka qenë president i skuadrës së Tiranës (nga viti 1993 e deri më 1998), ndërsa shef klubi Skënder Hyka. Të dy ish-zyrtarët e Tiranës kanë firmosur një kontratë në mënyrë që të ardhurat në atë kohë të ndaheshin 50% klubi, po kaq edhe presidenti, post që mbahej nga Seferi. Çështja ka qenë e hapur edhe më vonë dhe Gjykata ka marrë vendimin e formës së prerë për t’i kthyer lekët ish-presidentit Seferi. Duke patur parasysh shumën fillestare të pretenduar nga ish-presidenti prej 36 milionë lekësh të reja, shto këtu edhe kamatë-vonesën prej 300 mijë lekësh në muaj, klubi i Tiranës i detyrohet Metush Seferit një shifër që i afrohet 500 milionë lekëve të vjetra. “Përmbarimi ka dhënë urdhër që të bllokohen në FSHF të gjitha të ardhurat që Tirana përfiton nga UEFA dhe grantet e shtetit. Gjithçka do të shkojë në llogari të “Internacional Trade” sh.p.k.,” - ka pohuar shefi i klubit të Tiranës, Rauf Dimraj. Bllokimi i të ardhurave të Tiranës është pohuar edhe nga burime të sigurta pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ku Përmbarimi ka shkuar që para një jave.

Dimraj: Klubi, i pafuqishëm të paguajë borxhin

Lidhur me këtë çështje, ka ardhur edhe reagimi i shefit të klubit të Tiranës, Rauf Dimraj, që në prononcimin për “Sportin shqiptar”, ka thënë: “Borxhi që pretendon Metush Seferi është 386.000.000 lekë të vjetra dhe gjyqi i shton kësaj shume edhe një kamatë gjobë për vonesën, që është gati 3.000.000 lekë të vjetra në muaj. Këto gjoba janë shtuar dhe shuma ka shkuar goxha e madhe, pasi kjo është një çështje që ka disa vite që po qarkullon. Si shpjegohet një dyndje e këtyre kërkesave në mënyrë intensive në momentin që unë drejtoj ekipin? Menjëherë më vihet një gjobë prej 500.000 lekësh të vjetra pa asnjë lloj arsyeje para tre muajsh pse nuk likuidoj paratë e borxhit. Para dy javësh, përveç shumës së mëparshme, jam paditur që të shkoj në Prokurori. Jemi klub buxhetor dhe të ardhurat vijnë nga Bashkia e Tiranës. Kkjo e fundit na jep sa ka mundësi, ndryshe nga sporti në botë që ka të ardhura dhe mbështetje financiare të jashtëzakonshme dhe shuma të mëdha për infrastrukturën dhe burimet njerëzore. Për mua vetëm kështu zhvillohet sporti. Imagjino nivelin që kemi ne,”- ka reaguar fillimisht shefi Dimraj. Por cila do të jetë rruga që do të ndiqet për ta zgjidhur këtë çështje? “Dje, nëpërmjet një shkrese, unë e kam kundërshtuar një veprim të tillë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ne në këtë mënyrë do të veprojmë. Një borxh i tillë e çon klubin drejt falimentimit, aq më tepër që shuma të tilla janë tepër të papërballueshme nga ne, duke parë edhe buxhetin që kemi. Nuk ekziston në asnjë vend të shtetit shqiptar që klubi buxhetor të gjobitet, se në atë kohë është krijuar një shoqëri e përbashkët e paautorizuar. Këtë e ka bërë Metush Seferi me ish-drejtorin e klubit që ka qenë në atë kohë. Ky problem është bërë kalvar. Ka një vendim gjyqësor të formës së prerë, edhe pse duket i çuditshëm që nuk e luftuan apo nuk e kundërshtuan gjatë asaj kohe. Duhet theksuar se është një borxh mbi të gjitha, por ne nuk mund ta lajmë me thërrimet që na japin dhe me fuqinë financiare që kemi si klub. Për mua, kjo do zgjidhet kur ky klub do të kthehet në Sh.A. Vetëm atëherë do të rritet fuqia financiare e këtij klubi. Të paktën unë kështu mendoj. Ia kemi kërkuar Bashkisë së Tiranës, nga ku varemi, që të na mbështesë ekonomikisht për t’i shlyer. Se sa, qysh apo tek, varet sa e kanë të mundur, apo sa fuqi kanë ata për ta përballuar. Ne si klub i kemi ndjekur të gjitha hallkat për të shlyer këtë shumë që është vendim gjyqësor, pra është ligj dhe duhet respektuar. Eshtë një vendim gjyësor që e zgjidh drejtësia dhe unë aty besoj për ta zgjidhur këtë çështje,”- përfundoi deklaratën e tij për “Sportin shqiptar” shefi i klubit të Tiranës, Rauf Dimraj. Çështja në fjalë është mes ish-presidentit Metush Seferi dhe Bashkisë së Tiranës që ka qenë dhe është pronare e klubit bardheblu. Kjo do të thotë se katër donatorët bardheblu (sot vetëm Refik Halili dhe Shefikat Ngjela) nuk i kanë asnjë detyrim financiar ish-presidentit Seferi.

