23 dhjetor 2009

Lajme nga Futbolli Shqiptar

Festë gala e FSHF-së, nderohen figurat e futbollit

Dje, në “Tirana International Hotel”, FSHF organizoi festën e fundvitit, ku morën pjesë aktorë të rëndësishëm të futbollit tonë
Tashmë është bërë traditë që në prag të festave të fundvitit Federata Shqiptare e Futbollit organizon një festë të madhe, ku janë të ftuar, përveç punonjësve, figurat më të shquara të futbollit shqiptar, drejtues të të gjitha klubeve të kategorisë superiore dhe asaj të parë, sigurisht edhe përfaqësues të mediave. Festën e këtij viti FSHF e kishte konceptuar ndryshe, duke i kushtuar më shumë rëndësi nderimit të figurave të futbollit.
Si zakonisht, fjalën e hapjes e mori presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili i përgëzoi të gjithë aktorët e futbollit në vend, që kanë dhënë dhe po japin kontribut për zhvillimin e kësaj loje të bukur, që mbërthen me emocione dashamirës në të gjithë vendin. Menjëherë pas fjalës së presidentit Duka nisi dhënia e çmimeve, që pasonin njëri-tjetrin. Çmimet kanë qenë nga më të ndryshmet, për figurat që nuk jetojnë më, por edhe për ata që me cilësitë e tyre i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar.
Vitin e fundit futbolli ynë fatkeqësisht ka humbur ish-futbollistë të talentuar, si Kujtim Majacin e Apolonisë apo Petro Rucin i Flamurtarit, Agim Muratin dhe Lefter Millon e Partizanit, kujtimi i të cilëve të ngjall emocione edhe sot, disa dekada pas kontributit që kanë dhënë si futbollistë. Ndarja e parakohshme e tyre nga jeta ka qenë e dhimbshme jo vetëm për familjarët, por për të gjithë komunitetin futbolldashës në vend. Janë nderuar gjithashtu me çmim ish-sulmuesi i shquar i Tiranës, Agustin Kola, dhe Ilir Përnaska i Dinamos, për kontributin që kanë dhënë në futbollin shqiptar. Këto çmime janë dhënë nga personazhe të njohura të futbollit dhe zyrtarë të FSHF-së dhe MTKRS-së.

Vrapi e quan turp po s’fituan me Gramozin

Mbrojtësi Endri Vrapi ende nuk i ka harruar pikët e lëna në Ersekë në fazën e parë
Do të jetë ekipi i Gramozit ai që do të mbyllë për Besën vitin 2009. Te verdhezinjtë akoma nuk ka mundur të harrohet ai barazim në Ersekë, ku Besa jo vetëm humbi 2 pikë, por doli “e sakatuar”, kur Poçi, Fagu e Cikalleshi lanë ndeshjen nga dëmtimet. Këto kujtime të hidhura sigurisht nuk janë harruar. Kjo e enjte do të jetë përgjigjja e Besës. Një ndër shtyllat e Besës këtë sezon, qendërmbrojtësi Endri Vrapi, e kujton kështu atë takim: “Pas takimit në Ersekë, mbetëm shumë të zhgënjyer, sepse shkuam atje për fitore dhe, sipas asaj çfarë paraqitëm, meritonim fitoren.
Ajo që s’më harrohet janë lufta mjaft e ashpër e miqve, ku Poçi, Cikalleshi e Fagu u detyruan të lënë takimin përgjysmë. Ka qenë një dypikësh i lënë, që si shumë të tjera, na kushtuan jo pak.” Ndërsa i pyetur mbi moszhvillimin e takimit në Korçë, Vrapi kujton më shumë torturën e rrugës, sesa vendimin e drejtuesve të FSHF-së për të mos luajtur takimin: “Ka qenë një udhëtim mjaft i lodhshëm e stresues, për faktin se nga Elbasani në Korçë, disa herë jemi detyruar të presim në borë, derisa rruga të zhbllokohej. E njëjta situatë edhe në kthim, por shyqyr Zotit që autobusin e kemi komod.” Një vuajtje të tillë e pranojnë të gjithë futbollistët verdhezinj.
Duke u kthyer te takimi i nesërm, tiranasi Vrapi nuk pranon të diskutohet fitorja, edhe pse nuk e mohon faktin se javët e fundit Gramozi është më i fortë. “Javët e fundit Gramozi ka treguar një formë mjaft të mirë, madje jo më kot është kualifikuar edhe në Kupën e Shqipërisë. Në këto kushte, ne e dimë që na pret një takim jo i lehtë, por nëse llogarisim kualitetet, është turp që Besa të mos fitojë. Kështu që do të kërkojmë vetëm fitoren. Dinamo humbi në Peqin e kjo është një tjetër shtysë se përse ne duhet të fitojmë patjetër. Grupi mbetet i plotë dhe nuk kemi asnjë mungesë. Faktor tjetër stimulues është edhe fakti se me Gramozin luajmë takimin e fundit për këtë vit e tifozët kërkojnë që ky vit të mbyllet me fitore, ashtu siç edhe filloi,” - thotë në fund mbrojtësi Endri Vrapi. Verdhezinjtë kanë një ndeshje mangët, atë me Skënderbeun, por siç deklaroi edhe Vrapi, janë lodhur më shumë sesa të luanin.

Canaj: Gramozi shikohet si ekip i vogël

Shumë i shqetësuar duket trajneri Agim Canaj, i cili është shprehur për atë që po i ndodh ekipit të tij nga gjyqtarët. “Ka njerëz që e shohin Gramozin inferior, por ne kemi treguar, sidomos në ndeshjet e fundit dhe në eliminimin e Flamurtarit nga kupa, që ishim shumë dinjitozë, dhe mendoj që në kurriz të një ekipi të vogël nuk mund të bëhen gjëra të tilla.
Nëse ndeshja në Vlorë luhej normalisht në të gjitha drejtimet, do t’i shtërngoja dorën kujtdo. Po kur ndërrohet edhe gjyqtari në momentet e fundit, sepse në fillim ishte caktuar Sokol Jareci, gjithçka pastaj fillon e “qelbet”. Megjithatë, unë i falënderova djemtë, që dhanë maksimumin. Ne jemi të detyruar ta vazhdojmë kampionatin me të gjitha problematikat e tij. Kemi një ndeshje të vështirë në Kavajë, por do të mundohemi të bëjmë diçka, duke parë edhe kartonët që morëm në ndeshjen e Vlorës, por edhe dëmtimet e mëdha që ne pësuam nga kjo ndeshje. Do të bëjmë të pamundurën për të marrë pikë në ndeshjen e fundit,” - është shprehur trajneri i Gramozit, Agim Canaj.

