23 dhjetor 2009

Chelsea, gati 62 milionë për janar

Chelsea po mendon për afatin kalimtar të janarit. Pronari i klubit “Blues”, Roman Abramovich, është i gatshëm të shpenzojë 62 milionë euro për ta përforcuar skuadrën e Carlo Ancelottit.
Problemi kryesor është Kupa e Afrikës, që do t’i ‘rrëmbejë’ sulmuesit Drogba e Kalou, dhe mesfushorin Obi Mikel, në muajin janar. Objektiv numër 1 është Sergio Aguero, i cili vlerësohet 45 milionë euro nga Atletico Madrid. Klubi anglez nuk do ta ketë lehtë që ta rrëmbejë argjentinasit, pasi klubi spanjoll e ka nisur dobët sezonin dhe nuk dëshiron ta humbasë yllin e vet.
Mirëpo, presioni eventual i futbollistit për të shkuar në një klub të rëndësishëm, mund të jetë vendimtar. Për ta mbushur hapësirën në mesfushë, në vend të Obi Mikel, klubi londinez po mendon për mesfushorin e Monacos, Jerko Leko. Por, kjo nuk është e tëra, sepse Abramovich e Ancelotti, e kanë veçuar edhe mesfushorin e Romës, Daniele De Rossi, si përforcim eventual.