Tafaj me dorë të hekurt: Këtu vendos unë!

Barazimi në ndeshjen me Skënderbeun dhe rezultatet jo të mira që ka arritur skuadra e Tiranës në javët e fundit, ka bërë që stafi teknik t’i shohë në raport ndryshe marrëdhëniet me lojtarët. Kështu, trajneri Alban Tafaj, nga sa bëhet e ditur gjatë ndeshjes me Skënderbeun ka debatuar me sulmuesin kryesor të bardhebluve, Migen Memelli, që e ka kritikuar edhe për lojën e tij. Duket paksa e pabesueshme, pasi gjatë deklaratave që ka dhënë në media të ndryshme ditë më parë, Alban Tafaj ka qenë i pari që nuk ka kërkuar sulmues në merkato, por ka theksuar disa herë se preferenca e tij është qëndrimi i sulmuesit Memelli. Vetë Tafaj, edhe gjatë kohës kur ka qenë në rikuperim e sipër, nuk i ka mohuar vlerat e lojtarit në fjalë. Debatet kanë vazhduar edhe dje me tone të ashpra në dhomat e zhveshjes, fill pasi kishte mbaruar seanca stërvitore, që u zhvillua në kompleksin sportiv “Skënder Halili”. Trajneri Tafaj, para se lojtarët të hynin në dhomat e zhveshjes, u ka komunikuar që të shohin emrat se kush do të jetë në 18-she për ndeshjen e radhës me Lushnjën që do të luhet sot e vlefshme për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Në këtë moment ka nisur edhe debati kur sulmuesi shtatlartë Migen Memelli nuk ka parë emrin e tij në listë dhe për këtë i ka kërkuar shpjegime trajnerit. Mirëpo ky i fundit i është kundërpërgjigjur menjëherë dhe i ka komunikuar lojtarit se është pezulluar pa afat. Memelli i ka thënë Tafajt se nuk ka të drejtë ta më pezullojë. Ndërkohë, trajneri, i kontaktuar mbrëmë nga “Sporti shqiptar”, ka thënë: “Mosrespektimi i detyrave të dhëna gjatë ndeshjes me Skënderbeun solli që unë ta kritikoja lojtarin, por e lashë në lojë, sepse doja të ruaja harmonizimin e grupit. Kam deklaruar se do ta lë jashtë për një afat të pacaktuar, mirëpo unë e lashë jashtë ndeshjes me Lushnjën për të parë edhe reagimin e tij se si do të jetë. Kam kërkuar që ai të sqarojë sa më parë edhe punën e kontratës, pasi siç edhe kam thënë më parë, unë kam dashur që të jetë pjesë e klubit kur kanë qarkulluar zëra për Pejiçin apo sulmues të tjerë,”- tha trajneri Alban Tafaj.

Pas ndeshjes me Lushnjën, skuadra në analizë

Ditën e hënë, pas barazimit me Skënderbeun dhe debatit që kishte ndodhur në Korçë mes trajnerit Tafaj dhe sulmuesit Memelli, ishte caktuar për t’u zhvilluar një analizë nga drejtuesit më të lartë të klubit. Ishte parashikuar që të merrte pjesë edhe presidenti Refik Halili. Mungesa e këtij të fundit ka bërë që analiza të shtyhet dhe ajo të bëhet pas ndeshjes me Lushnjën, ku do të diskutohet për çështje të ndryshme.