Mile, i vetmuar pa Hysën në sulm

Kapiteni i Teutës, Vangjel Mile, kërkon përqendrim maksimal për ndeshjen me Shkumbinin
“Të enjten duhet të kemi përqendrim maksimal, sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi Shkumbini është një pikë pas nesh dhe një hap fals në “Niko Dovana” do të na kushtonte shtrenjtë, sepse zbresim në tabelë, gjë që nuk duhet të ndodhë.” Kështu shprehet kapiteni i Teutës, Vangjel Mile, i cili komenton ndeshjen kundër Shkumbinit, por edhe humbjen e hidhur në Shkodër.
Mile shprehet se ekipi nuk luajti keq në Shkodër, por terreni ishte pengesë për lojën e shpejtë të durrsakëve, ndërkohë që në sulm u ndje mungesa e Hysës. Kapiteni i durrsakëve shton se ndoshta dhe fati ishte me Vllazninë. “Ishte një humbje e hidhur, sepse nuk e meritonim, pasi loja jonë ishte e mirë, duke pasur parasysh terrenin e vështirë ku u luajt, por edhe mungesat që kishim në formacion.
Pa Hysën në krah, unë isha disi i izoluar në sulm e megjithatë krijuam raste për shënim dhe me pak fat mund të kishim dalë në barazim. Hysa ka një tërheqje në këmbë dhe, për fat të keq, nuk luan as kundër Shkumbinit të enjten. Mungesa e tij sigurisht ndikon, pasi ne krijojmë një dyshe të shpejtë sulmuese, që siç e keni parë edhe në ndeshje të tjera, kemi shënuar dhe kemi pasur edhe shumë raste shënimi. Jemi mësuar mjaft mirë me lojën e njëri-tjetrit dhe e dimë symbyllur se ku duhet t’ia pasojmë topin njëri-tjetrit. Mungesa e tij sigurisht ndikon në sulm, por gjithsesi ne duhet të bëjmë detyrën dhe të fitojmë në ndeshjen e ardhshme, pavarësisht mungesave.
Gjithsesi, për mënyrën e shpejtë të lojës sulmuese që ka Teuta, terreni na pengoi shumë dhe mendoj se në një terren të mirë loja do të kishte pasur tjetër rrjedhë, pavarësisht se ishte në transfertë,” - ka theksuar Mile, i cili thotë se, pavarësisht humbjes në Shkodër, nuk ka ndikim psikologjik të rëndë te durrsakët. “Nuk ka kohë për t’u menduar, pasi luajmë me Shkumbinin. Duhet lënë pas menjëherë Shkodra dhe në fakt ne e filluam stërvitjen që të hënën për ndeshjen me Shkumbinin.
Eshtë kjo ndeshje që do përqendrim maksimal, pasi është një ndeshje vendimtare, pasi Shkumbini është një pikë pas nesh dhe një hap fals do të na kushtonte shtrenjtë. Duhet vetëm përqendrim dhe seriozitet, në mënyrë që të fitojmë tri pikë, që të konsolidojmë pozitat në klasifikim dhe t’i bëjmë një mbyllje të mirë vitit 2009. Do t’u kërkoja tifozëve tanë që të na mbështesin sa më shumë në këtë ndeshje, ku ne do të tregojmë vlerat tona. Kjo do të jetë prova e vërtetë për ekipin tonë dhe vazhdimësinë e tij,” - përfundon kapiteni i Teutës, Vangjel Mile.

Shuaipi: Në Krujë nuk shohim emrin e ekipit

Ndeshja me Tiranën po pritet me shumë interes te sportdashësit krutanë, të cilët presin reagimin e skuadrës së tyre në ndeshjen e sotme. Skuadra ka vijuar normalisht seancat stërvitore në kompleksin të skuadrës kombëtare në Kamëz. Ndërkohë që vetëm dje ajo u zhvillua në stadiumin e qytetit, atje ku do të zhvillohet ndeshja e sotme. Humbja e pësuar ndaj Laçit në fundjavën e kaluar, nuk ka shkaktuar asnjë shqetësim në radhët e futbollistëve të skuadrës, të cilët pretendojnë të kenë marrë ngarkesën e duhur për të përballuar me sukses ndeshjen ndaj bardhebluve.
Drejtori teknik i skuadrës krutane, Sami Shuaipi, ndihet optimist se ndeshja ndaj Tiranës do të kalohet me sukses. Një gjë të tillë ai bazon te lojërat e mira që ka zhilluar skuadra e tij, sidomos në ndeshjen e zhvilluar një javë më parë ndaj Shkumbinit, e zhvilluar në Krujë. “Pavarësisht nga mungesat që kemi, ky kontigjent lojtarësh e mundi skuadrën e Shkumbinit, madje me rezultat të thellë. Me këtë dua të them se, me përkushtim dhe me besim te vetja, çdo gjë arrihet,” - shprehet drejtori teknik i krutanëve.
Këto ditë te skuadra krutane ka pasur zhvillime interesante. Ashtu siç është bërë e ditur, në seancat stërvitore të kësaj jave është përfshirë edhe një futbollist slloven. Me CV‑në e servirur nga menxheri i tij u mendua se prova duhet të ishte diçka formale, por rezultoi tërësisht e kundërta. Drejtori teknik i krutanëve pohoi se futbollisti që gjoja kishte luajtur me Shturmin e Grazit të Austrisë, nuk vlente për skuadrën e Kastriotit.

