12 dhjetor 2009

Lajme nga Futbolli Shqiptar

Mujdragiç sfidon serbët e Apolonisë

Mbrojtësi i Shkumbinit, Ahmet Mujdragiç, kërkon revanshin për humbjen në Fier
Ekipi i Shkumbinit dje paradite ka zhvilluar seancën e fundit para takimit që do të zhvillojë sot me Apoloninë në Peqin. Eshtë një përballje që ka ngjallur interes, pasi do të ketë si kundërshtar një ekip që vëmendjen kryesore e ka në kampionat, pas eliminimit në mesjavë për kupë nga Skënderbeu.
Apolonia e vendit të tretë me pikë do të kërkojë rezultat pozitiv edhe në Peqin, për të mos iu larguar grupit që të çon në Europë, duke kërkuar të jetë rezultative edhe jashtë fushe. Dëshira është e madhe, por para qëndron Shkumbini, që në fushën e vet nuk toleron, sidomos përballë ekipeve të mira dhe me ambicie. Shkumbini vjen në këtë takim me një moral të lartë pas kualifikimit me Kastriotin për kupë dhe do të kërkojë fitoren për t’u pozicionuar në mesin e tabelës. Mbrojtësi Ahmet Mujdragiç tregohet mjaft optimist para këtij takimi.
Serbo-boshnjaku i Shkumbinit ka disa motive më shumë për të fituar me ekipin e Shkumbinit, pasi në fushën e lojës ka përballë disa bashkatdhetarë të tij që luajnë me Apoloninë. Ai është i bindur se Shkumbini do ta fitojë takimin me Apoloninë dhe ai vetë do të jetë fitues i “bastit” të vënë me miqtë e vet, por kundërshtarë në 90 minutat e lojës.
“Ndeshja e të shtunës na vë përballë Apolonisë dhe unë jam i bindur se fitues në fund do të jetë Shkumbini. Në fushën e lojës do të kem përballë si kundërshtarë disa miq të mi, që luajnë me Apoloninë, duke qenë si një bast për ne, që më nxit për të bërë më shumë për më të mirën për Shkumbinin, aq më tepër që luajmë në fushën tonë,” ‑ thotë mbrojtësi Mujdragiç para takimit. Shtatlarti 23‑vjeçar është pika më e fortë e Shkumbinit në mbrojtje dhe i cilësuar nga specialistët mbrojtësi i qendrës më i miri në kampionatin tonë.
Më parë është aktivizuar me ekipin e Novi Pazarit, për të luajtur sezonin e dytë me Shkumbinin, duke qenë i vetmi futbollist jopeqinas që qëndroi në ekip në këtë sezon. Ai pohon se e ndjen veten mirë e të vlerësuar në Peqin, por jo i kënaqur plotësisht me rezultatet që ka arritur, pasi mundësitë janë për më tepër. Mbrojtësi Mujdragiç beson se ekipi i tij do të dijë të shfaqet siç duhet në fushë përballë një kundërshtari që vjen me pretendime në Peqin. “Ekipin e Apolonisë e njoh më shumë se ekipet e tjera, për shkak të kontakteve të shpeshta që kam me bashkatdhetarët.
Unë e vlerësoj Apoloninë si një nga ekipet më të konsoliduara për grupin e lojtarëve dhe jo rastësisht renditet në vendin e tretë pas Dinamos e Besës. Kemi humbur në Fier në fazën e parë dhe prandaj kemi punuar e jemi përgatitur për të marrë revanshin nesër (sot) me këtë ekip. Nuk do ta kemi të lehtë për ta realizuar këtë objektiv, por unë besoj te forca e ekipit dhe puna që është bërë, pa harruar se luajmë në fushën tonë dhe kemi mbështetjen e tifozëve tanë,” ‑ ka përfunduar mbrojtësi i qendrës i Shkumbinit.

Ulen biletat për stadiumin e Peqinit

Janë ulur çmimet e biletave për hyrjen në stadium për ndeshjen e sotme në Peqin përballë Apolonisë. Kështu, biletat e tribunës qendrore janë caktuar 300 lekë, nga 500 që ishin më parë, ndërsa për tribunën përballë e për anekset çmimi është përgjysmuar në 100 lekë nga 200 që është deri tani. Kjo masë merret për të fituar edhe më shumë sportdashës në ndeshje për ta inkurajuar ekipin për rezultatin. Drejtuesit e klubit pohojnë se ky çmim biletash do të jetë i përhershëm dhe do vlejë edhe për takimet e tjera.

