17 dhjetor 2009

Lajme nga Kategoria Superiore e Shqiperise

Besa barazon me Tiranën, Dinamo shkon në +14

Ndeshja e fundit e javës së 14-të, e luajtur në stadiumin e Kavajës, mes Besës dhe Tiranës, është mbyllur në barazim 1-1, duke “cuar ujë në mullirin” e Dinamos, skuadrës kryesuese të kampionatit. Blutë, falë këtij barazimi të ndjekëses më të afërt të tyre, Besës, tashmë e shikojnë veten të distancuar nga kavajasit, me +14 pikë, të sigurtë drejt titullit kampion. Ndeshja në fjalë u luajt në një terren mjaft të rënduar të stadiumit kavajas, i cili u bë pengesë e madhe për zhvillimin e një loje normale. Madje Besës i mohoi një gol balta, sepse topi i goditur nga Daniel Xhafaj mbeti në llucë, teksa ishte drejtuar rrjetës së Nallbanit. Të parët që kaluan në epërsi kanë qenë verdhezinjtë, me anë të durrsakut Dritan Babamusta, në minutën e 23-të. Më tej loja është zhvilluar me luftë të fortë sportive, ku të dyja palët kërkonin të shënonin, Besa për të siguruar e dyfishuar epërsinë, ndërsa Tirana për të barazuar. Megjithatë, deri në minutën e 88-të, do të mbetej në fuqi goli i Babamustës, që u duk se do t’u jepte verdhezinjve 3 pikë të cmuara. Gjë që në fakt u ka ikur nga duart, kur nuk pritej. Një goditje dënimi, në minutën e 88-të, e ekzekutuar nga Julian Ahmataj, ka përfunduar në trekëndëshin e portierit Orges Shehi, i cili nuk kishte asnjë mundësi të reagonte. Kësisoji, barazim 1-1, pikërisht në atë kohë kur Besa nuk kishte mundësi të reagonte për të ndryshuar asgjë në favor të saj. Një barazim, që nuk i shërben shumë asnjërës palë, por distancon më shumë Dinamon kryesuese, tashmë në +14 pikë.

Plumbi drejtuar Jeminit, plumb për FSHF-në

90 minuta lojë në fushën e Peqinit në ndeshjen Shkumbini-Apolonia nuk treguan të vërtetën e hidhur, që ndodhi në dhomat e zhveshjes, pikërisht aty ku përgatiten gjyqtarët para takimit. Sepse gjykimi i Lorenc Jeminit ishte mëse korrekt, ndërsa palët e pranuan se morën atë që merituan. Disa ditë pas ndeshjes, mësohet se drejtues të Shkumbinit të Peqinit kanë kërcënuar gjyqtarët me në krye Jeminin, madje u kanë lënë si “dhuratë” një plumb, në shenjë “mirënjohjeje” për sjelljen e mirë që duhet të reflektonin në fushë. Kjo ngjarje vjen disa ditë pas një tjetri gjest të shëmtuar, ku janë përzier sërish drejtues të Shkumbinit: anësori Gerhard Qirici, pasi ka dalë jashtë qytetit të Peqinit, ndalet nga një “pritë”, goditet nga i njëjti protagonist, sepse Shkumbini nuk ka mundur të fitojë në fushën e tij me Gramozin. Janë dy ngjarje të rënda brenda një harku të shkurtër kohor. Lorenc Jemini e ka depozituar në FSHF provën e pakundërshtueshme, ndërkohë që nuk dëshiron të prononcohet, pasi edhe me rregullore nuk i lejohet. Qëndrim të pakuptueshëm kanë mbajtur edhe zyrtarët e federatës, që ndoshta kanë dashur ta kalojnë në heshtje ngjarjen e rëndë, që e nxorri në dritë media sportive. Shefi i garave, Ilir Shulku, ka pranuar më në fund që kjo ngjarje e rëndë do t’i kalojë për shqyrtim komisionit të disiplinës në mbledhjen e radhës, ku do të ballafaqohen palët. Viktima e “plumbit” nuk ka qenë vetëm Jemini, por edhe anësorët dhe gjyqtari i katërt, të gjithë të pranishëm në dhomën e gjyqtarëve. Futbolli shqiptar është mësuar me rrahjet, goditjet me sende të forta, ofendimet etj., por i kishte munguar vetëm plumbi i Jeminit, që në fakt është “plumb” për FSHF-në.