Pas Alvizhit, ikën edhe Junior e Gjukiç

Shkon në tre numri i lojtarëve të larguar nga Flamurtari, të tre të huaj, priten të tjerë
Ndeshja e fundit për vitin 2009 për ekipin e Flamurtarit luhet në Shkodër dhe pikërisht ndaj ekipit të Vllaznisë, që ashtu si edhe vlonjatët, nuk ka arritur të tregojë vlerat më të mira për këtë sezon. Të dy ekipet vijnë në këtë takim pas fitoreve të arritura në ndeshjet e javës së kaluar dhe natyrisht kërkojnë të vijojnë serinë e rezultateve pozitive.
Pikërisht për këtë qëllim zv/trajneri i Flamurtarit, Sokol Branica, ka pranuar se takimi është vlerësuar maksimalisht dhe natyrisht do të kërkohet që të vijohet me rezultatet pozitive. “Vijmë në këtë ndeshje më të karikuar, pas fitores me Gramozin. Do të kërkojmë të vijojmë rezultatet pozitive. Luhet mes dy ekipeve rivale dhe natyrisht ndeshja paraqitet jo e lehtë. Ne do të kërkojmë të bëjmë më të mirën e mundshme dhe natyrisht synimi është të marrim një rezultat pozitiv.
Ekipi do të ketë mungesa, si Kuqi apo Strati, lojtarë të dëmtuar, kjo edhe për shkak se është luajtur pikërisht në terrene mjaft të rënduar dhe një fakt i tillë ka ndikuar edhe te gjendja e futbollistëve. Megjithatë, Flamurtari i ka lojtarët në dispozicion, një skudër që do të dijë të përgjigjet mjaft mirë në fushën e lojës dhe natyrisht të marrë rezultat,” - thotë Branica.
Ndërkohë është zyrtarizuar tashmë edhe largimi i tre lojtarëve të huaj: Alvizh, Junior dhe Gjukiç, lojtarë të cilët nuk e kanë justifikuar besimin e drejtuesve të klubit. Janë lojtarë që nuk e kanë justifikuar kontratën e lartë që u është afruar me paraqitjen e tyre në fushë, atë që kërkonte stafi teknik, drejtuesit dhe sportdashësit vlonjatë.
Për sa i përket afrimit të lojtarëve, nuk flitet akoma me emra, por drejtuesit e ekipit kanë filluar të kontaktojnë me lojtarë cilësorë, si në kampionatin shqiptar, ashtu edhe në kampionatet e huaja. Por sot vlonjatët po mendojnë fillimisht për ndeshjen e fundit për këtë vit, në mënyrë që ta nxjerrin ekipin nga kjo gjendje e rëndë ku ndodhet. Nuk do të jetë e lehtë, por nëse merret edhe një tjetër rezultat pozitiv dhe plus merkaton në janar, vlonjatët besojnë se në pjesën e mbetur të sezonit do të ngjiten në mes të renditjes.

Çipi dhe Magani në Bosnjë për merkato

Trajneri Magani dhe sekretari i Flamurtarit, Geri Çipi, kanë qenë Bosnjë, aty ku mendohet se do të kryhet edhe faza përgatitore e ekipit vlonjat në muajin janar. Pritet që Magani dhe Çipi të mbërrijnë sot direkt në Shkodër për ndeshjen me Vllazninë, por duket se qëndrimi i tyre në Bosnjë lidhet jo vetëm me fazën përgatitore të dimrit, por edhe me evidentimin e ndonjë lojtari që mund t’i vlejë ekipit të Flamurtarit.

Çaushaj kërkon golin edhe në Durrës

Ekipi peqinas prej dy ditësh ka lënë pas fitoren e bujshme 4-0 ndaj Dinamos kryesuese dhe nën drejtimin e kreut të ri të pankinës, kavajasit Përparim Daiu, është përgatitur intensivisht për përballjen me Teutën në Durrës. Për mesfushorin Ilirian Çaushaj, autor i golit të dytë me penallti ndaj Dinamos, fitorja ndaj tyre ndali “arratisjen” e bluve dhe në vazhdim do ta bëjë kampionatin më të bukur. “Jam mjaft i gëzuar, si të gjithë në Peqin, për këtë fitore të merituar. Do të isha edhe më i gëzuar se i pata mundësitë për të shënuar edhe një tjetër gol, pasi në dy ndeshje në Peqin, ndaj Teutës dhe Apolonisë, kam shënuar ng dy gola”, - shprehet mesfushori i majtë, Ilirian Çaushaj, që në karrierën e tij të deritanishme ka luajtur edhe për ngjyrat e Dinamos, Teutës dhe Flamurtarit.
22-vjeçari, që e ka sezonin e parë me Shkumbinin, takimin në Durrës e konsideron tepër të rëndësishëm, por edhe si një test të mirë, i cili do të tregojë vlerat në rritje të ekipit, që i shkaktoi atë humbje të thellë kryesuesve të Dinamos. Si ish-lojtar i Teutës përpara dy sezonesh beson se e njeh mjaft mirë kundërshtarin e radhës dhe të fundit për vitin 2009, mënyrën e lojës së durrësakëve dhe për këtë kërkon nga shokët e skuadrës një vlerësim të tij të atillë si ndaj bluve kryeqytetas. “Teuta është nga ekipet më të mira të superiores. Nesër përballë tyre në “Niko Dovana” do ta kemi të vështirë, por jo të pamundur për të marrë pikë,” - ka përfunduar mesfushori i Shkumbinit, Ilirian Çaushaj.