Dëmtohet Memelli gjatë përplasjes me Bicin

Skuadra e Tiranës ka zhvilluar vetëm një seancë stërvitore, atë të pasdites, ku kanë qenë të pranishëm të gjithë lojtarët nën urdhrat e stafit teknik. Ndërkohë, kur skuadra ishte ndarë në dy grupe dhe po zhvillonte lojë me dy porta, gjatë një përplasjeje me mbrojtësin Bici është dëmtuar sulmuesi Migen Memelli. Menjëherë ky i fundit ka lënë seancën dhe me të është marrë stafi mjekësor. Nuk dihet shkalla e dëmtimit të Memellit.

Kamza, “eksperimenti” i Vllaznisë para Kastriotit

Ndeshja e sotme kundër Kamzës do të jetë një “nxemje” për ekipin e Vllaznisë në pragndeshjen me Kastriotin. Sigurisht që objektivat në të dy këto sfida janë të njëjta, fitore, ato ndryshojnë nga njëra-tjetra. Kjo ngaqë ndaj skuadrës së kategorisë së parë, ballafaqimi i sotëm mund të konsiderohet një formalitet, ngaqë kuqeblutë e kanë fituar 3‑1 ndeshjen e parë dhe për rrjedhojë askush nuk mendon se ata do t’i lënë vendin ndonjë të papriture në këtë ndeshje të kthimit. Ndërkohë, me Kastriotin gjërat do të jenë ndryshe. Krutanët kanë bërë një paraqitje deri diku të mirë këtë sezon dhe kanë treguar se nuk munden lehtë. Duke qenë kështu, në Shkodër ata do të vijnë me objektivin e qartë për të marrë pikë. Këtë e kanë bërë të ditur edhe publikisht dhe për këtë arsye kanë nisur edhe ata përgatitjet për ndeshjen e së shtunës. Trajneri Luçi ende pret diçka më tepër nga lojtarët që ka në dispozicion. Vërtet në ndeshjet e fundit skuadra shkodrane ka treguar rritje në lojërat e saj, por kjo rritje nuk mjafton, nëse nuk shoqërohet me rezultate. Këto po mungojnë deri më tani dhe jo më kot Vllaznia gjendet në vendin e dhjetë në renditje. Për ndeshjen e sotme ndaj Kamzës nuk bëhet fjalë për ndonjë eksperiment të madh në formacion. Do të ketë sërish një alternim të disa lojtarëve të pjekur me ato të stolit dhe kaq. Vetë numri një i pankinës kuqeblu asnjëherë nuk ka qenë i mendimit se ndeshjet duhen nënvlerësuar dhe, për këtë arsye, do të bëjë një kombinim të formacionit për ndeshjen e sotme. Disa prej titullarëve do të jenë pushim, sepse do të ruhen për ndeshjen me Kastriotin. Nga ana e skuadrës shkodrane do të provohet ajo mënyrë loje me të cilin mendohet të luhet edhe në fundjavë. Luçi dhe stafi i tij e ka shumë të qartë se nuk do të jetë një ndeshje aspak e lehtë për ta. Vllaznia ka treguar se ka jo pak probleme në ballafaqimet me skuadrat pa shumë emër, të cilat vijnë për t’u mbrojtur dhe për rrjedhojë nuk kanë munguar as ndëshkimet në disa raste. Njëri nga titullarët e ekipit, pikërisht mbrojtësi Elvin Beqiri, duke folur në lidhje me pretendimet e skuadrës së tij në kupë e kampionat, ka thënë: “Nëse ne pretendojmë kupën, duhet ta tregojmë edhe në kampionat se e meritojmë këtë gjë. Duhet të zhvillojmë lojëra të mira, duke bindur me paraqitjet tonë dhe kur të ndodhë kështu, sigurisht që edhe kundërshtarët do të na kenë më frikë. Sot endemi në vendet e fundit në renditje dhe nuk mund të jemi kaq naivë sa të themi se kemi shumë shanse në kupë. Vërtet në këtë kompeticion kemi më tepër shanse për të shkuar deri në fund, sepse jemi të barabartë me kundërshtarët, por vetëm kaq. Nëse nuk bindim me lojë, do të jetë e vështirë për të pretenduar. Për këtë duhet të paraqitemi sa më mirë në kampionat, sepse vetëm kështu do të kthejmë në vend dinjitetin e skuadrës sonë.”