Krutanët, aspak inferiorë në Shkodër

Pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, skuadra krutane është përqendruar totalisht te kampionati, ose më saktë te ndeshja e radhës në transfertë ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”. Parashikohet të jetë një sfidë e vështirë për formacionin krutan, pasi skuadra kuqeblu ndodhet në një pozicion kritik. “Tashmë jemi të detyruar të përqendrohemi te ndeshja e kampionatit dhe më konkretisht te ndeshja ndaj Vllaznisë, që do të luhet në Shkodër,” - do të shprehej mes të tjerash zv/trajneri i skuadrës krutane, Shaban Dallaku. Ndeshjen e së dielës ka të ngjarë ta shoqërojë edhe një numër tifozësh krutanë.
Presidenti Djala ka kërkuar që ndeshja ndaj Vllaznisë të shërbejë si ndeshje kthese për skuadrën që financon. Duke ndjerë vështirësinë që paraqet ndeshja me Vllazninë në transfertë, Dallaku mundohet të tregohet i kujdesshëm, kur thotë: “Nuk kemi përse ta fshehim që ndeshja me Vllazninë do të jetë një ndeshje e vështirë. Përballemi ndaj një skuadre që ka jo vetëm emër në futbollin shqiptar, por mbi të gjitha kërkon të rehabilitojë veten në renditje. Megjithatë, në këtë ndeshje do të përpiqemi të tregojmë se jemi një skuadër që ka mundësi të kthehet te rezultatet pozitive.”

Mile: Nëse mundim Dinamon, s’ndalemi më

Kapiteni i Teutës, Vangjel Mile, kërkon që gjyqtarët të mos bëhen protagonistë në këtë ndeshje
“Të japim shpirtin në fushën e lojës për të fituar ndaj Dinamos.” Kështu shprehet kapiteni dhe sulmuesi i Teutës, Vangjel Mile, i cili komenton ndeshjen shumë të vështirë të durrsakëve në “Niko Dovana”. Sipas Miles, nëse Teuta luan me shpirt e grintë, është e pathyeshme në “Niko Dovana”, gjithmonë nëse gjyqtarët nuk bëhen faktorë negativë.
‑ Si e vlerësoni ndeshjen kundër Dinamos?
‑ Ndeshja më e vështirë jona, madje akoma më e vështirë se ndeshja e fazës së parë në Tiranë. Duhet të jemi mjaft të kujdesshëm, sepse edhe në fazën e parë ne luajtëm më mirë se kundërshtarët, por ata një rast patën dhe shënuan, duke fituar. Ndaj nuk duhet të bëjmë asnjë gabim dhe të luajmë lojën tonë me shpirt e grintë që të dalim fitues.
Ne jemi super të motivuar për t’u përballur me Dinamon, që kërkon fitore, por të njëjtën gjë kërkojmë edhe ne. E dimë që fitorja ndaj ekipit që kryeson me meritë kampionatin është shumë e vështirë, aq më tepër në një kampionat me rivalitet, por unë besoj se i kemi forcat për ta bërë këtë dhe për t’u ngjitur në tabelë.
‑ Ka shanse Teuta të ndalë Dinamon e pathyeshme?
‑ Ne e kemi vlerësimin maksimal për kundërshtarin, por ne kemi jo vetëm shanse, por edhe mundësi që të luajmë mirë dhe të marrin një rezultat pozitiv, që në “Niko Dovana” do të thotë të fitosh. Në fushën tonë, një humbje qoftë kjo edhe ndaj Dinamos, është një hap fals, ndaj ne do të bëjmë maksimumin dhe jam i bindur që mund ta fitojmë ndeshjen, nëse do të jemi të përqëndruar dhe nëse arbitrat nuk do të bëhen faktorë negativë.
‑ Përse e thoni këtë?
‑ Sepse ata shpesh janë bërë protagonistë në ndeshje vendimtare për ne, ashtu si në sezonin e kaluar. Do t’ju përmend një rast, kur luanim vjet me Dinamon në Durrës dhe unë shënova një gol, që mund të na jepte fitoren, por arbitrat e anuluan si të parregullt, por ishin gabuar dhe ndeshja përfundoi në barazim. Këtë sezon, në fushën tonë arbitrat na kanë ndëshkuar, si kundër Besës, kur dolëm barazim, ashtu edhe ndaj Apolonisë, me të cilën humbëm. Prandaj, nëse gjykimi është korrekt dhe ne japim shpirtin në fushën e lojës, unë jam i bindur që e thyejmë Dinamon dhe marrim pikë të plota.
‑ Çfarë do t’i thonit tifozërisë durrsake?
‑ Do t’u kërkoja tifozëve tanë që të na mbështesin sa më shumë në këtë ndeshje, ku ne do të tregojmë vlerat tona. Kjo do të jetë “prova e zjarrit” për ekipin tonë dhe vazhdimësinë e tij. Një gabim në këtë ndeshje dhe ne do të bënim një hap fals gjigant, por nëse arrijmë fitoren, do të jetë Teuta e pandalshme në vazhdim. Ndaj u kërkoj mbështetje tifozëve, sepse ata na e shtojnë besimin se do t’ia dalim mbanë.

