17 dhjetor 2009

A do t’i bëjë Ibrahimoviç të heshtin kritikët e tij?

Rrallë ndodh që të ndahen opinionet për futbollistët e mëdhenj, siç bën Zllatan Ibrahimoviçi. Ai në vetvete është si klubet e mëdha, Interi, Bajerni, Man.Junajtid, Çelsi, Liverpuli, Juve, Milani etj., ose dashurohen pa kufi, ose urrehen po kështu. Në rastin e Zllatanit, po të hedhësh një vështrim pas, sheh se atë hera‑herës e kanë kërkuar po këto klube të mëdha. A thua vallë pa arsye? Jo, me siguri ai e ka bërë mjaft mirë detyrën e vet, kudo ka luajtur. E megjithatë, nuk është i pakritikueshëm. Duke lënë mbresa nga më të mirat tek Ajaksi, Juventusi, Interi, gjigantit suedez iu dha edhe një mundësi e artë për të provuar vlerat e tij të mirëfillta, teksa Barcelona, kampione e Europës dhe triumfuese e pashoqe e një sezoni, për ta veshur atë blushegë, shpenzoi 40 milionë paundë, si para “të thata”, plus Etonë tek Interi. Investimi më i madh në historinë e katalanasve, me pritshmëri të mëdha, sikurse edhe të bazuara në aftësitë e suedezit. Kjo blerje do të kishte pushtuar edhe më shumë kryetitujt e medias dhe opinionin publik, nëse nuk do të ishin ato të Real Madridit, me afrimin e Kristiano Ronaldos dhe Kakasë.
Ibrahimoviçi, që në nisje kishte para vetes një detyrë shumë të vështirë. Ai duhej të bënte të harrohej një legjendë e Barçës dhe e tifozërisë, Samuel Eto. Kamerunasi ka shënuar një sërë golash shumë të rëndësishëm për ato, përfshirë edhe dy në dy finale të Ligës së Kampionëve, në 2006 dhe 2008. Aq më shumë se tifozëria e Barçës është mësuar “keq” me futbollin e shprehur prej skuadrave blushegë. Ato nuk do të pranonin asgjë që nuk është e përkryer dhe më e bukura në botë. Në tërësi, deri tani nuk shprehen të zhgënjyer me Zllatanin, siç e dinë se potenciali i tij kurrë nuk është derdhur i tëri. Atë e shoqërojnë me duartrokitje në çdo gjest, në çdo gol me ovacion dhe në çdo kombinim me Mesin, që kur del tek caqet e mrekullisë sportive.
Ibra, nga ana e tij, e shpërblen jo vetëm me rekord golash debutuesish, por vrapon, sakrifikon, kthehet rëndom në mbrojtje dhe jo vetëm në goditje standarde, por në shumicën e fazave të lojës. Pra, ku qëndron problemi? Përse vallë opinionet e ekspertëve janë kaq të ndarë në vlerësimet e tyre mbi Ibran? Problemi nuk qëndron tek shënimi i golave. Në kohën e Ajaksit, ai kishte një mesatare thuajse të pabesueshme: një gol në çdo dy ndeshje. Ky rendiment ra paksa me fanellën juventine, por tek Interi ai shënoi 57 gola në 88 ndeshje në Serinë A. Ai, po kështu, seç ka një “shije” për të shënuar gola spektakolarë, të pamendueshëm më parë, duke hyrë në enciklopeditë e futbollit. Bufoni dhe italianët e kujtojnë golin e tij me thembër në një Europian sot e kësaj dite! Në një ditë të mirë, normale, të shumta këto për Ibrahimoviçin, ai është makthi i çdo mbrojtësi. Forca dhe shtatlartësia e lejojnë ta mbulojë topin, ta mbajë atë lart, ndërkohë që pret të vijnë shokët për t’u përfshirë në aksion. Pasimi, vizioni dhe kontrolli i topit nga ana e tij e bëjnë tejet të paparashikueshëm. Nuk ndodh shpesh që një golashënues i pastër të ketë cilësinë e pasimit, nuhatjen e zhvendosjes së të tjerëve dhe leximin e qashtër të pozicionimit të mbrojtjes, jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Ibra e bën Barçën e sivjetshme edhe më të frikshme, paçka se nuk e treguan plotësisht ndaj Rubin Kazanit. Pastaj, Ibra, përkrah Mesit, Ksavit, Iniestës, me siguri merr përmasë të shtuar. Megjithatë, nuk mund ta mohosh shtypin kritik që merr suedezi. Qëndrim‑sjella e tij rregullisht ka qenë temë debatesh, diskutimesh dhe mosmiratimesh. Në një mënyrë të ngjashme me Dimitar Berbatovin e Man.Jun., gjuha e gjesteve apo trupit të tij nganjëherë interpretohet si tekanjoze, e zymtë dhe e painteresuar. Ai një ditë mund të jetë i shkëlqyer dhe tejet i vakët ditën tjetër. Për disa, stili i tij i lojës është quajtur egoist dhe rëndom nuk e ka bërë të dashur me ish‑shokët e skuadrës, shto edhe komentet e tij se tek Interi nuk kishte shumë futbollistë të klasit botëror dhe se vetëm ai shpesh i kishte “nxjerrë gështenjat nga zjarri për ata”. Trajneri i Aston Vilës, Martin O’Nill është mes kritikëve më të ashpër dhe të paepur të tij. Ai e quajti Ibrën futbollistin më të mbivlerësuar në botërorin e fundit dhe nuk është i vetmi që ka këtë mendim. Po kështu, suedezi