Klubi shkodran, kërkesë për më tepër fonde

Afrimi i Vitit të Ri ka bërë që të hartohen edhe projekt‑buxhetet e të gjitha institucioneve. Një gjë e tillë është duke u bërë edhe në Bashkinë Shkodër, e cila ka mbledhur edhe kërkesat e institucioneve që ka në vartësi. Klubi i futbollit “Vllaznia”, si një ndër to, natyrisht që në kërkesën e tij ka kërkuar fonde dhe e ka justifikuar këtë gjë thjesht vetëm me zbatimin e një ligji. Bëhet fjalë pikërisht për ligjin nr.1720, datë 29.10.2008, në të cilin Këshilli i Ministrave ka përcaktuar qartë kriteret e përcaktimit të sportistëve të nivelit të lartë si dhe në atë të përfitimit të trajtimit të sportistëve. Pikërisht në nenin 2, pika 2 e këtij ligji, shprehimisht thuhet: “Trajtimi ushqimor vjetor i një sportisti është deri në 2000 (dy mijë) lekë në ditë, për 25 ditë në muaj. Trajtimi mjekësor për medikamente dhe rehabilitim është deri 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj.” Vetëm duke iu referuar këtij ligji dhe zbatimit të tij, sigurisht që klubi i futbollit “Vllaznia” do përfitonte shumë më tepër fonde nga sa ka marrë deri më tani nga bashkia e qytetit. Përmes një deklarate për shtyp të shpërndarë dje, klubi kuqeblu ka ngritur këtë problem, ngaqë ka konstatuar se institucioni në fjalë sërish dëshiron ta anashkalojë këtë problem, ashtu siç ka bërë edhe vitin e kaluar.

Shkumbini tregoi se Besa ka stol të mirë

Eshtë folur shpesh që Besa gjatë këtij kampionati nuk ka pasur stolin që i nevojitej. Madje këtë sikur e përforcoi edhe deklarata e presidentit Bizhdili se ai do të futej në merkato në janar. Duket se Bizhdili dhe trajneri Duro, kur deklarojnë se Besa nuk ka luks në stol, kanë parasysh jo fitoret, por para së gjithash titullin kampion. Ky konkuzion vjen e bëhet realist nëse i referohesh takimit të fundit me Shkumbinin. Plot 5 futbollistë, ose 50% e ekipit, mungonte në këtë përballje dhe u mendua se kjo do t’i kushtonte jo pak objektivit, që ishte fitorja. Loja dhe rezultati treguan të kundërtën. Si në asnjë takim tjetër, duke llogaritur edhe fitoren spektakolare në Shkodër, ndaj Shkumbinit verdhezinjtë zhvilluan lojën më sulmuese që nga java e parë deri më tani. Ka qenë një Besë krejtësisht e lirshme në lojën e saj, duke qarkulluar fare lehtë dhe plot fantazi topin e dalë disa herë të vetëm përballë portierit peqinas. Si në asnjë takim tjetër, loja e Besës nuk u përqendrua vetëm te një sulmues i vetëm, siç është Daniel Xhafaj, por edhe vetë vlonjati u duk shumë herë më i rrezikshëm se herët e tjera. Mungoi Artion Poçi, por si në asnjë takim më parë pamë një Paulin Dhëmbi, që ishte rikthyer në formën e tij më të mirë. Mungoi vërtet Endri Vrapi, por pa asnjë vlerë më poshtë u paraqit Erand Hoxha, duke qenë partner ideal i Alban Dragushës. Mungoi Renato Arapi, por Liridon Leci në pozicionin e tij natyral tregoi se vetëm rastësia e përzgjedhjes e kishte lënë jashtë formacionit. Bazian Tragaj në vendin e Fagut që tregoi vërtet se nuk qëndron më poshtë se të tjerët. Ndërsa vetë Erbim Fagu iu rikthye “dashurisë së vjetër”, mesfushës e sulmit, duke dëshmuar se mbetet ndër futbollistët e paktë te Besa që kryen njësoj disa role. Mungoi Sokol Cikalleshi, por një mjeshtër si Bledar Mancaku di të bëjë po aq mirë sulmuesin, si mesfushorin. Të rinjtë që u aktivizuan, si Okshtuni e Dedej, treguan se mbeten alternativa serioze për Besën në raste të veçanta. I riu Egland Dedej madje pati premierën e tij me fanellën e Besës në superligë dhe tregoi se Besa, krahas Cikalleshit, ka akoma djemtë e saj si Dedej, Çelhaka, Okshtuni, që nesër mund të jenë pjesë e suksesit.