Apolonia-Skënderbeu, sot “raundi” i katërt

Fierakët kanë fituar në Korçë, por të mos harrojmë që korçarët eliminuan ekipin fierak në kupë
Ndeshjet midis Apolonisë dhe Skënderbeut janë gjithmonë në vëmendjen e sportdashësve të të dy skuadrave. Tashmë kur është luajtur gjysma e kampionatit aktual të superligës, këto dy ekipe do të luajnë raundin e dytë për këtë edicion. Fierakët kanë mundur të fitojnë një ndeshje të fortë që është luajtur në Korçë në javën e gjashtë të fazës së parë, atëherë kur u rrëmbenin korçarëve vendin e tretë në tabelë dhe i thyenin për herë të parë në shtëpinë e tyre. Por, gjatë këtij edicioni, dy skuadrat janë përplasur edhe në Kupën e Shqipërisë me njëra‑tjetrën, ku kanë qenë korçarët ata që kanë buzëqeshur në fund dhe kanë vazhduar më tej në këtë kompeticion.
Tashmë ato do të ndeshen për herë të katërt mes tyre dhe Apolonia do të kërkojë të fitojë për herë të tretë. Bardhejeshilët vijnë më të plotë në këtë takim, ndryshe nga humbja që pësuan me Tiranën, ku ka pasur mungesa të theksuara në formacionin bazë. Kështu, do të rikthehen në fushë që nga minuta e parë mbrojtësit Shoshi, Kelmendi dhe Ofoyen, duke krijuar më tepër siguri në prapavijë, atje ku skuadra fierake ka qenë shumë e hapur në dy ndeshjet e fundit në transfertë, me Shkumbinin në Peqin dhe kampionët e Tiranës, në të cilat porta fierake është ndëshkuar plot shtatë herë. Por skuadra mike nuk duhet parë si një kundërshtare e lehtë, aq më tepër që korçarët janë më të freskët fizikisht, pasi nuk e kanë luajtur ndeshjen e tyre të fundjavës ndaj kavajasve. Një “armë” tjetër pozitive për Skënderbeun është edhe fakti që ata drejtohen nga trajneri Gerti Haxhiu, i cili ka qenë sezonin e kaluar drejtues i skuadrës fierake dhe nuk ia ka harruar kaq shpejt “huqet”.
Në këtë javë dy ekipet vijnë ndryshe nga faza e parë, kur kanë qenë përkrah njëra‑tjetrës. Korçarët nuk kanë pasur më atë ecuri të mbarë të kampionatit dhe tashmë ndajnë dy vendet e fundit së bashku me vlonjatët e Flamurtarit, me pikë të barabarta, ndërsa Apolonia është e katërta në renditje. “Vijmë pas një humbjeje të thellë dhe na duhet të ndryshojmë imazhin dhe të kthehemi te fitorja. Luajmë një ndeshje në shtëpinë tonë dhe jemi më të pozicionuar për të fituar ndaj Skënderbeut. Nuk duhet të nisemi nga renditja që kundërshtari ynë mban në renditje, por të mos harrojmë që është pikërisht ky ekip që na ka larguar nga synimet tona në Kupën e Shqipërisë. Besoj se Apolonia i ka të gjitha forcat që të fitojë në këtë takim, pasi edhe formacioni ynë do të jetë më i plotë në këtë ndeshje dhe nuk do të kemi mungesa,” - shprehet mbrojtësi Edin Ferizoviç.

Lika kërkon të ruhen nga kartonët

Stafi teknik, me në krye trajnerin Hasan Lika, druhet nga ndëshkimet e futbollistëve të Apolonisë, të cilët në ndeshjet e fundit janë penalizuar mjaft. Edhe mungesat e Shoshit, Kelmendit dhe Ofoyenit në ndeshjen kundër bardhebluve, kanë ardhur pikërisht për shkak të ndëshkimeve në ndeshjen e luajtur kundër Laçit. “Futbollistët duhet të luajnë më me kujdes edhe në aspektin teknik dhe të ruhen sidomos nga ndëshkimet, të cilat na kanë çuar edhe në situata ku jemi ndodhur përballë mungesave të shumta në ndeshje të rëndësishme. I tillë ka qenë edhe ndeshja e fundit kundër Tiranës. Në fushë nuk kërkohet vetëm suksesi, por duhet parë edhe për ndeshjet e mëpasme,” - u ka thënë Lika të tijve.

Hoxha dhe Shoshi në “zborin” e Kuzhes

Portieri Sulejman Hoxha dhe qendërmbrojtësi Mariglen Shoshi janë dy përfaqësuesit e Apolonisë në listën kuqezi të trajnerit të kombëtares sonë, Josip Kuzhe. Kroati i pankinës shqiptare i ka ftuar të dy lojtarët fierakë për të qenë pjesë e kuqezinjve në “zborin” njëjavor që do të zhvillohet në Turqi. “Gardiani” i Apolonisë ka qenë edhe më parë i grumbulluar me përfaqësueset e moshave, ndërsa Shoshi është ftuar edhe herë të tjera nga Kuzhe.