Kaja: Besa ka “borxhe” për të larë në Laç

Laçi përgatitet të përballet për të katërtën herë me ekipin e Besës. Ndërsa bilanci i tri ndeshjeve të zhvilluara deri tani është dy humbje, një në kampionat dhe një në kupë, dhe një barazim, të cilin e arriti në Kavajë para tri ditësh. Ky do të jetë edhe takimi katërt, ku kurbinasit do të kërkojnë të “hakmerren” ndaj kavajasve. Sipas mefushorit Kaja, është një ndeshje e vështirë, ku sigurisht do të kërkohet fitorja. “Kemi zhvilluar tri takime me ekipin e Besës dhe dy takimet e fundit kemi qenë afër fitores.
Por fundja takimet e kupës nuk kanë qenë synimi ynë kryesor. Paraqitja e mirë që kemi bërë, madje edhe në fazën e parë në kampionat, ku humbëm me Besën minimalisht, na bën të jemi optimistë për këtë ndeshje, edhe pse kemi disa mungesa të rëndësishme. Ne jemi të përgatitur për t’u “hakmarrë” ndaj Besës, pasi iu bënë shumë “borxhe” për të larë. Jam i bindur te forca e ekipit tonë, ku ne kemi treguar se me ekipet pretendente luajmë më të mobilizuar dhe shumë më mirë se me ekipet poshtë mesit të tabelës,” - thotë ndër të tjera mesfushori Kaja.

Sefa: Gjynah të mos fitojmë me Gramozin

Mesfushori i kombëtares dhe i bardhebluve, Jetmir Sefa, nuk mendon rezultat tjetër veç tri pikëve
Kampionët dje u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve në prag të sfidës që do të zhvillojnë sot pasdite në stadiumin “Qemal Stafa” me ekipin e Gramozit. Kjo javë ka qenë e ngjeshur për bardheblutë, të cilët, pasi kanë eliminuar në mesjavë Lushnjën në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, sot do të ndeshen me ekipin e trajnerit të mirënjohur Agim Canaj. Nisur edhe nga eksperiencat e mëparshme me ekipet e ashtuquajtura të vogla, si Laçi apo Skënderbeu, ku në sfidën e parë kampionët janë mundur dhe në të dytën kanë barazuar, sot ata nuk kanë synim tjetër veç fitores së ndeshjes.
Mesfushori Jetmir Sefa, i cili javët e fundit po kalon një formë mjaft të mirë në prag të sfidës me Gramozin, në prononcimin për “Sportin shqiptar”, tha: “Pasi kemi barazuar para një jave me Skënderbeun në Korçë, tashmë jemi përqendruar te ndeshja me Gramozin, të cilën duhet ta fitojmë patjetër. Kolonjarët këtë sezon janë ngjitur në superligë, por kjo nuk do të thotë që do të vijnë në Tiranë për “ekskursion”. I kemi marrë të gjitha masat për t’i mundur. Po nuk fituam me Gramozin, do të jetë gjynah i madh për ne.
Nuk e di, por nuk do të gjeja fjalë ta përshkruaja nëse lëmë pikë edhe ndaj kolonjarëve, pavarësisht se momentalisht ata vijnë nga kualifikimi në kupë dhe kanë moralin e lartë,”- tha fillimisht 22-vjeçari i bardhebluve Jetmir Sefa. Mesfushori i 24 herë kampionëve flet edhe për kualifikimin me Lushnjën dhe, sipas tij, Tirana tashmë do të përqendrohet më shumë te kupa.
“Dinamo ka krijuar një diferencë të madhe pikësh me ne, normalisht është prishur edhe bukuria e kampionatit, por fillimi i këtij sezoni nuk ka qenë aspak me fat për Tiranën. Jemi munduar në çdo ndeshje jashtë dhe brenda që të marrim maksimumin, por kemi bërë gabime që nuk na falen si në Laç ku kemi humbur apo edhe një javë më parë me Skënderbeun, ku barazuam.
Tashmë duhet të përqendrohemi më shumë te kupa, në mënyrë që ta bëjmë tonin këtë trofe, por kurrsesi ta lëmë pas dore kampionatin. Ne do t’i ulim “armët” vetëm kur të ketë përfunduar beteja, ndaj do të shpresojmë ende, pasi në lojë është edhe një fazë e gjysmë për t’u luajtur,”- përfundoi deklaratën e tij mesfushori i kampionëve në fuqi, Jetmir Sefa.