Halili: Memelli nuk do të ikë

Tirana dhe Migen Memelli, komplikohet historia e dashurisë. Pas debateve gjatë ndeshjes me Skënderbeun, trajneri Alban Tafaj vendosi të pezullojë sulmuesin për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë kundër Lushnjës.
Gjithçka ka ndodhur pas stërvitjes së djeshme, ndërsa sipas burimeve pranë klubit mësohet se fillimisht drejtuesi i stolit nuk ia kishte komunikuar vendimin 29-vjeçarit.
Një takim mes palëve, me tone jo shumë të qeta dhe më pas largimi i Memellit, që ka pranuar vendimin për ta ndjekur takimin e sotëm nga tribuna. Justifikimi i klubit për masën disiplinore lidhet me faktin se lojtari nuk ka zbatuar udhëzimet taktike në sfidën e Korçës, megjithatë për të sqaruar problemin pritet të ndërhyjë edhe presidenti Refik Halili.
"Pezullimin e Memellit e mësova nëpërmjet një telefonate. Ende nuk e di arsyen përse ka ndodhur, por meqë ndodhem jashtë Tiranës, nesër (sot) do të takoj lojtarin dhe trajnerin Tafaj dhe do ta sqaroj këtë problem".
Zërat janë të shumtë: madje sipas disa prej tyre, drejtuesit po mendojnë mos t‘i rinovojnë kontratën golashënuesit më të mirë të sezonit të kaluar për shkak të kushteve financiare. Pengesa kryesore për marrëveshjen duket se është rroga e lartë e Memellit.
Megjithatë, drejtuesi më i lartë bardheblu theksoi: "Mendoj se Memelli nuk do të ikë nga Tirana". Goleadori shihet si një element mjaft i rëndësishëm për skuadrën në këtë edicion të Kategorisë Superiore (fjalë të Tafajt, i cili vetëm pak ditë më parë ngulmonte që Memelli të qëndronte).
Në anën tjetër, te Tirana ende nuk i kanë humbur shpresat për titullin. Halili shtoi se kampionët në fuqi do të luftojnë deri në fund: "Gara për titull? Tirana nuk do të dorëzohet deri në minutën e fundit. Ne do të luftojmë që të arrijmë objektivat, të cilat i kemi përcaktuar në fillim të sezonit. Shpresojmë që kundërshtari (Dinamo) të bëjë të njëjtat gabime që kemi bërë edhe ne deri më tani, e të na japë mundësinë të afrohemi edhe më shumë.
Megjithatë, mund të them se vetëm prej emrit që ka klubi Tirana, ne e kemi të garantuar pjesëmarrjen në kupat e Europës. Mund të them se jemi ekipi më i mirë në kampionat, me lojtarët më cilësorë. Besoj shumë te kjo skuadër. Shpresoj që deri në fund të kampionatit të kemi shansin që të bëjmë më të mirën tonë".