Terrenet e baltosura të stadiumeve, nota pakaluese e futbollit tonë!

Fushat e futbollit në stadiumet shqiptare janë në pikë të hallit. Java e 14‑të dhe e 15-të e superligës zbuluan problematikën e tyre, që realisht lë shumë për të dëshiruar, madje edhe aty ku tapetet janë bërë të rinj. Gjëja më shumë e dallueshme në të gjitha kronikat që televizionet transmetuan për ndeshjet e këtyre dy javëve ishin terrenet mjaft të papërshtatshme për të zhvilluar lojën e bukur të futbollit. Madje në disa ndeshje skuadrat u detyruan të ndryshojnë uniformat në pjesën e dytë, sepse ishte e vështirë të dalloje qoftë edhe numrat e tyre, apo emrat që shkruhen pas. Përjashto fushën e stadiumit të Laçit, e cila mbetet modeli më i mirë, të gjitha të tjerat kanë probleme, saqë edhe kronikat që pamë, të dukeshin më të dobëtat e gjithë këtij kampionati. Natyrisht që të tilla fusha me baltë ishin edhe pengesë për rezultate të tjera, apo cilësi në ndeshjet që u zhvilluan. Balta, apo gungat në fushë, pengonin skuadrat për të treguar aftësitë e tyre në ndërtimin e aksioneve. Në fakt ky është një problem jo i lindur, por i mbartur tek ne. Por petën lakrorit ia zbulon një ditë me mot të keq dhe me shi, ku nuk bëhet fjalë më për tapete me ngjyrë të gjelbërt, por për fusha që të duket se mbillen patate, apo çfardo gjëje tjetër. Aq e dallueshme ishte këto dy javë kjo dukuri, saqë topin ndonjëherë e kishe vështirë ta dalloje si objekt në fushë.
Tri janë arsyet që kemi këtë problem me terrenet tona të futbollit. E para, shumë ekipe stërviten aty ku edhe luajnë, të shtunën ose te dielën, që ndalohet kategorikisht me rregullore të FSHF‑së. E dyta është numri i shumtë i ndeshjeve brenda pak ditëve, duke penguar rehabilitimin e gjendjes së fushës, nga ndeshja tjetër dhe e treta, që më duket edhe më e rëndësishme, mungesa e investimeve në terrenet ndihmëse, siç janë ambientet e stërvitjes, ose anekeset që i kemi thënë prej vitesh. Fundi i nëntorit dhe muaj dhjetor kanë qenë të tejmbushur me ndeshje, sa të kampionatit, aq edhe të Kupës së Shqipërisë. Natyrisht kjo e dëmton shumë cilësinë e tapetit, sado i mirë të ishte ai.
Por duke iu rikthyer edhe njëherë problematikës së fushave dhe faktit që ekipe të ndryshme stërviten aty ku luajnë, mendoj që pika më e dobët në Shqipëri mbetet mungesa e terreneve të tjera ndihmëse për të zhvilluar stërvitjen. E kam fjalën për të ashtuquajturat anekse. Shpeshherë skuadrat tona e kalojnë stërvitjen duke vrapuar në ambiente të tjera, sepse mungon fusha ku stërviten. Modeli