Tafaj bën prapa-kthehu: Memelli, gati ndaj kolonjarëve

Sulmuesi shtatlartë i 24 herë kampionëve, Migen Memelli, pas ndeshjes me Lushnjën ka bërë stërvitje rregullisht me pjesën tjetër të skuadrës dhe dje është përfshirë nga stafi teknik në 18-shen ndaj Gramozit. Një ditë para ndeshjes me “lagunarët”, kur Tafaj edhe e pezulloi pa afat, ai pësoi edhe një dëmtim gjatë stërvitjes pas përplasjes me mbrojtësin Ditmar Bici, çka e detyroi sulmuesin që të linte menjëherë seancën.
Memelli tashmë ndihet mirë dhe e ka kaluar dëmtimin, por duke parë edhe nevojën për pikë të skuadrës së Tiranës, pas atij rezultati zhgënjyes në ndeshjen e një jave më parë në Korçë, trajneri Alban Tafaj ka vendosur ta grumbullojë sulmuesin për sfidën me Gramozin. Në njëfarë mënyre, i pari i pankinës së kampionëve bën prapa-kthehu, duke parë edhe deklaratat e tij, pasi ishte vetë ai që deklaroi se Memelli do të dënohet për një afat të pacaktuar. Ndërkohë, nuk dihet nëse ndaj kolonjarëve do të luajë Migen Memelli që nga minuta e parë në sulm, apo do ta nisë nga stoli.

Grumbullimi në Linzë

Ashtu si në takimet e tjera që ka zhvilluar në kryeqytet, edhe dje skuadra e Tiranës është grumbulluar në Linzë, aty ku ka kaluar natën e mbrëmshme në prag të sfidës që do të luajë sot me debutuesit e Gramozit. Pasi kanë bërë stërvitje paradite, në drekë e gjithë skuadra është lënë e lirë, për t’u grumbulluar sërish pasdite dhe është nisur drejt Linzës.

Tifozët, mbështetje maksimale

Pavarësisht se sot do të luajnë me një skuadër modeste, tifozeria bardheblu pritet që të jetë e shumtë në numër dhe ta mbështesë fuqishëm ekipin e zemrës. Duhet theksuar se në asnjë ndeshje të këtij sezoni ata nuk e kanë braktisur skuadrën e tyre, madje edhe në transferta, ku grupimi “Fanatiks”, por edhe ultrasit, nuk i kanë braktisur idhujt e tyre.

“Të gjitha rrugët na çojnë te fitorja”