Nikçi një hero i madh, përballë yjeve të Milanit

Futbollisti shqiptar, Adrian Nikçi, luajti titullarë te kampioni zviceran, Zurich, të cilët patën përballë yjet e Milanit. Kjo ndeshje përfundoi pa fitues, me rezultat 1:1, në kuadër të xhiros së gjashtë të grupit C në Champions Leagua në futboll. Nikçi luajti 74 minuta, i cili luftoi si burrat, duke dëshmuar formë të mirë përballë yjeve të njohur të Milanit. Adrian Nikçi pati një rast të mirë në minutën e 10-të, por gjuajtja e tij nuk pati sukses. Gajic shënoi në minutën e 30-të për epërsinë 1:0 te kampionit të Zvicrës, me të cilin rezultat përfundoi pjesa e parë. Në pjesën e dytë, Milani barazoi rezultatin falë golit të shënuar nga penalltia, nga mjeshtri i kësaj loje, superylli Ronaldinho pikërisht në minutën e 64-të. Në këtë minutë Zurich mbeti pa një futbollistë në fushë, pasi me karton të kuq ndëshkohet futbollisti Rochat. Nikçi 74 minuta luajti për mrekulli dhe është zëvendësuar nga futbollisti Vonlantheni. Zurich përshendetet nga Champions Leagua me vetëm katër pikë të tubuara dhe të gjitha pikët i ka fituara po nga Milani. Në Milan pati fituar me rezultat 0:1, ndërsa në Zurich luajti baras 1:1. Në pankinë ka qëndruar edhe futbollisti tjetër shqiptar, Admir Mehmedi, por nuk është aktivizuar fare në lojë. Zurich i përmbylli garat evropiane me barazim, ndërsa Milani siguroi shkuarjen në tetën e finales së Champions Leagua

Takimi Luzern-St. Gallen ose përballja Kukeli-Nushi

Ndeshja e kupës së Zvicrës në futboll do të zgjojë kërshërinë e futbolldashësve, pasi që takohen dy skuadrat mjaft cilësore të Superligës, Luzern-St. Gallen. Ky takim mund të quhet edhe përballja në mes futbollistëve shqiptarë: Burim Kukeli-Kristian Nushi. Futbollisti Kukeli është në përbërje bazë tashmë e një kohë të gjatë të Luzernit dhe njëri ndër më meritori për rezultatet e mira të kësaj skuadre. Edhe Nushi dëshmohet në radhët e St. Gallenit dhe udhëtojnë në Luzern për rezultat të favorshëm. Takimi do të zhvillohet të enjten mbrëma, me fillim në orën 19.00.

Zejnullahu në Prishtinë

Njëri prej sulmuesve më të mirë të Flamurtarit nga Prishtina, Faton Zejnullahu, sipas të gjithave gjasave në stinorin pranveror do të jetë në fanellën e skuadrës kampione, Prishtina. Sipas burimeve jozyrtare flitet se Zejnullahu ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e Prishtinës dhe të enjten më së largu deri të premten edhe pritet të bëhet zyrtare një gjë e tillë. Zejnullahu ka qenë edhe shtylla kryesore e Flamurtarit gjatë stinorit vjeshtor, i cili ka dëshmuar efikasitet në repartin e sulmit. Ky futbollistë është liruar nga klubi dhe nuk do të ketë më asnjë pengesë nga klubi kuqezi dhe vetëm pritet nënshkrimit i kontratës mes Prishtinës e Zejnullahut.

Brenda disa orëve përgjigja përfundimtare

Agron Selmani, ish-trajner i klubit të futbollit Gjilani në stinorin vjeshtor, por që pati dhënë dorëheqje të parevokueshme është në negociata me disa skuadra të elitës së futbollit. “Me disa skuadra jam duke negociuar, ndër to edhe me Vëllaznimin e Gjakovës. Blerim Mula është ai që më ka kontaktuar dhe ta shohim sesi do të shkojnë gjërat brenda disa orëve. Të enjten ose të premten mund të dihet edhe përfundimisht se do të gjejmë një marrëveshje me Vëllaznimin apo jo”, tha Selmani. Ish-kryetrajneri i Gjilanit, nuk ka pranuar t’i japë emrat e skuadrave të tjera, për arsye se vetëm sa ka nisur bisedimet.