i një praktike të tillë mund të merret Partizani, të cilit tashmë i janë mbyllur edhe dyert e shtëpisë së tij. Imagjinoni kur flasim për ekipet e superligës, se çfarë mund të ndodhë me ekipet e kategorisë së parë, të dytë, të tretë, apo ekipet e moshave, që prej kohësh vuajnë mungesën e terreneve sportive. Pra, java e 14‑të dhe e 15-ta ishin nga më të trishtuarat e këtij kampionati, sepse nota jokaluese kishte emrin e terreneve, që lanë një shije aspak të mirë në sytë e të gjithë atyre që i panë. Natyrisht ne u shqetësuam, duke i parë në ekran, apo në stadium, por sa të rëndë e kanë aktorët e kësaj loje, futbollistët, që vërtet kanë vuajtur këtë gjendje aspak të mirë të fushave. Laçi mund të merrej si model, sepse aty nuk kuptohej nëse kishte rënë shi, apo jo. Kjo për faktin që tapeti mund të jetë më i ri dhe më i fortë e cilësor, por edhe për arsyen tjetër, që ndoshta përkujdesja këtu është më e madhe për cilësinë e fushës. Siç edhe kam dëgjuar, vetë presidenti Pashk Laska merret deri në detaje me organizmin e punës për mirëmbjatjen e terreneve sportive të futbollit në këtë qytet. Kjo është A‑ja e punës në futboll. Pa cilësi në infrastrukturë, s’mund të ketë cilësi në lojë dhe rezultat. Ndaj objektivi kryesor, qoftë për FSHF‑në, bashkitë, apo klubet, duhet të jetë një vend më lart në renditje, por edhe një fushë e mirë, apo një aneks, në shërbim të skuadrave të futbollit. Lexova në shtyp para pak ditësh për një projekt të federatës për stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Projekti në letër ishte marramendes, mjaft i bukur dhe i domosdoshëm për Shqipërinë. Por përpara se të shkojmë atje, mos duhet të bëjmë më të thjeshtën dhe më të rëndësishmen, pra të rregullojmë këto fusha që i kemi, por që në fakt edhe nuk i kemi, përderisa janë në këtë gjendje të mjerueshme. Ne kërkojmë të ngjitemi në majë, pa ndërtuar bazën. E thënë ndryshe kësaj i thonë të bësh dasëm pa nuse. Pra duhet të fillojnë gjërat nga e vogla, për të shkuar tek e madhja. Të bësh një stadium modern, askush nuk thotë jo, por edhe të kesh të gjitha fushat e tjera në këtë gjendje, kjo është aspak e moralshme. Armata e futbollistëve që përbën futbollin shqiptar luan në këto fusha që folëm më lart dhe jo në atë stadium, ku mund të luajë kombëtarja, apo disa ndeshje kampionati. Ndaj investimi është mirë të fillohet tek baza, për të shkuar më pas tek një objekt kaq i rëndësishëm, siç është stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”. Vetëm kështu mund të ecet përpara në futbolli