Blutë e vlerësojnë Teutën, por kërkojnë fitore edhe në sfidën e “Niko Dovanës”
Dinamo do të përballet sot, në javën e 14-të të sezonit futbollistik 2009-2010, në stadiumin “Niko Dovava” me Teutën e drejtuar nga Mirel Josa. Blutë kryesues të kampionatit kërkojnë vetëm fitore në këtë sfidë, edhe pse kundërshtari konsiderohet dhe vlerësohet si tepër i fortë dhe serioz nga stafi dinamovit.
Në sfidën e fazës së parë në “Qemal Stafa”, Dinamo dhe Teuta janë përballur në javën e 3-të, ku blutë kanë fituar mes peripecish pas një goli të Malakarnes. Në radhët e bluve do të ketë mungesa, pasi mbrojtësi i djathtë, Marko Putinçanin, do të mungojë për 5 javë pas goditjes me kokë ndaj lojtarit të Bylisit, Dimo, në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë.
Me shumë mundësi, vendin e serbit do ta mbulojë Erion Xhafa, i cili edhe ndaj Bylisit në ato minuta që është aktivizuar, ka treguar formë të mirë sportive. Por edhe Plaku s’do të jetë i gatshëm për dinamovitët. Ndërsa “djemtë e detit” nuk do të kenë në dispozicion mesfushorin Muçollari dhe mbrojtësin Imeraj. Gjithsesi, të dyja skuadrat respektive kanë një organikë të pasur për të kaluar këto mungesa dhe alternativat si për Muçën edhe për Josën janë të mjaftueshme.
Të gjithë presin një ndeshje të bukur dhe të rivalizuar, por përgjigjja mbetet te këmbët, por sidomos më mendjet e futbollistive që do të zbresin në tapetin jeshil të “Niko Dovanës”. Trajneri Shkëlqim Muça, në përfundim të seancës së djeshme stërvitore, ka deklaruar se Dinamo do të udhëtojë për fitore në një fushë ku mund të luash futboll pa probleme. “Luajmë në një fushë ku mund të zhvillosh një ndeshje pa probleme. Në Durrës luhet futboll korrekt. Shpresojmë të fitojmë, edhe pse e dimë që Teuta është një kundërshtare e fortë në fushë e tij.
Por si në çdo takim tjetër, Dinamon të gjitha rrugët e çojnë vetëm te fitorja dhe ne do të japim maksimumin për ta arritur,” - deklaron kryepankina dinamovite, Shkëlqim Muça, i cili në këto 13 javë kampionat ka koleksionuar 11 fitore dhe 2 barazime në drejtimin e Dinamos. Ashtu si dhe Dinamo, rivalët më të afërt në tabelën e klasifikimit, Besa dhe Apolonia, luajnë në transfertë.
Vetëm Tirana do të presë në “shtëpi” ekipin debutues të Gramozit. Besa udhëton drejt Laçit, një fushë që ka treguar se mbetet tepër e vështirë për t’u kaluar, jo për problemet jashtë fushës së blertë, por për vetë forcën e lojtarëve laçianë, të cilët këtë sezon po tregohen tepër burrërorë në lojën e tyre. Ndërkohë, Apolonia udhëton drejt Peqinit, për t’u përballuar me Shkumbinin vendës. Një fitore e mundshme e Dinamos në Durrës do të thotë një tjetër shkëputje në tabelën e klasifikimit, edhe pse në futboll llogatirë nuk bëhen asnjëherë përpara kohe.
Tifozët dinamovitë janë organizuar për të udhëtuar drejt Durrësit në përkrahje të skuadrës së tyre të zemrës, fansat blu, megjithëse në numër të reduktuar, janë gjithnjë besnikë ndaj skuadrës së tyre të zemrës si në sfidat e “Qemal Stafës”, por edhe jashtë kryeqytetit.

Plaku-Putinçanin, mungesat e sigurta të bluve

Mbrojtësi Marko Putinçanin është pezulluar për 5 takime nga komisioni i disiplinës, pas goditjes me kokë ndaj kundërshtarit në sfidën e Kupës së Shqipërisë. Nr.21 i bluve do të mungojë në sfidën e sotme në Durrës. Ndërkohë, Sebino Plaku, pas një gjendjeje të lehtë gripale që po kalon, por edhe një problemi në gishtin e këmbës, nuk është stërvitur me skuadrën në seancën e fundit dhe sot do të mungojë në “Niko Dovana”.

Dinamon grumbullohet përpara Teutës

Skuadra e Dinamos, në përfundim të seancës stërvitore, është shpërndarë për t’u grumbulluar në orën 19:00 në klub dhe më pas është bërë nisja drejt hotelit “Ylli i Detit”, në Golem. Dinamovitët e kanë kaluar natën buzë detit dhe sot paradite janë nisur drejt Durrësit për të zhvilluar 90 minutat e javës së 14-të përballë Teutës. Kjo sfidë do të jetë e veçantë për senegalezin Papa Diop, cili mbush sot 25 vjeç.