Besa-Tirana takohen në çerekfinale

Tirana dhe Dinamo e Tiranës e siguruan kualifikimin në çerekfinale të kupës së Shqipërisë në futboll. Tirana në ndeshjen e kthimit e mundi me rezultat 2:1 Lushnjën, ndërsa Dinamo me shifra 3:1 mposhti Bylisin. Ndeshjet çerekfinale do të luhen në datat 3 dhe 17 shkurt 2010. Fushat e përbaltura e të kthyera në ujë nga shiu janë skuqur nga kartonët e shumtë, të dhënë nga gjyqtarët përkatës në këto ndeshje të kupës. Kështu, në Vlorë, kolonjarët kanë marrë një barazim të artë, duke u kualifikuar, pas kontestimeve të panumërta e ndërprerjes së ndeshjes, për shkak se Gramozi nuk ka qenë dakord me mjaft vendime të gjyqtarit.

Do të ftohen futbollistët e Superligës

Përzgjedhësi i kombëtares së Shqipërisë, Josip Kuzhe, ndodhet në Tiranë, ku do të qëndrojë deri në përfundim të ndeshjeve të këtij viti. Më pas, pikërisht më 4 janar, kreu i pankinës kuqezi do të drejtojë grumbullimin e kombëtares që do të zhvillohet në Turqi, përgjithësisht me futbollistë të kampionatit shqiptar. Në këtë grumbullim do të thirren lojtarët më të mirë të superligës, kryesisht ata të perspektivës, që kanë mundësi të rriten më tej profesionalisht, pse jo edhe të mbrojnë ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare. Kjo praktikë është ndjekur thuajse çdo vit nga të trajnerët e huaj që kanë drejtuar Shqipërinë.

Në kontakt me futbollistë afrikanë e amerikanë

Arbnor Morina, drejtor i skuadrës së futbollit Hysi nga Podujeva tha se politika e klubit është afatgjate dhe jo vetëm për stinorin pranveror. Drejtuesit e Hysit nëpërmjet menaxherëve të huaj, anglezë, zviceranë dhe bullgarë kanë nisur edhe negociatat me disa futbollistë cilësorë nga Afrika dhe Amerika latine. “Hysi ka një politikë afatgjate dhe mendon jo vetëm për këtë kampionat, por edhe për të ardhshmin. Kemi filluar tashmë negociatat me disa futbollistë të talentuar nga Afrika e Amerika latine, të cilët janë të grup-moshave U-19 e U-21. Me këta futbollistë që po bisedojmë nuk do t’i angazhojmë për stinorin pranveror, por mendojmë për afatin e korrikut dhe llogarisim për kampionatin e ardhshëm. Kjo është një politikë afatgjate dhe e qëlluar e klubit tonë. Brenda një kohe do t’i bëjmë zyrtare emrat e këtyre futbollistëve që jemi në kontakte. Bisedime shkojnë mjaft mirë dhe ka përparime të dukshme në këtë drejtim”, tha Morina. KF Hysi edicioni vjeshtor renditet në vendin e dytë me 30 pikë dhe vetëm dy pikë ka mbetur larg liderit të tabelës, Trepça nga Mitrovica. “Nëse është e nevojshme dhe e shohim të arsyeshme do të përforcohemi edhe me një futbollistë për stinorin pranveror. Deri më tash kemi përforcuar radhët me tre futbollistë: Yll Hoxha që është kthyer nga Finlanda dhe me Drilon Dragushën e Fisnik Papuçin nga Vëllaznimi. Hysi ka një skuadër cilësore dhe me përforcimet e bëra besoj se janë mbuluar zbrazëtirat në çdo repart”, theksoi Morina. Hysi është njëra nga skuadrat që ende nuk i ka ndërprerë përgatitjet. Morina ka thënë se në fundjavë ose në fillim të javës së ardhshme mund të shkojnë futbollistë në pushimin e merituar dimëror. “Pushimi i futbollistëve nuk do të zgjasë më shumë se deri më 5 janar. Me këtë datë do t’i fillojmë përgatitjet për pjesën pranverore dhe duhet punuar sa më shumë që të krijojmë një skuadër cilësore”, tha Morina. Ai shpreson që se shpejti FIFA do të pranojë kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës për mbrojtjen e kontratave të futbollistëve, të cilët nuk do të mund të shkojnë në klubet të tjera pa lejen e skuadrës përkatëse. Morina është optimist se Hysi do të jetë edhe më i fortë në pranverë dhe këtë e bazon në punën e përgjithshme që po bëhet dhe me kushtet ndër më të mira që ka nga skuadra të tjera të elitës së futbollit.