Tafaj: Tirana, koha të flasë vetëm në fushë

Pas tri pikëve me Apoloninë, bardhebluve u është hapur oreksi dhe kërkojnë fitoren në Krujë
Dje, kampionët u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve në prag të sfidës që do të luajnë sot në qytetin e Krujës me Kastriotin vendas. Fitorja me Apoloninë i ka bërë me “krahë” drejtuesit dhe lojtarët e kryeqytetasve, të cilët tashmë janë përqendruar te ndeshja e sotme ku synimi i tyre do të jetë marrja e tri pikëve. Bardheblutë, aktualisht renditen në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit dhe në vazhdim pretendojnë të kapin vendin e dytë.
Nën zë drejtuesit dhe lojtarët e Tiranës, pavarësisht diferencës së madhe të pikëve me ekipin e Dinamos që kryeson, janë shprehur se edhe vendi i parë është i mundshëm nisur edhe nga fakti se do të përballen me blutë pas Kastriotit. Ndërkohë, vazhdon ende heshtja te Tirana, metodë e cila është përdorur para përballjes me Apoloninë, por edhe në prag të ndeshjes së sotme me Kastriotin.
Dje, stafi dhe lojtarët kanë preferuar të mos flasin për median, ndërkohë që tekniku Alban Tafaj, kur i është kërkuar të prononcohet, ka thënë: “Është më mirë që skuadra të flasë në fushë momentalisht sesa para mediave. E kemi përdorur këtë metodë edhe një javë më parë ndaj Apolonisë dhe na ka sjellë fat, pasi jo vetëm që e fituam ndeshjen, por zhvilluam edhe një lojë të bukur. Të njëjtën linjë do të ndjekim edhe përpara sfidës me krutanët. Shpresoj që të na ecë edhe në këtë ndeshje,”- ka thënë shkurtimisht trajneri i bardhebluve, Alban Tafaj.
Stërvitja: Në seancën e ditës së djeshme, që është zhvilluar paradite, ndryshe nga stërvitja e së hënës, ku mungonin një pjesë e mirë e titullarëve, kanë qenë të gjithë lojtarët nën urdhrat e dyshes së pankinës bardheblu, Tafaj-Dede. Stafi është marrë me ushtrime të ndryshme dhe kryesisht ka punuar me lojtarët e formacionit me ushtrime të ndryshme të karakterit fizik e tekniko-taktik. Kjo seancë ka zgjatur afro një orë e gjysmë, ndërkohë që pasditja është lënë pushim nga ana e stafit.
Formacioni: Ashtu si në ndeshjen paraardhëse me Apoloninë, edhe sot pritet që skuadra e Tiranës të ketë ndryshime në 11-shen që do të luajë ndaj skuadrës së trajnerit Ramazan Ndreu. Kështu, në portë rikthehet Nallbani, ndërkohë që në krahun e djathtë të mbrojtjes, nisur nga mungesa e Lilës, sërish do të luajë Sina. Konkurrencë do të ketë në qendër, aty ku rikthehet Bici pas pezullimit me karton në ndeshjen me Besën, por mund të luajë edhe Pashaj përkrah Osmanit, ndërsa majtas Ahmataj. Elbasanasi nga java në javë ka rritje dhe duket se është në formën e tij më të mirë. Në mesfushë, nga krahët do të luajnë Muka dhe Muzaka, ndërkohë që në qendër rikthehet Sefa, që së bashku me Devollin do të jenë qendra e mesfushës, kurse majtas do të luajë “polivalenti” Muka.
Në sulm, nisur edhe nga paraqitja e mirë që bënë në sfidën ndaj Apolonisë, do të luajnë Memelli dhe Abilaliaj. Në ndeshjen e së enjtes Memelli arriti që të shënojë, edhe pse me penallti, dhe gjatë gjithë takimit ka qenë problematik për mbrojtësit fierakë, por shërbeu saktë për të riun Hajdari, në golin që realizoi ky i fundit. Nuk përjashtohet mundësia që Tafaj të bëjë edhe ndonjë surprizë në 11-shen e parë. Gjithsesi, çdo gjë do të saktësohet në sfidën e sotme.

Muzaka dhe Abilaliaj, në garë për golashënues

Dy nga lojtarët e skuadrës së Tiranës, mesfushori Gjergji Muzaka dhe sulmuesi vlonjat Arbër Abilaliaj, duket se janë në garë për golashënues, madje shënuan edhe nga një gol ndaj Apolonisë të enjten që shkoi në “Qemal Stafa”. Që të dy lojtarët kanë shënuar nga katër gola në kampionat dhe kryesojnë listën e goleadorëve për ekipin e Tiranës.

Pesë bardheblu në “zborin” e Kuzhes

Në “zborin” që do të bëjë skuadra jonë përfaqësuese në Kemer të Turqisë, në listën e trajnerit kroat Josip Kuzhe bëjnë pjesë jo pak, por 5 lojtarë nga radhët e skuadrës së Tiranës. Bëhet fjalë për Andi Lilën, Gjergji Muzakën dhe Jetmir Sefen, që priteshin të ishin pjesë e kësaj liste, por edhe Ditmar Bici dhe Sabjen Lilaj, që të dy kontigjent i Shpresës.

Korçarët, 4 milionë premioja me Apoloninë

Zv/presidenti Zoi Mindili është shprehur optimist për ndeshjen e sotme në Fier
Plot 4 milionë lekë do të përfitojë e gjithë skuadra korçare në rast se sot të arrin të fitojë ndaj Apolonisë, në ndeshjen e fundit të këtij viti në ligën superiore. Dje, përpara nisjes drejt Fierit, ka qenë vetë zv/presidenti, Zoi Mindili, së bashku me donatorin tjetër, Fejzulla, që u ka bërë të ditur lojtarëve këtë shumë, e cila i ka mobilizuar më shumë kuqebardhët për ndeshjen e sotme. Po dje Mindili ka pasur edhe një takim me kapitenin e korçarëve, Bledi Shkëmbi, dhe trajnerin Gerti Haxhiu, duke garantuar një herë e mirë mbështetjen maksimale që ka kryesia ndaj ekipit.
Madje në fjalët më të fundit që qarkullojnë në media për një pakënaqësi të kapitenit Shkëmbi, ai midis të tjerash, ka sqaruar: “Nuk kam asgjë me kryesinë, madje jam më shumë se i kënaqur nga kryesia, që nga presidenti Niko Peleshi dhe deri te të gjithë donatorët. E vetmja gjë që kam, ka të bëjë me faktin se kam mbetur disi i pakënaqur me disa zyrtarë të klubit, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me klubin. Edhe një herë mund të them fjalët më të mira për kryesinë dhe nuk kam asnjë gjë me ta. Ndërkohë, jemi më të mobilizuar se kurrë për ta fituar ndeshjen e nesërme (të sotme) në Fier dhe mund të them se skuadra është e karikuar për të kërkuar vetëm fitoren në Fier.
Nuk është ndonjë çudi që ne dëshirojmë t’i mundim fierakët, mund të deklaroj me bindje se në “Loni Papuçiu” do të thyejmë edhe tabunë e ndeshjeve në transfertë.” Nga ana tjetër, edhe zv/presidenti Zoi Mindili, i cili sot do të jetë në Fier për këtë ndeshje të fundit të 2009‑ës, do të pohonte: “Them se do të jetë dita jonë në ndeshjen e nesërme (të sotme) në Fier. Ne jemi përgatitur vetëm për tri pikë dhe këtë u kam thënë edhe lojtarëve, se kanë mundësinë më të mirë për të treguar se jemi një skuadër që nuk e meritojmë aspak vendin e parafundit në superligë. Kemi vendosur edhe një premio për ekipin në rast fitoreje dhe kjo them se do t’i mobilizojë edhe më shumë lojtarët në fushën e lojës. Jam i bindur që do t’ia dalim.”