bashkëshoqërohet nga një opinion tjetër, që nuk do ta donte asnjë futbollist i madh, apo i quajtur i tillë. Ai dështon të japë më të mirën, të jetë vendimtar në përplasje vendimtare, ndaj kritikët shpejtojnë të rendisin një sërë të tilla për Suedinë dhe klubet e tij, më së pari Interin, që edhe me atë eliminohej rregullisht, shpesh edhe herët në Ligën e Kampionëve. Kjo për atë bëhet e theksuar në përplasjet me klube angleze, në suazën e Ligës së Kampionëve. Thënë më butë, ndeshjet e tij kanë qenë të papëlqyeshme, që kanë lënë shumë për të dëshiruar dhe aspak pranë rendimentit të tij në Serinë A. Në 2006, si futbollist i Juventusit, ai thuajse ishte i padukshëm në të dy ndeshjet kundër Arsenalit. Dy vjet më vonë, tashmë pjesëtar i skuadrës plot talente të Interit, po kështu sipas opinionit të përgjithshëm, sulmuesi ishte inekzistent në të dy ndeshjet me eliminim të drejtpërdrejtë pas fazës së grupeve, kundër Liverpulit. Interi humbi në të dy ndeshjet me golavarazh 0‑3, pra nuk arriti të shënonte edhe një gol të vetëm. Në ato ndeshje, Ibra ishte thuajse anonim, duke mos treguar “stomak për beteja” me anglezët, që i kanë aq për qejf të tilla sfida në stade madhore. TIfozët anglezë, më së pari, mund të kenë pyetur veten: E ku është ai tmerr, siç na e përshkruan? Në vitin e kaluar, Man.Jun. u ndesh me një Ibrahimoviç të përmirësuar diçka në Ligën e Kampionëve, por përsëri ai nuk mundi ta mposhtë mbrojtjen angleze. Kontrolli i topit nga ana e tij, disa fragmente klasi të pastër, i lanë pa gojë tifozët e “Old Trafford”‑it, por edhe kështu mbeti pa frut. Interistët ia kanë në mend edhe golat e humbur. Kur rezultatet mungojnë dhe skuadra rrëshqet, asgjë nuk i zemëron më shumë tifozët sesa një futbollist, qoftë edhe i perceptuar se nuk është i angazhuar 100 % për kauzën e tyre dhe të klubit. Kjo veç të qenit një çështje etike, bën pjesë edhe në filozofinë e futbollit të kohëve tona. Pra, të gjithë ato që e kuptojnë sadopak futbollin, tashmë jo vetëm presin, por kërkojnë që sulmuesit të jenë fronti i parë i fazës mbrojtëse. Nëse sheh se sa punojnë në të gjithë fushën të ngjashmit e Fernando Torresit, Uejn Runit, Karlos Tevezit, e kupton se loja e bukur, aftësi të elementit të së bukurës me topin, madje edhe aftësia golashënuese, nuk janë qëllim në vetvete dhe as gjithëpërfshirëse. Superyjet pritet të ofrojnë paketën e plotë të një futbollisti, mbulim në të gjitha fazat e lojës, ndërhyrje në caqet e së ashprës, mbulim hapësirash dhe fazë e theksuar mbrojtëse në thellësi të gjysmëfushës së tyre. Duke pasur parasysh këto, ama nuk mund të injorohen vlerësimet e ardhura nga burime tejet “të besueshme” si Fabio Kapelo, Karlo Ançeloti dhe së fundi Zhoze Morinjo në drejtim të Zllatan Ibrahimoviçit; Kapelo dikur e përcaktoi sudezin si sulmuesin më të mirë në botë; ardhur nga një që e njeh futbollin me rrënjë dhe që i ka të kursyera lëvdatat, kjo merr peshë edhe më të madhe, veç kompetencës. Çështja është se Europa ende nuk e ka parë Ibrahimoviçin në Ligën e Kampionëve, Kupën e Europës për Shtete dhe Botërorë, çka i jep zjarr debatit dhe argumentimit që ai ka prirje për t’u davaritur në ndeshje të mëdha. Në llogari të fundit, ama ata që janë entuziastë për atë janë më të shumtë se sa kritikët e pamëshirshëm, apo tejet shijehollë. Mes të tjerash, Ibra ka ditur të bëhet i dashur për shokët e rinj tek Barça. Ksavi, truri i Barçës, në të gjitha sukseset, tani vonë tha: “Të gjithë mendojnë se Ibra është disi i paafrueshëm. Kjo nuk është e vërtetë. Ai është shumë i dashur, siç është përshtatur shumë shpejt dhe më së miri.”
Pep Guardiola pranon: “Ibrahimoviçi është futbollist që mund të bëjë shumë gjëra, në mos gjithçka. Ai për më tepër është shumë i fuqishëm. Ai ka dhe do të sjellë shumë në ekipin tonë.”
Sa kohë që debati mbi Ibrahimoviçin ka potencialin të vazhdojë, si pjesë e Barçës së re, vetë suedezi ka shansin t’i bëjë të heshtin kritikët e tij. Atij do t’i afrohen skenat më të mëdha të botës për t’u mbizotëruar me Barçën dhe, i rrethuar nga Mesi, Ksavi, Iniesta dhe treshja Henri‑Pedro‑Bojan, me shokë, mund të provojë se paratë e shpenzuara për blerjen e tij janë të frytshme. Mjafton që në triumfet e pritshme të blushegëve, ai të lërë gjurmë të fuqishme. Nëse nuk e bën me këtë Barcelonë, atëherë nuk do ta bëjë kurrë, me asnjë skuadër tjetër.