Zeka: Ky është kampionati i fundit për mua

“Zvogëlimi i ligës ka qenë shumë i frytshëm dhe kjo është parë në secilën javë. Tashmë ka ndërruar edhe mentaliteti dhe mund të fiton qoftë si vendas qoftë edhe jashtë fushës. Nuk ka pasur presione sikurse në të kaluarën kur vendasit dëshironin më çdo kusht t’i fitojnë ndeshjet ndaj skuadrës mysafire”, tha Haxhi Zeka, futbollistë i Besës.
Haxhi Zeka, me vite ka qenë besnik i skuadrës së Besës së Pejës dhe njëri prej sulmuesve më të mirë në Republikën e Kosovës. Ai dëshiron që karrierën ta përfundojë si shënuesi më i mirë në ligë dhe me skuadrën e tij të jetë edhe kampion i Kosovës. Zeka ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga futbolli, pasi ka bërë edhe vjetët. 36 vjeçari që ka dhënë kontribut vite me radhë në fanellën e skuadrës së futbollit Besa ka thënë se edhe gjashtë muaj do të luajë për skuadrën e zemrës edhe do të tërhiqet nga loja aktive. “Mendoj se mjaft kam luajtur futboll. Që shtatë vite rresht jam futbollistë standard i Besës dhe kam kaluar edhe pjesën më të mirë të jetës sime. Në Besë kam luajtur edhe para luftës, prandaj pjesën më të madhe të karrierës si futbollistë e kam kaluar në këtë skuadër. Do të luajë deri në fund të kampionatit, ku edhe do të përfundojë karrierën si futbollistë aktiv. Dëshira ime është që Besa të jetë kampione e Kosovës dhe unë si shënuesi më i mirë. Se mund të jem apo jo shënuesi më i mirë varet krejt nga loja që do të aplikojë skuadra e jonë në vazhdim të kampionatit në pjesën pranverore”, tha Zeka. Futbollist i shkathët, që dëshmojë cilësitë e tija edhe në stinorin vjeshtor, e ka vlerësuar si një prej kampionateve më interesante dhe me më rivalitet të madh. Besa stinorin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e gjashtë në tabelë me 25 pikë dhe me gjasa të mëdha të luftojë edhe për titullin e kampionit. “Nuk jemi edhe larg kreut të tabelës. Shtatë pikë nuk janë shumë për kryesuesin e tabelës dhe lehtë mund të zëmë madje edhe ta kalojmë me pikë. Besa me dy përforcime të mira që pritet t’i bëjë në stinorin pranveror konsiderojë se do të futet në valle për titullin e kampionit”, tha Zeka. Sipas këtij futbollistit, ndryshimi i sistemit të garave ka sjellë edhe frymë të re në futbollin e Kosovës, por edhe cilësi më të mirë sesa kampionatet e kaluara. “Zvogëlimi i ligës ka qenë shumë i frytshëm dhe kjo është parë në secilën javë. Tashmë ka ndërruar edhe mentaliteti dhe mund të fiton qoftë si vendas qoftë edhe si mysafirë pa kurrfarë telashe. Nuk ka pasur presione sikurse në të kaluarën kur vendasit dëshironin më çdo kusht t’i fitojnë ndeshjet. Jo vetëm Besa por secila skuadër ka mundur të fitojë jashtë fushës së vet, por edhe ke mundur të pëson humbje edhe në fushën tënde. Nuk është ditur kush është vendasi apo mysafiri. Kjo ka qenë gjëja më e mirë që ka qenë në futbollin e Kosovës. As kryesitë e skuadrave, as futbollistët, por as shikuesit nuk kanë bëtë presione sikurse në të kaluarën që kanë dëshiruar me çdo kusht ta mposhtin skuadrën mysafire. Humbja nga vendasi është pranuar në mënyrë sportive dhe kjo ka qenë ajo që më ka fascinuar më së shumti. Ndryshimi i sistemit të garave ka pasur shumëçka pozitive dhe mendoj se edhe në stinorin pranveror skuadrat do të dëshmojnë lojëra cilësore dhe korrektësi sikurse në stinorin vjeshtor”, -tha Haxhi Zeka.