Dëmtohet Tomashiç, në portë Llapanji

Në ndeshjen e sotme me Apoloninë është shtuar edhe një emër tjetër në radhët e Skënderbeut që nuk do të jetë në fushë. Pas Lakos dhe Ballços, dje në stërvitjen e fundit është dëmtuar në gju portieri kroat i korçarëve, Tomashiç, i cili e ka mbyllur para kohe aktivizimin e tij me Skënderbeun për këtë vit. Pra, tre do të jenë mungesat e korçarëve në takimin e sotëm.

Rrogat e nëntorit, menjëherë pas Fierit

Rrogat e muajit nëntor të gjithë futbollistët korçarë do të mund t’i marrin menjëherë pas kthimit të tyre nga ndeshja me Apoloninë, që do të zhvillohet sot në Fier. Ka qenë vetë zv/presidenti Zoi Mindili së bashku me donatorin Maksi Fejzulla që kanë garantuar lojtarët se të gjithë rrogat e muajit paraardhës do t’i marrin deri në një këtë javë, pas ndeshjes së Fierit.

Vllaznia e plotë, më tepër garanci për fitore

Shkodranët do të luajnë me formacionin më të mirë, ku probleme ka vetëm porta, por jo të mëdha
Lajme të mira vijnë për Vllazninë në pragndeshjen me Flamurtarin. Thuajse të gjithë futbollistët e saj do të jenë të gatshëm për këtë ndeshje. I vetmi problem duket se është porta, megjithatë stafi drejtues nuk duket shumë i shqetësuar nga ky fakt. Për të gjithë ka rëndësi vetëm kalimi me sukses i kësaj ndeshjeje të fundit të këtij viti. Sinani, A.Beqiri, Osja janë tashmë të rikuperuar nga dëmtimet e tyre dhe mund të jenë të gatshëm për të luajtur. Ai që do të vendosë për formacionin sigurisht që është Luçi së bashku me stafin e tij.
Problemi i këtyre mungesave e ka shqetësuar jo pak stafin kuqeblu në këto javët e fundit, teksa ka pasur takime ku kanë munguar edhe 6 titullarë. Pavarësisht këtij fakti, trajneri Luçi ka qenë gjithnjë i mendimit se nuk duhet të merremi shumë me mungesat, ngaqë për të titullarë janë ato që luan në fushë dhe jo emrat e sportistëve.
Ndërkohë, shqetësim i vetëm për ndeshjen e sotme është reparti i portës, ku Grima vazhdon të vuajë një dëmtim në kofshën e djathtë dhe për rrjedhojë ka dhimbje të shumta. Por ndërkohë shqetësime ka ndjerë së fundi edhe portieri Bishani, që duket se ka probleme me një gisht të tij. Kjo gjë e ka shqetësuar jo pak stafin drejtues, por jo trajnerin e portierëve, Paulin Ndoja.
Në rast se edhe Bishani nuk është në gjendje të luajë në takimin e sotëm, atëherë portën e Vllaznisë në ndeshjen me Flamurtarin do ta mbrojë portieri i ekipit të të rinjve, Fabjol Rexhepi. Ndoja është shumë i sigurt se 18-vjeçari mund t’ia dalë me sukses dhe prandaj nuk trembet aspak për një aktivizim të mundshëm të tij.
Megjithatë, kjo gjë do të vendoset sot, pas një konsulte të fundit edhe me stafin mjekësor. Ndeshja është vlerësuar maksimalisht ndërkohë. Të gjithë në kampin shkodran duan që t’i kalojnë të qetë festat e fundvitit. Me një fitore ndaj vlonjatëve, kuqeblutë do të shkonin në kuotën e 21 pikëve, çka do të bënte që edhe pozitat e tyre në renditje të përmirësoheshin jo pak, duke lënë vend dhe shpresë edhe për një ngjitje drejt vendeve të para të renditjes.
Duke parë faktin se luhet ndaj skuadrës së vendit të fundit në renditje, mbase shumëkush mund ta mendojë si punë të kryer marrjen e tri pikëve në këtë takim. Nuk mendon kështu Roland Luçi, që bën thirrje për angazhim maksimal të futbollistëve të tij, duke larguar çdo shenjë nënvleftësimi që mund të ekzistojë.
Vetë numri 1 i pankinës shkodrane ka qenë gjithnjë i mendimit se mes skuadrave të kampionatit shqiptar nuk ka shumë diferenca dhe prandaj Flamurtarin ai nuk e konsideron të fundit. Fakti që skuadra do të jetë më e plotë këtë herë, është një garanci më tepër për Vllazninë, e cila kuptohet që është favorite për fitimin e këtij takimi në mes dy emrave të njohur të futbollit shqiptar, por që aktualisht po kalojnë momente jo të mirë në sezonin aktual.

Edhe me Flamurtarin pa bileta

Ashtu si edhe në ndeshjen me Teutën javën e kaluar, edhe sot me Flamurtarin, klubi “Vllaznia” ka vendosur që tifozët të jenë pa bileta. Një dhuratë për ta me rastin e festave të fundvitit, por edhe për t’i afruar gjithnjë e më pranë skuadrës në këto momente, kur ajo ka më shumë nevojë se kurrë për ta.
Në fakt, duhet thënë se mbështetja e këtyre tifozëve nuk u ka munguar kurrë kuqebluve, teksa ata kanë qenë në shkallët e “Loro Boriçit” edhe kur skuadra ka qenë në fund të renditjes. Dje ekipi i Vllaznisë është stërvitur sërish në një fushë minifutbolli të mbuluar, ngaqë e ka pasur të pamundur të stërvitet në një terren jashtë si pasojë e reshjeve të shiut që kanë rënë gjatë gjithë ditës. Ndërkohë, pasdite, ashtu si çdo herë tjetër, edhe këtë radhë është grumbulluar në hotel “Argenti” në pragndeshjen me Flamurtarin.