Xhani-Laci-Sallaku, presidenca e re drejtuese e Partizanit

Qysh të enjten e datës 17 dhjetor 2009, Futboll Klub “Partizani” ka ndryshuar strukturën e tij drejtuese. Nuk bëhet fjalë për një drejtor akademie, trajner skuadre apo më poshtë, por për mënyrën e funksionimit të presidencës së kuqe. E cila prej më shumë se një dekade mbahej nga Albert Xhani, me 100 për qind të aksioneve. Por, duke qenë se prej gati dy vitesh, Xhani nuk u është përgjigjur dot kërkesave normale financiare të një klubi futbolli, Partizani u katandis si mos më keq, duke rënë në kategorinë e parë, ku edhe militon aktualisht. Në një situatë të tillë, ku Xhani i vetëm nuk mundi dot të bënte asgjë, ai ka vendosur të hapë rrugë edhe për bashkëpunëtorë të tjerë. Proces i cili është zyrtarizuar të enjten e 17 dhjetorit përmes regjistrimit të Shoqërisë Aksionare të re të Partizanit, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), e cila mban 3 donatorë, ndër të cilët edhe Albert Xhani. Xhani ka mbajtur 50 përqind të aksioneve, Paro Laci ka mbajtur 40 përqind të aksioneve, ndërsa Lulezim Sallaku 10 përqind të aksioneve. Përmes një komunikate për shtyp, Futboll Klub “Partizani” ka njoftuar edhe ndryshimet e reja në funksionimin e presidencës së kuqe. Në të cilën shkruhet fjalë për fjalë:
“Ju bëjmë me dije se FK PARTIZANI, klubi legjendë i futbollit shqiptar, pas një periudhe prej më shumë se një viti e gjysëm, po kalonte një gjendje shumë të vështirë ekonomike. Sot FK PARTIZANI është pjesë e kategorisë së parë, një emër që po i mungon shumë Superligës. Presidenti dhe aksioneri i vetëm i FK PARTIZANIT, Z.Albert XHANI, vendosi me datën 14.12.2009 shitjen e 50% të aksioneve të shoqërisë, kundrejt një vlere, e cila do të ekuivalentohet vetëm në investime për ringritjen e FK PARTIZANIT.
Investimet nga të tre aksionerët do të jenë si në krijimin e një ekipi shumë cilësor dhe investimeve në infrastrukturë. Aksionerët e rinj të FK PARTIZANIT do të jenë dy nga fansët më të zjarrtë të PARTIZANIT: Zoti PARO LAÇI dhe Zoti Lulëzim SALLAKU. Shpejt nga vlerat e investimeve që do të kryhen do të shohim Partizanin e denjë, një ekip i cili do të bëjë realitet projektet e Zotit XHANI, i cili prej shumë vitesh është duke investuar dhe sakrifikuar duke hapur dyert për ortakët e rinj vetëm për të mirën e të ardhmes së ekipit të PARTIZANIT.
Pas arritjes së marrëveshjes, Asamleja e Aksionarëve në mbledhjen e saj të parë vendosi se drejtuesit në postet më të rëndësishme do të jenë:
- Zoti Albert XHANI, president i FK PARTIZANIT
- Zoti Paro LAÇI, Adminstrator i Shoqërisë Aksionare
- Zoti Sulejman STAROVA, Drejtori i Përgjithshëm Sportiv, i cili me aftësitë e tij të njohura në postet më të larta të futbollit shqiptar, do të fillojë ringritjen e ekipit të parë dhe administrimin e ekipeve zinxhir, të talenteve që nxjerr Akademia “Partizani”.
Duhet të falëndrojmë të gjithë lojtarët, pjesëtarët e stafit, të cilët kanë sakrifikuar gjatë kësaj periudhe të vështirë prej një viti e gjysëm. Një falënderim për fansat tanë në mbarë vendin, një premtim se shpejt do të shohim Partizanin legjendë, nën drejtimin XHANI-LAÇI-SALLAKU.
Falënderojmë aksionerët e rinj për gadishmërinë e treguar për të investuar për projektin e legjendës së futbollit shqiptar”.
Sa i takon projektit të 3 donatorëve të Partizanit, në qendër do të jetë rikthimi brenda këtij sezoni i Partizanit në superligë dhe më tej shpallja e tij kampion, trofe që i mungon prej dy dekadash. Në janar do të kryhet një merkato cilësorë, me qëllim që skuadrës të mos i mungojnë burimet e duhura njerëzore, futbollistë, për ta ringritur skuadrën në superligë. Gjithashtu, do të diskutohet edhe për stafin e ri drejtues të skuadrës, atij teknik, ku gjasat janë që të caktohet një trajner profesionist, emër i njohur në trajningun shqiptar, edhe kjo, në funksion të projektit të Xhanit-Lacit-Sallakut, i cili ka si pikënisje të tij rikthimin e skuadrës së kuqe në superligë.
Sa u takon emrave të rinj, donatorë të Partizanit, Paro Laci njihet si një nga tifozët dhe financuesit e Lacit, deri dje, madje ka qenë zv.president i skuadrës kurbinase deri në ndeshjen e fundit me Apoloninë, prej nga ka dhënë dorëheqjen, biznesmen në fusha të ndryshme, në Tiranë dhe në veri të Shqipërisë. Po kështu, Lulëzim Sallaku është një biznesmen në fushën e restoranteve në kryeqytet.