Pisha: Humbja në Peqin na karikoi më shumë

Sipas kapitenit Arian Pisha, dinamovitët duhet të mendojnë vetëm për sfidën e radhës
Dinamo dhe Laçi do të përballen në javën e 18-të të kategorisë superiore ditën e enjte, në orën 13:30, në stadiumin “Qemal Stafa”. Sfida e parë në Laç, midis dy skuadrave në fjalë, ka përfunduar 1-0 në favor të Dinamos me autor të golit Lukas Malakarne, i cili do të mungojë ndaj bardhezinjve pas kartonit të tretë të verdhë të marrë në Peqin.
Pavarësisht se ndeshja e radhës do të zhvillohet ndaj Laçit, në ambientet dinamovite flitet ende për ndeshjen e humbur në Peqin. Por kapiteni Arian Pisha, me anë të një prononcimi për “Sportin shqiptar”, kërkon nga shokët e skuadrës që kjo sfidë të “arkivohet” dhe tashmë të mendohet vetëm për fitore në ndeshjen e radhës me Laçin.
- Arian, një humbje e paparashikuar në Peqin, apo jo?
- Është e vërtetë që mund të përkufizohet e tillë, sepse nuk e mendonim, për më tepër me një rezultat të tillë. Por duke parë që s’mund të justifikohemi vetëm me fushën, në krahun tjetër, për të qenë realist, në të tilla terrene vetëm për futboll s’mund të flasim. Gjithsesi, skuadra e Peqinit e meritoi fitoren në fushë dhe u përshtat më mirë përpara portës dhe mendoj se e realizoi qëllimin e vet. Pasi pësuam 2 gola, edhe dalja nga loja e Kulit e vështirësoi shumë punën tonë. Megjithatë, s’duhet të justifikohemi shumë me terrenin.
- A është marrë pak me përtesë nga ana juaj kjo sfidë, duke parë dhe pozitat komode në tabelën e klasifikimit?
- Është e vërtetë që ndonjë futbollist mendonte më tepër për t’u ruajtur sesa për të luajtur futboll. Ajo fushë të lejonte të bëje sparkatën më të shëmtuar. Por s’ka justifikime, ne pësuam 4 gola dhe një gjë e tillë s’duhet të ndodhte. Nga kjo humbje e pësuar duhet t’i vëmë gishtin kokës.
- Gjatë javës përgatitore në pragsfidën me Shkumbinin, jeni stërvitur në kalçeto. Mos vallë kjo Dinamo duhej stërvitur në pishina për t’iu përshtatur sa më mirë terrenit që luajti javën e fundit?
- (Qesh disa sekonda) Me thënë të drejtën, kushtet e vështira na kanë detyruar të stërvitemi në kalçeto. Me këtë terren ka më shumë dëmtime, sepse edhe lojtarët dëmtohen dhe ngarkohen më shumë në muskulaturë. Problemi s’ka pasur lidhje me stërvitjen në kalçeto, por si pasojë e terrenit skuadra s’ka funksionuar si duhet. Ndërkohë që edhe ne e morëm pak lehtë, vetëm kur pësuam 2 gola e kuptuam që ishte më e vështirë.
- Nëse sërish do jeni përballë një terreni të tillë, si do të veproni?
- Për mendimin tim, ajo sfidë duhet të ndërpritej që në fillim, sepse sapo kemi dalë për të parë fushën, topi nuk kërcente, por vetëm ngecte. Jo siç pohonte dikush, që topi kërcente 35 cm. Më vjen keq që kjo shpifje përdoret në media si justifikim. Loja s’mund të ndërpritej më, sepse të gjitha fjalët që ishin përhapur kundër Dinamos, për favorizime nga ana e gjyqtarëve na bënin të mendonim që ajo sfidë nuk do të ndërpritej kurrë dhe ashtu ndodhi.
- Të enjten viheni përballë Laçit. Dinamo mund të jetë e rënduar nga ana psikologjike pas humbjes në Peqin, apo në të kundërt jeni ende më të karikuar për sfidën e radhës?
- Unë mendoj se pas stërvitjes së ditës së hënë sfida me Shkumbinin është harruar. Duhet ta mbyllim me fitore ndaj Laçit. Kjo ndeshje është tepër e rëndësishme për ne si ndaj Laçit, por edhe ndaj Tiranës. Tifozët kanë të drejtën e tyre dhe duan kompensim dhe ne do t’ua shpërblejmë besimin, gjithnjë bazuar në atë që do të japim në fushë. Normalisht që pas humbjes jemi më të karikuar, sepse nuk na lehohet tjetër hap fals.

“Do t’ia shpërblej besimin Kuzhes”

Kapiteni i Dinamos është edhe lojtari më i vjetër në moshë në listën e trajnerit Josip Kuzhe, për “zborin” e kombëtares kuqezi. Trajneri kroat e ka shprehur edhe më parë preferencën për kapitenin Pisha dhe tashmë vetë lojtari kërkon t’ia kthejë besimin trajnerit kuqezi: “Nuk përbën problem për mua fakti që jam lojtari më i vjetër në moshë, sepse futbolli nuk ka moshë.
Trajneri më ka respektuar dhe vlerësuar me këtë grumbullim. Ai ka idetë e veta dhe unë do të mundohem të tregoj më të mirën time në këtë “zbor”, për të shpresuar më pas që të jem pjesë e skuadrës kuqezi në eliminatore,” - citon nr.5 i bluve Arian Pisha.

Bakaj: Dua të bëhem i rëndësishëm në kombëtaren

Sulmuesi i Dinamos mori çmimin “Futbollisti i vitit”, pas anketës së bërë me trajnerët e superiores
Askush nuk e vë në dyshim që golashënuesi më i mirë i kampionatit, Elis Bakaj (10 gola), është lojtari më në formë i superligës. Jo më kot trajneri i kuqezinjve, Josip Kuzhe, e ka grumbulluar në miqësoren me Estoninë, ku pas ditë më pas deklaroi në një konferencë për shtyp që Elis Bakajn mund ta aktivizoj pas hezitim titullar.
Megjithëse nuk ka fituar trofe me Dinamon, trajnerët e superligës, në një anketë të bërë nga FSHF, e kanë votuar futbollistin e vitit. Ky çmim është thënë nga MTKRS, që përfshin edhe një shumë monetare. Në garë për ta fituar këtë çmin kanë qenë edhe Gjergji Muzaka me Igli Allmuçën, por në fund të anketës fitoi Elis Bakaj. Pas marrjes së çmimit që iu dorëzua nga ish-sulmuesit kuqezi Altin Rraklli dhe Indrit Fortuzi, në festën gala të organizuar nga FSHF, Elis Bakaj dha një intervistë për Sportin sqiptar.
- Elis, në një moshë relativisht të re, 22 vjeç, keni marrë trofeun “Futbollisti i vitit”. Ç’do të thotë ky çmim për ju?
‑ Është një vlerësim shumë i madh që më është bërë, duke ditur që për mua kanë votuar njerëz të futbollit, nga specialistët më të mirë të futbollit shqiptar. Trajnerët janë ata që i vlerësojnë në mënyrën më të drejtë cilësitë e futbollistëve.
‑ Në fakt, këtë sezon nuk keni ngritur asnjë trofe, megjithatë trajnerët e superligës ju kanë votuar si më të mirin e kampionatit tonë. Cila është arsyeja, sipas jush, që ju kanë votuar?
‑ Nuk dua të bëj modestin, por mendoj që thjesht kam bërë detyrën time në fushë. Të them të drejtën, kurrë më parë nuk e kam ndier vetëm më në formë se sot. Mendoj se kam treguar më të mirën në ndeshjet me Dinamon. Besoj kjo ka ndikuar në vendimin e trajnerëve. Dhe dua t’i falënderoj për vlerësimin që më kanë bërë.
‑ Këtë vit jeni bërë pjesë e kombëtares, madje trajneri Josip Kuzhe ka deklaruar që ju ka fituar si lojtar kuqezi…?
‑ Mendoj që janë shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë çmim, sigurisht edhe pjesëmarrja në kombëtare. Ngjyrat kuqezi të japin një shtysë të madhe në karrierë, sepse luhet një nivel tjetër futbolli. Është diçka shumë e madhe për një futbollist të përfaqësojë kombin e tij.
‑ Sa e ndien veten Elisi pjesë të rëndësishme të kombëtares?
‑ Elisi është një futbollist i ri, që sapo ka hedhur këmbën në kombëtare. Që të bëhesh pjesë e rëndësishme, duhet të kesh vite në kombëtare. Momentalisht nuk mund të them se jam shumë i rëndësishëm. Jam në hapat e para dhe i gatshëm për të kontribuar me të gjitha mundësitë sapo të më jepet rasti.
‑ Futbollistët e rëndësishëm kuqezinj deklarojnë që kampionati shqiptar ka talente, por që të luajnë në nivelet më të larta duhet të transferohen në një kampionat më të fortë…?
‑ Futbollistët me eksperiencë të kombëtares ma kanë thënë vetë që duhet të luaj në një kampionat më të fortë. E kam synim të luaj në një kampionat ku cilësia është e lartë. Sepse vetë kombëtarja është maja që mund të arrijë një futbollist në rang kombëtar. Të luash me kombëtaret më të mira në Europë, nuk është e lehtë.
‑ Shpesh specialistë të futbollit thonë se ju mund të jeni pasuesi i Skelës në kombëtare…?
‑ Edhe unë i kam dëgjuar, por nuk dua ta krahasoj veten me Skelën. Ervin Skela është një nga futbollistët më të mirë që ka pasur futbolli shqiptar. Do të mundohem të përfitoj sa më shumë nga këta lojtarë shunë të mirë të kombëtares, si Skela, Cana, Bogdani etj. Më duhet shumë punë dhe sakrificë për t’u bërë i rëndësishëm si lojtarët e sipërpërmendur.
‑ Ky çmim vjen në një moment tjetër të lumtur për kampin blu, pasi Dinamo është shpallur kampione e dimrit…?
‑ Sigurisht, edhe ky fakt më gëzon shumë, pasi kam dhënë kontributin tim edhe për këtë arritje. Çdo futbollist, kudo që luan, mendon të arrijë më të mirën me skuadrën e tij. Unë kam fatin që luaj me Dinamon, skuadër që të jep mundësi të fitosh trofe. Deri tani kemi bërë gjysmën e punës, por kemi ende rrugë përpara, sepse duhet të luajmë më shumë se gjysmën e kampionatit. S’na mbetet gjë tjetër veçse të zhvillojmë një fazë të mirë përgatitore, që të vijojmë me këtë ritëm deri në fund të kampionatit.
‑ Mendoni se do të ndikojë humbja e fundit me Shkumbinin në ecurinë e Dinamos?
‑ Aspak. Pa ia hequr meritat Shkumbinit, mendoj që Dinamo është një ekip me shumë cilësi, por që s’mund ta tregojë veten në një terren të tillë, si ai i Peqinit.
‑ Pas kësaj jave, vjen ndërprerja e kampionatit dhe hapet merkatoja e janarit. A i duhen përforcime Dinamos?
‑ Kjo nuk është çështje që u përket futbollistëve. Presidenca e Dinamos e di më mirë nëse i duhen apo jo përforcime. Detyra ime si futbollist është të jap maksimumin në fushën e blertë.
‑ Do të qëndroni te Dinamo?
‑ Kjo është një pyetje shumë e vështirë për mua. E kam thënë edhe në prononcimet e mëparshme, se dëshira ime është të qëndroj deri në fund, për të festuar për herë të parë në karrierën time titullin kampion. Nga ana tjetër, nuk më mungon dëshira për t’u provuar në një kampionat më të fortë në Europë, për të kuptuar se deri ku mund të arrij.